Cakaj: Nuk kam çështje të hapura me Haradinajn, por nuk rri i heshtur

Cakaj: Nuk kam çështje të hapura me Haradinajn, por nuk rri i heshtur

Aktuale February 19, 2020 - 22:07

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka folur për akuzat që ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ka bërë në drejtim të tij se kinse ka lobuar për shkëmbime territoresh.

Cakaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ai asnjëherë nuk ka lobuar ide të tilla.

“Unë nuk e kam mbështetur politikisht e as publikisht atë ide [shkëmbimin e territoreve]”.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë thotë se e shqetëson fakti që politikanët e Kosovës, përgjegjësitë e tyre karshi qytetarëve po i fshehin duke akuzuar Tiranën zyrtare.

“Ata po bëjnë mbulesë të përgjegjësive të tyre qeveritare me akuza ndaj Tiranës zyrtare”.

Cakaj thotë se Shqipëria nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Kosovës pasi nuk është në tavolinat e negociatave.

“Kushtetuta e Kosovës e thotë qartë që ndryshimet e mundshme të kufijve mund të kalojnë vetëm përmes ratifikimit në Kuvend”.

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, thotë se me Haradinajn nuk ka asnjë çështje të hapur dhe se do të ruaj raportet zyrtare me Kosovën.

“Por natyrisht karshi fakteve kokëforta, nuk mund të qëndrojë i heshtur”, deklaroi më tej Cakaj.