Shatri: Për teka të ekzekutivit të mos ndërpriten projektet e qeverive të kaluara
Foto: Laura Hasani

Shatri: Për teka të ekzekutivit të mos ndërpriten projektet e qeverive të kaluara

Aktuale February 25, 2020 - 08:20
Image

Vendimi për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit dhe ai për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” janë ndër projektet më të përfolura në vend për sa i përket kostos së lartë të shpenzimit dhe kahjes që u është dhënë këtyre dy projekteve. Të njëjtat vazhdimisht janë kritikuar edhe nga opozitarët, që tanimë janë në ekzekutiv, teksa sipas njohësit të çështjeve ekonomike Haki Shatrit ato duhet të vazhdojnë së realizuari përderisa nuk ekzistojnë shkelje procedurale, shkruan sot Zëri.

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, njëherësh edhe ish-këshilltar për çështje ekonomike i ish-kryeministrit Ramush Haradinajt, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë që projekti për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit duhet të vazhdojë. Duke folur mbi shkëputjen e disa vendimeve të marra nga qeveritë paraprake, Shatri ka theksuar se asnjë projekt nuk duhet të ndalet pa u bërë analiza të thella, duke përfshirë kështu edhe projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, njëherësh edhe ish-këshilltar për çështje ekonomike i ish-kryeministrit Ramush Haradinajt, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë që projekti për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit duhet të vazhdojë. Duke folur mbi shkëputjen e disa vendimeve të marra nga qeveritë paraprake, Shatri ka theksuar se asnjë projekt nuk duhet të ndalet pa u bërë analiza të thella, duke përfshirë kështu edhe projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Sipas tij, Qeveria e re në krye me Albin Kurti duhet të fokusohet në luftimin e disa faktorëve, që janë duke ndikuar në moszhvillimin ekonomik të Kosovës e që sipas tij janë duke ndikuar edhe në ikjen e investuesve të huaj nga Kosova. Për sa i përket synimit të ekzekutivit për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro, njohësi i çështjeve ekonomike theksoi se ende nuk është e qartë se për cilën pjesë të buxhetit bëhet fjalë. Sipas tij, nëse ky synim ka të bëjë me të hyrat buxhetore Qeveria do ta korrë këtë sukses qysh në vitin e parë të qeverisjes.

 Shumë probleme esenciale ekonomike të pazgjidhura

Zëri: Sa janë mundësitë reale të rritjes ekonomike në Kosovë në raport me premtimet e qeverisë “Kurti”?

Shatri: T’jua them të drejtën, kam parë disa premtime, që kanë qenë më shumë një prezantim me rastin e votimit të qeverisë, por program ende nuk kam parë e as shifra konkrete, në bazë të të cilave mund të deklarohem nëse janë të realizueshme ose jo. Janë disa premtime që janë pak më të përgjithësuara. Janë orientime, por programin ende nuk e kemi parë. Unë si qytetar i Kosovës do të isha shumë i lumtur në qoftë se këto synime të Qeverisë aktuale do të realizohen gjatë këtij mandati. Por si njohës i rrethanave ekonomike mund të them se Kosova është një vend që ka dalë nga lufta dhe në këto 20 vjet, pavarësisht rezultateve që i ka arritur në shumë fusha, ka ende shumë probleme esenciale të pazgjidhura e ku ndër to janë edhe shkalla e lartë e papunësisë, varfëria evidente dhe probleme tjera të infrastrukturës, të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, të marrëdhënieve tregtare me jashtë, eksporti i vogël, importi i madh dhe probleme të shumta, me të cilat ballafaqohemi në jetën e përditshme.

Zëri: Pse po vonohet miratimi i buxhetit për këtë vit?

Shatri: Nuk e fajësoj këtë qeveri për vonim të derisotshëm. Ndoshta do t’i kisha fajësuar për zvarritjen e konsituimit të qeverisë deri te marrëveshja, duke e ditur që jemi në një periudhë kur përfundon buxheti, pra më 31 dhjetor dhe fillon vitit i ri buxhetor, shteti ka nevojë për veprim. Brenda kësaj kohe, nga 3 shkurti Qeveria duhet t’i rregullojë shifrat e buxhetit në pajtim me synimet e veta. Buxheti e dimë që është instrument kryesor për t’i realizuar objektivat politike të një qeverie të caktuar. Në këtë kuptim edhe pse një draft i buxhetit ka qenë i përgatitur në afatet kohore të caktuara me ligj nga qeveria paraprake, edhe pse në dorëheqje, draftbuxheti më 31 tetor ka qenë i gatshëm nga Ministria e Financave dhe nga qeveria. Mirëpo qeveria nuk ka pasur të drejtë ta aprovojë atë, pasi ka qenë në dorëheqje.

