Doktorit të shkencës nga Parisi i fshihen të dhënat e aplikimit nga UP-ja, reagon edhe ambasadorja franceze

Doktorit të shkencës nga Parisi i fshihen të dhënat e aplikimit nga UP-ja, reagon edhe ambasadorja franceze

Aktuale February 24, 2020 - 23:27

Faton Maliqi, që ka studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të telekomunikacionit në Evropë, sot nuk po gjen vend në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë se në konkurs, atij i janë fshirë të arriturat e tij.

Maliqi, i cili ka përfunduar studimet e doktoratës në Universitetin Paris-Sud, CentraleSupelec dhe CNRS në Paris nuk ka arritur të pranohet si profesor në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Prej 8 vitesh Maliqi ka ligjëruar si asistent në lëndët “Përpunimi digjital i sinjaleve” dhe “Përpunimi statistikor i sinjaleve dhe zbatimet”, dhe thotë se komisioni padrejtësisht ia mori këto dy lëndë dhe ia dha kandidates tjetër.

“Klanet e brendshme të fakultetit nën udhëheqjen e dekanit aktual, ia kanë marrë dy lëndë profesorit Ilir Limani dhe ja kanë dhënë në mënyrë arbitrare një kandidateje, pavarësisht se ajo nuk ka përvojë që t’i mbajë lëndët e kësaj lëmie. Që ta legjitimojnë këtë veprim ata e kanë hapur formalisht një konkurs”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Faton Maliqi.

Maliqi përveç tjerash, thotë se në raportin vlerësues komisioni ia fshehu arritjet e tij.

“Nuk kam besuar se Komisioni recensues nuk do të shkojë aq larg sa të fsheh tërësisht të dhënat e mija”, tregon Faton Maliqi.

Për rastin në fjalë, kishte reaguar edhe ambasadorja e Francës në Kosovë,  Maria- Christine Butel.

“Unë jam e shqetësuar të konstatoj se një profesor asistent për një periudhë prej 8 vjet,  posedues i një doktorate të një nga universiteteve kryesore të telekomunikacionit në Evropë, nuk mund të vazhdoj karrierën e  tij në universitet”.

RTV Dukagjini ka kërkuar përgjigjeje nga Dekani i Fakultetit të FIEK-ut Enver Hamiti, por ky i fundit nuk ka pranuar.