Arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik  - sfidë për qeverinë “Kurti”

Arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik - sfidë për qeverinë “Kurti”

Aktuale February 18, 2020 - 14:09

Partitë qeveritare, LVV-ja e LDK-ja, dhe blloku opozitar në Kuvendin e Kosovës duhet t’i bashkojnë fuqitë për të bashkëpunuar për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë. Kështu ka deklaruar në një intervistë dhënë “Zërit” deputetja e Kuvendit të Kosovës Besa Gaxherri, e cila vlerëson se zhbllokimi i negociatave me Serbinë është një ndër sfidat më të mëdha të qeverisë “Kurti”, shkruan gazeta "Zëri".

Zëri: Znj. Gaxherri, cilat besoni se do të jenë tri sfidat më të mëdha që e presin qeverinë “Kurti” dhe cili besoni se duhet të jetë epilogu i tyre?

Gaxherri: Fatkeqësisht Kosova ka shumë sfida. Sfidë në vete është zhvillimi ekonomik, arsimi jocilësor në Kosovë, sfidë është shëndetësia përtokë në Kosovë dhe problem në vete është jo vetëm diplomacia, por si shtet kemi problem të pazgjedhur me fqinjin tonë, Serbinë. Këto janë sfidat, të cilat pavarësisht se ishin dashur të marrin kahe të zhvillimit ose pozitiv, shumë shpejt janë degraduar dhe kur e merr udhëheqjen e qeverisë sikur e fillon prej zeros. Fatkeqësisht edhe këtë mandat nuk guxojmë të themi se nuk është bërë asgjë në Kosovë, sidomos pas luftës ose pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Po, kemi institucione në Kosovë, një Kushtetutë që duhet respektuar, kemi zhvillime ekonomike dhe infrastrukturore, por kemi edhe ngecje. Këto reforma të brendshme, si: arsimi, shëndetësia, ekonomia, siguria janë më urgjente, të cilat LDK – LVV-ja i parashohin në programin e tyre dhe po them se na duhet t'i përvjelim mangët të punojmë dhe këto ndryshime të shihen.

Zëri: Ku gjendet Kosova në sferën ndërkombëtare?

Gaxherri: Politika ose diplomacia e jashtme është sfidë në vete. Ne e kemi para vetes një kërkesë urgjente të SHBA-së dhe të BE-së për ta rifilluar dialogun dhe kemi një situatë të brendshme, e cila është komplikuar sidomos me vënien e tarifës 100% ndaj Serbisë me të drejtë dhe kërkesën nga ndërkombëtarët që kjo tarifë të largohet për ta rifilluar dialogu. Dhe këtu në këtë pikë ne natyrisht se kemi probleme. Çështjet që janë nacionale dhe të rëndësishme për territorin e për sovranitetin e vendin dhe për popullin në përgjithësi nuk mund t'i kapitalizojë një parti politike ose dy, këto janë çështje për të cilat duhet të diskutojnë gjithë liderët e partive politike dhe me shumicë të vendosin si të shkojmë tutje. Nuk është lehtë fare, sepse jemi në një situatë tepër të vështirë ku ne nuk guxojmë me asnjë kusht ta humbasim besimin te partnerët tanë, siç është SHBA-ja dhe disa shtete të BE-së. Ne duhet të jemi të gjitha partitë politike të unifikuara rreth çështjes të mosprekjes së kufijve të Kosovës, pastaj të tjerat duhet t’i bëjmë bashkë me partnerët tanë./ZËRI