Në 'Trepçë' anulohet konkursi vetëm pjesërisht, protestat e Shaljanëve vazhdojnë
Foto: Zeri

Në 'Trepçë' anulohet konkursi vetëm pjesërisht, protestat e Shaljanëve vazhdojnë

Aktuale February 27, 2020 - 08:39
Image

Ndonëse menaxhmenti i “Trepçës” ka anuluar pjesërisht konkursin, i cili ka ngjallur reagimin e banorëve të Shalës së Bajgorës, Shaljanët duan më shumë, të anulohet konkursi komplet, por edhe të shkarkohet Bordi dhe menaxhmenti i “Trepçës”. Sadiku: Procesi i prodhimit zhvillohet normalisht, shkruan gazeta "Zëri".

Banorët e Shalës së Bajgorës kanë vazhduar të protestojnë për shkak të një konkursi, me të cilin janë punësuar 223 punëtorë në “Trepçë”, i cili sipas Shaljanëve është shkelur nga menaxhmenti gjatë përzgjedhjes së kandidatëve. Shaljanët, të cilët kanë protestuar edhe të mërkurën, kanë kërkuar anulimin e tërësishëm të konkursit, ndonëse menaxhmenti ka anuluar 17 pozita (38 punëtorë), nga 120 pozita në Stan Tërg janë anuluar 10 pozita, ndërsa nga 30 pozita në Artanë janë anuluar 2 pozita, 2 pozita në Fabrikën për Pajisje të Procesit, si dhe 3 në Departamentin e Sigurimit Fizik.

KOP: Protestojmë derisa të realizohen kërkesat

Këshilli Organizativ i Protestës konsideron se anulimi i 10-përqindëshit të konkursit është vetëm tallje dhe është bërë sa për të thënë se kemi realizuar një kërkesë.

Arsim Musa, kryetar i KOP-it, tha se protesta do të vazhdojë deri në realizimin e këtyre e padrejtësive që u janë bërë e që është mënyra e konkursit, të cilën e kanë anuluar ata për 37 pozita. “Po përpiqen të na frikësojnë, nuk ka kthim mbrapa, nuk do të ndalemi, s’do të kthehemi mbrapa, s’do të ndalemi derisa të realizohen kërkesat tona, anulimin e Bordit, të menaxhmentit dhe anulimin e këtij konkursi, që është tipik politik dhe farefisnor. Ka padrejtësi, ka parregullsi, kemi fakte, ne nuk ndalemi”, është shprehur ai. Musa ka shtuar se KOP-i do të takohet me avokatin e Popullit, ndërsa deri në fund të javës edhe me kryeministrin, Albin Kurti. Ata kanë përmendur me emër e me mbiemër ata që kanë punësuar të njohurit e tyre në “Trepçë”, madje edhe nga dy e tre prej një familjeje.

Por gjatë vizitës në “Trepçë” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka premtuar se do të shkarkohet Bordi i Trepçës, ndonëse ai u ka thënë protestuesve shaljanë se do të merret seriozisht me kërkesat e tyre dhe se do t’i presë ata në Kryeministri për ta diskutuar situatën. “Ne vetëm sa kemi filluar shkarkimin e bordeve joprofesionale, do të vazhdojmë deri në fund, i kam parasysh kërkesat tuaja dhe do t’ju pres në zyrën time për t’i diskutuar të gjitha problemet”, u pati thënë kryeministri Kurti protestuesve.

Sadiku: Protestat nuk kanë ndikuar në procesin e prodhimit

Në anën tjetër Shyqyri Sadiku, drejtor i Prodhimit në Stan Tërg, ka siguruar se prodhimi është duke shkuar normalisht pa asnjë pengesë. “Gjithçka është normale, procesi i prodhimit është duke shkuar sikurse edhe deri me tani, natyrisht se kemi probleme, por me rëndësi është që prodhimi po ecën. Aty ku janë për interesa të ‘Trepçës’, për atë që vlerësojmë se i shkon ‘Trepçës’ në favor, ne i përkrahim protestat”, i tha Sadiku gazetës “Zëri”, të mërkurën.

