Lavrov: Rusia mbështet një zgjidhje për të cilën pajtohen Prishtina dhe Beogradi

Lavrov: Rusia mbështet një zgjidhje për të cilën pajtohen Prishtina dhe Beogradi

Aktuale February 26, 2020 - 14:33

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, tha se Rusia do të pranojë çdo zgjidhje për Kosovën që është e pranueshme për Beogradin dhe Prishtinën.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë në Moskë, në cilësinë e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Lavrov kërkoi zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks të veçantë atë për krijimin e Asosacionit të Komunave Serbe, për moszbatimin e së cilës i fajësoi autoritetet e Prishtinës.

“Ka një sërë marrëveshjesh të arritura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë krijimin e Asosacionit të Komunave Serbe. Krijimi i Asosacionit do të ishte një hap më përpara për të siguruar respektimin e të drejtave të serbëve në Kosovë. Marrëveshja është arritur së paku gjashtë vjet më parë. Prishtina refuzon të respektojë detyrimet”, tha Lavrov.

Shefi i diplomacisë ruse u shpreh kritik edhe ndaj Bashkimit Evropian, që si ndërmjetësues i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka arritur të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vuri theksin tek qëndrimet e kundërta që kanë Shqipëria dhe Rusia për çështjen e Kosovës.

Ai tha se procesi i dialogut duhet të riniset dhe se kur bëhet fjalë për marrëveshjet e arritura deri më tani, palët në vazhdimësi e kanë fajësuar njëra tjetrën për moszbatimin e tyre.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur në vitin 2011. Por, bisedimet u ndërprenë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.