Albin Kurti paralajmëron shkarkime të reja

Albin Kurti paralajmëron shkarkime të reja

Aktuale February 20, 2020 - 16:34

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar edhe ndërrime të pushteteve tjera, përveç ndërrimit të ekzekutivit më 3 shkurt.

Teksa ka biseduar me të pakënaqurit e konkursit të fundit në Trepçë, të cilët edhe sot kanë qëndruar me orë të tëra para hyrjes së objektit të minierës, Kurti ka thënë se nuk mund ta rregullojnë situatën për një ditë apo për një javë.

“Më 3 shkurt është ndërruar vetëm qeveria, nuk janë ndërruar bordet dhe as menaxhmentet. Ne këtë nuk mund ta bëjmë për një ditë dhe as për një javë, por nuk do të ndalemi”, është shprehur Kurti.

“Nuk mjafton që në Republikën e Kosovës i vetmi pushtet që ndërrohet të jetë qeveria, por duhet të ndërrohen edhe pushtetet tjera”, ka theksuar ai.

Dje, qeveria e Kosovës i shkarkoi drejtorët e Telekomit të Kosovës, ndërsa po vazhdohet me shkarkime dhe shfuqizime tjera të vendimeve të qeverisë paraprake.