Qe tre vjet s’ka specializime, Qeveria i premton ato

Qe tre vjet s’ka specializime, Qeveria i premton ato

Aktuale February 18, 2020 - 15:11

Spitalet rajonale gjatë vitit të kaluar e po ashtu edhe gjatë këtij viti janë duke u ballafaquar me mungesë të stafit mjekësor. Nga spitali i Gjakovës është thënë për “Zërin” se pavarësisht se kanë hapur konkurse për rekrutim të personelit mjekësor, ka pasur raste kur askush nuk ka shprehur interes për t’u punësuar. Për problematikën e mungesave të stafit mjekësor në spitalet rajonale ishte rekomanduar që specializimet të jepen në bazë të nevojave, shkruan gazeta "Zëri".

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili ka qenë edhe drejtor i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ekrem Hyseni, ka thënë për “Zërin” se që më shumë se 3 vjet nuk ka pasur specializime në vend, andaj edhe ua kanë borxh mjekëve të rinj ato. “Ne do ta japim kontributin tonë në shëndetësi, e cila drejtpërdrejt është e lidhur edhe me ambientin, me cilësinë e ushqimit, të ujit e të ajrit. Të gjitha këto do të jenë detyrat me të cilat ne do të merremi. Detyrë jona do të jetë përmirësimi i furnizimit nga lista esenciale, e përmirësimi i shërbimeve të cilat ekzistojnë. Me përmirësimin e tyre ne e rrisim edhe besueshmërinë e qytetarëve ndaj shërbimeve shëndetësore dhe institucioneve shëndetësore”, ka thënë ai.

Hyseni ka deklaruar se është në interes që sa më shpejt të bëhen ndryshime, të cilat do të jepnin rezultate pozitive. “Këto do të jenë prioritet, por që nuk diskutohet se do të ketë edhe rrugës ndryshim të prioriteteve. Do t’i përshtatim shumë shpejt, aq sa është e mundshme, nevojat e qytetarëve për vitin 2020. Interesi është që sa më shpejt të bëhen ndryshime të cilat do të kishin dhënë rezultat dhe do të përmirësonin edhe besueshmërinë, shërbimin dhe jetën e qytetarëve në raport me institucionet dhe me shërbimet shëndetësore”, ka shtuar ai./ZËRI