Qeveria në dorëheqje nuk ka të drejtë të marrë vendime, të cilat efektin e tyre e shtrijnë në mandatin tjetër qeverisës. Buxheti dihet që është me efekt gjatë tërë vitit, pra deri në fund të vitit buxhetor 2020. Por ky mandat qeverisës i ka synimet tjera. Pos të tjerash, vetëm rregullimi teknik i buxhetit me rastin e fuzionimit të ministrive ka shumë punë dhe kërkon angazhim, sepse nuk janë bashkuar thjesht një ministri me një tjetër, por ato janë përshtatur me disa drejtori, disa departamente me një ministri, disa me një ministri tjetër ose në disa ministri dhe aty kërkohet shumë angazhim. Nga Departamenti i Buxhetit të Ministrisë së Financave kërkohet që këto shifra t’i harmonizojë në pajtim me mundësitë buxhetore.

Të shohim prej sot e tutje se sa po vonohemi. Po flas për aspekte teknike dhe jo për ato përmbajtjesore. Të shohim se çfarë po ndryshojnë në kuptimin përmbajtjesor të buxhetit për vitin 2020. Këtë nuk e kemi parë ende dhe nuk e di, sepse nuk kemi ndonjë gjë të shkruar ose dokument, ku mund të bazohemi për vendimet e kësaj qeverie drejt ndryshimeve në raport me draftin paraprak të buxhetit.

Buxheti mund ta kapë shifrën 3 miliardë euro

Zëri: Duke parë gjendjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë, a ka gjasa reale të përmbushet synimi për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro?

Shatri: Aspektin e prononcimeve dhe të deklarimeve të ekonomistëve e njoh mirë, edhe mundësinë për ta manipuluar opinionin ekonomistët e kanë. Herë shfrytëzojnë shifra absolute e herë shifra relative, herë nuk i definojnë qartë se çfarë po mendojnë. Unë kam dëgjuar një deklarim që buxheti do ta kapë shifrën 3 miliardë. Por për cilin vit buxhetor bëhet fjalë, këtë nuk e kam dëgjuar. Nuk kam dëgjuar se a do të jenë të hyrat buxhetore 3 miliardë ose do të jenë shpenzimet buxhetore 3 miliardë, që është një dallim shumë i madh.

Opinioni i shkretë nuk e di këtë gjë ose e di vetëm një numër i kufizuar, që i kupton këto shifra. Buxheti, pra të hyrat me draftin ekzistues të qeverisë paraprake kanë qenë të parapara diku 2 miliardë e 500 milionë euro. Deklarimi është për 3 miliardë. Unë mendoj që buxheti në 3 miliardë, pra për të hyrat buxhetore, mund të kapë shifrat qysh në vitit e ardhshëm e jo në këtë vit dhe këtë duke u bazuar vetëm në disa veprime, që pritet të ndodhin dhe që duhet të ndërmerren nga Qeveria, pra luftimi i informalitetit ekonomik, i krimit ekonomik të organizuar, i evazionit fiskal dhe i veprime të tjera, që ndërlidhen po ashtu me korrupsionin. Në bazë të këtyre katër veprimeve të dobishme për vendin shumë lehtë mund të kapet shifra e tyre buxhetore në 3 miliardë në qoftë se punojmë sinqerisht dhe me përkushtim që t’i luftojmë këto katër dukuri negative, të cilat janë aktuale në vendin tonë. Kam edhe argumente për këto. Ne e dimë që evazioni fiskal është minimum 30%.

