'Newko Balkan'-i pretendon se i është anuluar padrejtësisht tenderi nga KEK-u

'Newko Balkan'-i pretendon se i është anuluar padrejtësisht tenderi nga KEK-u

Aktuale February 27, 2020 - 08:35
Image

Industria e gomës dhe kimike “Newko Balkan”-i është duke pretenduar se i është bërë padrejtësi gjatë anulimit të tenderit nga KEK-u për “Furnizim me shirit transportues dhe gomë-pëlhurë”. Ndonëse ky operator u shpall fitues i këtij tenderi, pas ankesës së operatorit të dytë ekonomik NTP “SNR”, Prishtinë”, ky tender u anulua me pretekstin se kompania në fjalë ka dhënë informata të gabuara përmbajtjesore gjatë paraqitjes së dokumentacionit, shkruan gazeta "Zëri".

Tenderi i shpallur nga Korporata Energjetike e Kosovës për “Furnizim me shirit transportues gomë-pëlhurë” e ku fitues i tij u shpall kompania vendore nga Suhareka “Newko Balkan LLC”, ka bërë që po i njëjti tenderi të kthehet për rishqyrtim edhe për pesë herë të tjera në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Si palë e pakënaqur ndaj vendimit të KEK-ut doli të jetë operatori ekonomik NTP “SNR”, Prishtinë. Ky operator dërgoi ankesë tek OPSH-ja me pretendimin kinse KEK-u ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme duke dhënë tenderin për kompaninë nga Suhareka. Në raportin e nxjerrë më 23 shtator të vitit paraprak nga eksperti profesional i prokurimit u propozua që ankesa e operatorit ekonomik “SNR” të refuzohet, pasi pretendimet ankimore janë të pabazuara. Rrjedhimisht nga KEK-u u kërkua që lidhja e kontratës me operatorin ekonomik “Newko Balkan” të vazhdojë. Me gjithë këto ankesa e kërkesa OSHP-ja pas disa shqyrtimeve të hollësishme ka kërkuar nga KEK-u të kërkojë sqarime shtesë nga kompania e kontraktuar. Këto sqarime ndërkohë u kërkuan nga kompania suharekase teksa kjo Korporatë pas disa rishqyrtimeve konstatoi se “Newko Balkan” ka dhënë informacione përmbajtjesore të gabuara gjatë paraqitjes së dokumentacionit. Vendimi, i cili e ka nënshkrimin dhe vulën e kryesuesit të Panelit Shqyrtues, Blerim Dina, u përcoll edhe me një këshillë juridike që kundër këtij vendimi nuk është e lejuar ankesa dhe se pala e pakënaqur me kërkesëpadi mund t’i drejtohet Gjykatës Themelore në afat prej 30 ditësh nga data e pranimit të vendimit.

E pakënaqur nga ky vendim është kompania, së cilës i është marrë tenderi, pasi po pretendojnë se në çdo procedurë nga hapja e tenderit kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore.

Në anën tjetër “Zëri” ka kërkuar sqarime me shkrim edhe nga KEK-u për krijimin e kësaj situate, por zyrtarët përgjegjës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Shala: Anulimi i tenderit, i padrejtë

Drejtori i përgjithshëm i “Newko Balkan LLC”, Muhamet Shala, i ka thënë gazetës se vendimi për anulimin e tenderit që i është dhënë kompanisë, të cilën ai e udhëheq është i padrejtë. Ai ka pretenduar se kompania në fjalë i ka përmbushur të gjitha kriteret ligjore dhe procedurale në përputhje me kriteret e vëna nga autoriteti kontraktues, pra KEK-u. “Vitin e kaluar në mars është shpallur tenderi i ri po ashtu për periudhë trevjeçare dhe në këtë rast ne kemi qenë me çmimin më të volitshëm, diku rreth 82 mijë euro çmim më i ulët sesa kompania vijuese, që ka qenë më të përafërt me ne”, ka thënë ai.