Duke folur për anulimin e pjesshëm të konkursit, Sadiku tha se ka qenë edhe kërkesa e tij që disa pozita të anulohen për t’i hapur vend punësimit në prodhim, ndërsa konstatoi se asnjë minator nuk ka munguar nga puna për t’iu bashkangjitur protestuesve të Shalës. “Natyrisht që çdo pakënaqësi, e cila shprehet se ka ndikime, ndikon te punëtorët, ndikon te minatorët, ndikon te stafi, por vetë punëtorët janë të përkushtuar për punë dhe nuk ka ndodhur që ndonjëri nga ata ‘të kalojë’ në anën tjetër e të protestojë”, ka siguruar Sadiku.

E ndërkaq kryetari i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, ka premtuar se në “Trepçë” do të ketë edhe konkurse të tjera dhe se do të pranohen punëtorë të rinj, pasi që fuqia punëtore e tanishme është e vjetër. “Po bëhen dy vjet që nga emërimi i Bordit Mbikëqyrës të ‘Trepçës’ SHA, ku në vazhdimësi jemi përballur me kërkesat për mungesë të fuqisë së re punëtore dhe të teknologjisë moderne nëntokësore. Duke parë që ‘Trepça’ nuk i ka mundësitë të bëjë zëvendësimin e teknologjisë për shkaqe financiare, menaxhmenti i ri i ndërmarrjes ‘Trepça’, me aprovim të Bordit Mbikëqyrës, ka hapur konkurs publik për të rekrutuar fuqi të re punëtore. Kjo ka qenë zgjidhja e vetme për të tejkaluar situatën e vështirë në të cilën gjendet ndërmarrja ‘Trepça’”, ka thënë Syla.

Sipas tij, ndërmarrja “Trepça”, njësitë biznesore Minierat me Flotacione Stantërg dhe Artanë, numëron më shumë se 1230 punëtorë, ku mosha mesatare e të punësuarve të “Trepçës” është mbi 58 vjeç.

Syla: Menaxhmenti do të vazhdojë të rekrutojë fuqi të re punëtore

“Prandaj Bordi Mbikëqyrës inkurajon menaxhmentin që të vazhdojë me rekrutimin e fuqisë së re punëtore, veprim i cili do të shpëtonte ndërmarrjen nga gjendja aktuale e krijuar. Për më shumë, për herë të parë në ndërmarrjen ‘Trepça’ janë udhëhequr procedurat e nevojshme të rekrutimit të punëtorëve të rinj sipas legjislacionit në fuqi. Ndërmarrja ‘Trepça’ si njëri nga promotorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të rajonit të Mitrovicës, nuk ka punësuar punëtorë të rinj që nga viti 2011, duke bërë që fuqia punëtore aktuale të arrijë moshën mesatare, e cila është e papërballueshme për kushtet e punës në miniera, duke rezultuar në prodhim shumë të ulët. Bordi Mbikëqyrës dhe Menaxhmenti kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për riorganizimin e fuqisë aktuale punëtore, riorganizim ky që solli rritje prodhimi, me të cilin thyem rekorde prodhimi disavjeçare. Fuqia e re punëtore, e cila do t’i bashkëngjitet ndërmarrjes ‘Trepça’, do të stabilizojë dukshëm ndërmarrjen në shume aspekte, duke filluar nga gjendja e rëndë financiare, si dhe problemin e kuadrove të nevojshme”, ka thënë Syla, sipas të cilit për shkak të moshës së vjetër mesatare shumë të lartë në ndërmarrjen “Trepça” në vazhdimësi lirohen vende të reja të punës nga pensionimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore.

Gazeta “Zëri” ka provuar të vërë kontakt me drejtorin menaxhues të “Trepçës”, Basri Ibrahimi, por ai është nuk ka qenë i qasshëm./ZERI