Në qoftë se është 30% në 7 miliardë do të thotë që ne po flasim për një informalitet në vlerë prej 2 miliardë. Në qoftë se kjo vlerë në dy miliardë do të formalizohet, pra pjesërisht ose vetëm 10% e informalitet zvogëlohet brenda një viti, kjo i bie që në 700 milionë brutoprodukt që ekziston në vend të tatimohet në një normë mesatare 10% dhe shohim që shifrat menjëherë lëvizin.

Sundimi i rendit dhe i ligjit, parakusht për kthimin e investimeve të huaja

Zëri: Çka duhet të bëjë Kosova urgjentisht dhe çka në etapë më të gjatë kohore për rikthimin e investimeve të huaja në vend?

Shatri: Problemi i parë është sundimi i rendit dhe i ligjit. Nëse kjo arrihet do të krijohet një parakusht i përgjithshëm për ardhjen e investimeve nga jashtë. Por ky nuk është i vetmi kusht. Ne duhet të krijojmë edhe rrethana të tjera lehtësuese në vend për të tërhequr investitorë të jashtëm. Në mesin e tyre është infrastruktura e ku në radhë të parë hyn infrastruktura ekonomike, energjia, rrugët, telekomunikimet e të tjera. Por ka edhe probleme të tjera, që përcillen, siç është mungesa e një strukture të caktuar profesionale të të rinjve, që u përgjigjet nevojave të ekonomisë. Pra jo vetëm një diplomë shkolle, fakulteti ose çfarëdo, por që është në pajtim me kërkesat e ekonomisë. E këso ka shumë, të cilat në një formë i kemi neglizhuar deri sot ose i kemi injoruar.

Zëri: Sipas jush, cili duhet të jetë prioriteti mbi prioritetet në kontestin e zhvillimit ekonomik të Kosovës?

Shatri: Puna e parë, mendoj se pjesën e buxhetit, i cili shkon për investime kapitale, ta shpenzojmë me kujdes, me rigorozitet dhe performanca e këtyre shpenzimeve të jetë në nivelin që është i barabartë, pra një euro e shpenzuar me një euro vlerë e krijuar në natyrë. Pra mjetet që jepen për investime nga buxheti të mos humbin ose të mos shkapërderdhen për shkak të ndikimeve të ndryshme korruptive, por të japin efektin e plotë. Nuk janë pak 700 milionë euro në vit për investime në një vend siç është Kosova me 1 milion e 700 mijë banorë dhe me një sipërfaqe relativisht të përqendruar.

Nevoja tjetër është që ne të sigurojmë kushte për të tërhequr investitorë. Kosova e ka faktorin njeri si faktor të zhvillimit, një strukturë shumë të përshtatshme, përgjithësisht të rinjtë, me një afinitet për punë dhe shkollim, po ashtu edhe për teknologji informative dhe për profesione të reja. I adaptojnë lehtë, u përshtaten lehtë kushteve të tregut dhe janë të gatshëm dhe shumë të angazhuar për të arritur diçka. Pasuri natyrore nëntokësore dhe mbitokësore kemi mjaft, pozitën gjeografike e kemi relativisht të mirë. Pra e vetmja gjë që na mungon është kapitali, për arsye se Kosova e ka një bazë të ulët të zhvillimit ekonomik, e cila nuk lejon të ketë një aftësi akumuluese më të madhe, pra të ndahen mjete që të zhvillohet më shumë, sepse gjithë atë që e prodhojmë e shpenzojmë.

Prodhimi është i vogël, ndërsa nevojat e popullsisë janë të nivelit që praktikisht nëse shikohen analizat dhe statistikat prodhimi është diku afër 7 miliardë, ndërsa konsumi pak më shumë. Ne nuk kemi mundësi të ndajmë nga prodhimi ynë një pjesë tepricë për ta investuar në të ardhmen. Kjo nënkupton se duhet të punojmë që të sigurojmë të hyra shumë nga investimet e jashtme ose nga donacionet, në mënyrë që ta zbusim këtë problem dhe të krijojmë kushte për një dinamikë të zhvillimit çfarë na duhet neve.

Nuk duhet të ndërpritet asnjë projekt pa analizë të thellë

Zëri: Çfarë mendoni ju z. Shatri, a duhet të ndërpritet realizimi i “Kosovës së Re” edhe me kushtin e pagesës së dhjetëra milionëve nga penalet e kontratave të dëmshme?

