Dy persona në gjendje të rëndë nga gripi
Foto: Zeri

Dy persona në gjendje të rëndë nga gripi

Aktuale February 21, 2020 - 14:23

Dy persona janë në gjendje të rëndë, për shkak të gripit derisa 13 po marrin trajtim në Klinikën Infektive. Kështu ka bërë të ditur infektologu Valbon Krasniqi, i cili po ashtu ka konfirmuar se javëve të fundit kanë pasur një fluks më të madh të pacientëve me simptoma të gripit, shkruan gazeta "Zeri".

“Situata është nën kontroll. Javët e fundit kemi pasur një fluks më të madh të pacientëve me simptomat e gripit. Aktualisht kemi disa të sëmurë që janë të shtrirë duke u trajtuar në Klinikë. Kemi diku 12-13 raste që janë të shtrirë, dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe janë në kujdesin intensive, ndërkohë të tjerët janë në reparte. Ajo që bie në sy, këto ditët e fundit është se kemi pasur numër më të madh të pacientëve të prekur me virusin e grupit B. Sidoqoftë, kemi edhe me gripin A”, ka theksuar ai.

Sipas tij, influenca A është sëmundje e rëndë dhe mund t’ua rëndojë gjendjen shëndetësore personave që kanë sëmundje të tjera shëndetësore. “Influenca është një sëmundje e rëndë, megjithatë në numrin më të madh të rasteve gripi kalon në forma të lehta deri në mesatare, në disa raste mund të paraqitet edhe në forma të rënda dhe fatkeqësisht edhe me veçori fatale. Zakonisht rastet me gripin A që shkojnë në gjendje më të rëndë janë pacientët, të cilët paraprakisht mund të kenë pasur edhe sëmundje të tjera”, ka thënë ai.

Krasniqi ka deklaruar se më të rrezikuar nga gripi janë personat në moshë të shtyrë, fëmijët, gratë shtatzëna e personat me sëmundje të tjera, sidomos ata që vuajnë nga sëmundjet e mushkërive, të zemrës e të kancerit. Ai është shprehur se pret të ketë raste me grip sezonal edhe gjatë muajit mars. “Nga përvojat e mëhershme dhe duke ditur faktin se gripi është sëmundje sezonale e sezoni i dimrit zgjat deri nga fundi i muajit mars, është e pritshme që të kemi numër të rasteve edhe gjatë muajit mars, por në përgjithësi në Klinikë ne këtë situatë e vlerësojmë si diçka të zakonshme në sezonin që jemi tash”, ka thënë ai tutje.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend ka rekomanduar marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal. Sipas këtij Instituti, duhet të evitohen sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë, personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes, duhet të reduktohet numri i vizitave të familjarëve te personat e hospitalizuar e duhet të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz./ZERI