Pavarësisht se e pranoi që nga KEK-u janë vërejtur disa lëshime gjatë aplikimit të kësaj kompanie për tender, Shala pohoi se të njëjtat sqarime janë dhënë brenda ditës dhe në përputhje me bazën ligjore. “Gjatë fazës së ekzaminimit të dokumentacionit, të krahasimit të tenderëve dhe të shpalljes së tenderuesve fitues, KEK-u ka vërejtur që në dokumentacionin tonë gjatë përshkrimit të numrit të tenderit në tri dokumente është bërë lëshim dhe është shënuar numër jo i saktë i tenderit dhe kanë kërkuar sqarime, e çfarë realisht në bazë të Nenit 59 të ligjit ka të drejtë të kërkojë sqarime. Ne brenda ditës i kemi dhënë sqarimet dhe KEK-u na ka shpallur si fitues”, ka thënë ai.

Drejtori ekzekutiv i “Newko Balkan”-it ka pohuar se e gjithë kjo situatë është krijuar pas ankesës që ka bërë tek OSHP-ja operatori i dytë ekonomik e që në këtë rast ka qenë NTP “SNR”- Prishtinë. “Ka pasur ankesa prej një operatori tjetër. Lënda ka shkuar në OSHP, është kthyer prej OSHP-së te KEK-u në rivlerësim e ku prapë ka vazhduar kjo procedurë për herë të dytë e kështu tutje. E gjithë kjo me motivacionin se në dokumentacionin dhe sqarimet që janë dërguar nga ‘Balkan’-i janë dokumente të reja, pra pas hapjes së tenderit. Faktikisht nëse të kërkohet një sqarim pasi të hapet tenderi në mënyrë decidive ligji e përcakton, se nëse komisioni gjatë shqyrtimit të dokumentacionit has në paqartësi ai ka të drejtë të kërkojë sqarime përveç nëse ka të bëjë me shkelje”, ka thënë ai.

Shala: Ne kemi pasur çmim më të ulët

Muhamet Shala, nga “Newko Balkan”-i, ka komentuar edhe çmimin me të cilin kanë garuar në tender. Sipas tij, kjo kompani ka pasur edhe çmimin më të ulët. “Për çmim nuk ka sqarime, domethënë nuk lejohet teksa për dokumentacione tjera komisioni ka të drejtë të pyesë. Për herën e katër lënda është kthyer prapë për rivlerësim në KEK. Ne e kemi bërë një ankesë. Të them të drejtën, komisioni i njëjtë i cili ka vendosur më 2016-n është edhe tash. Absurditeti më i madh është se atëherë në emër të çmimit më të lirë tenderi i është dhënë operatorit ekonomik tjetër edhe përkundër asaj që ka pasur mungesë të dokumentacionit. Tash çmimi më i lirë nuk po kryen punë edhe përkundër faktit që çdo gjë është bërë në mënyrë ligjore, në bazë të ligjit janë bërë të gjitha korrigjimet që janë kërkuar prej autoritetit kontraktues, pra prej KEK-ut”, ka thënë ai.

Duke folur mbi procedurën që është ndjekur deri te heqja e “Newko Balkani”-it si kompani kontraktuese, Shala tha se në Kosovë mungon një ligj, i cili i mbron prodhimet vendore. “Ne kemi rënë në pozitë shumë të vështirë, se çfarë do të bëjmë dhe se a do ta dërgojmë prapë lëndën në Gjykatë, ku duhet pritur 7-8 vjet që Gjykata të marrë vendim. Kjo ndërmarrje është prodhim vendor. Të gjitha shtetet përreth i mbrojnë prodhimet vendore. Këtu pavarësisht se nuk ekziston ligji për prodhimet vendore, ato po destimulohen në një mënyrë. Kjo problematikë nuk është duke na penguar vetëm neve, por edhe kompanive të tjera”, ka thënë ai. /ZERI