Shatri: Kontratat e dëmshme, çfarëdo qofshin ato, mendoj se duhet të ndërpriten posa të vlerësohen që janë kontrata të dëmshme. Unë mendoj se është gabim të ndërpritet diçka pa u analizuar a është e dëmshme ose jo. Ka një lloj tendence që çdo gjë e cila është ndërmarrë nga qeveritë e kaluara të ndërpritet kinse nga sot fillon çdo gjë. Unë mendoj se çdo gjë që konstatohet se është e dëmshme duhet të ndërpritet, por jo të ndërpritet symbyllazi vetëm pse e ka ndërmarrë dikush tjetër dhe sot duan të bëjnë diçka tjetër.

Një angazhim që ka qenë qysh në vitet 2006-2007 për “Kosovën e Re”, atëherë “Kosova C”, ka qenë shumë dëm që është ndërprerë, sepse tani ne do të kishim një kapacitet gjenerues prej 1000 megavatesh në orë e që Kosovën do ta pavarësonte dhe do ta bënte fuqi ekonomike në rajon. Energjia është faktori më i rëndësishëm edhe për zhvillim ekonomik, por edhe për siguri e për çdo gjë tjetër. Energjia është një faktor më kompleks sesa shpenzimi për drita ose për ekonomi. Ka shumë zëra për këtë versionin e ri të “Kosovës së Re”, por mendoj që është gabim të ndërpriten iniciativat pa u parë efektet e saj. Edhe shoqëria civile ka luajtur një rol negativ duke marrë fonde nga dikush për të bërë fushatë negative ndaj kapaciteteve tona energjetike. Kur ka rënë ai program pas një jave dikush tjetër ka paguar dhe janë ngritur zërat për heqjen e vendimit, duke pretenduar se është dëm për Kosovën.

Po flitet që do të jetë një çmim i lartë i energjisë me këtë kapacitetin e ri, por ende nuk e kemi parë konkretisht dhe ekspertë të kësaj fushe disi nuk ofrojnë diçka që opinioni e kupton lehtë. Ne e dimë që potenciali ynë e sidomos ata nëntokësorë të thëngjillit janë prej potencialeve më të mëdha që i ka Kosova. Tash flitet për gjëra të ndryshme, duke u përzier edhe faktori i mbrojtjes së ambientit e të tjera.

Autostrada e Dukagjinit duhet të realizohet

Zëri: Ju personalisht çfarë mendoni, a duhet të ndërtohet Autostrada e Dukagjinit me urgjencë apo duhet pritur?

Shatri: Unë mendoj që infrastruktura rrugore është një prej kushteve elementare të zhvillimit të një vendi në parim. Dukagjini është 40% e territorit dhe e popullsisë së Kosovës. Është pjesa më vitale edhe ekonomikisht, edhe si gjeografi. Do të thotë pjesa më pjellore e vendit, me begati e me popullsi vitale, me bjeshkë, me ujë, pra të gjitha pasuritë natyrore janë të përqendruara në atë pjesë, me përjashtim të thëngjillit. Iniciativa për të bërë një autostradë mendoj që ka qenë e mirë, duhet të realizohet. Krejt çka mua po më pengon është thjesht që sikur dikush më shumë për inat se pse dikush para nesh e ka bërë këtë projekt, sepse është i Dukagjinit dhe të rinjtë nuk janë të Dukagjinit, tash ndërrohet politika dhe se tani nuk duhet të realizohet ai projekt.

Nëse dikush dyshon që nuk ka fizibilitet në realizimin e një projekti si Autostrada e Dukagjinit le t’i fillojë hulumtimet, le të bëjë analiza, sepse ka ekspertë dhe njerëz të gatshëm që ndihmojnë në punë, por mos të presin me sëpatë një projekt që është përgatitur të zbatohet. Kjo është përgatitur që të zbatohet për 5 vjet, e përshkon një fushë që është thuajse përgjatë gjithë Dukagjinit, nga Istogu në Prizren, me një variant që në të ardhmen të lidhet nga Istogu me 30-35 kilometra me Mitrovicën dhe në fakt Kosova me këtë projekt në një mënyrë e përmbyll projektin e ndërtimit të rrugëve më të nevojshme. Këto të tjerat janë të dorës së dytë dhe në ndërkohë mund të riparohen./Zëri