Pse Grenell s’e takoi Kurtin, s’ka përgjigje nga ambasada në Berlin

Pse Grenell s’e takoi Kurtin, s’ka përgjigje nga ambasada në Berlin

Aktuale February 17, 2020 - 18:29

Sa e mori postin e të parit të qeverisë, Albin Kurti paralajmëroi plotësimin e një kërkesë tash e gati dy vjeçare të ndërkombëtarëve, heqjen e taksës. Atë tha se do ta zëvendësojë me diçka më të rrezikshme – reciprocitetin. Qëndrim dyshues mbajti edhe për marrëveshjet e fundit të nënshkruara nën udhëheqjen e ambasadorit Richard Grenell. Këto veprime të të parit të qeverisë kanë bërë që ndërkombëtarët të distancohen nga ai gjatë konferencës së sigurisë në Mynih. Pse s’u takua me të dërguarin e SHBA-së për dialog, sot gjatë ditës kanë folur nga zyra e Grenell për Gazetën Express.

Me gjasë deklaratat për marrëveshjet e arritura me Serbinë e zëvendësimi i tarifës me reciprocitet, e lanë kryeministrin Albin Kurti që të kthehej nga Gjermania pa disponimin me të cilin e nisi qeverisjen.

Ende pa bërë 20 ditë në krye të ekzekutivit, ai u gjend para liderëve më të mëdhenj botërorë, në konferencën e Sigurisë në Mynih, ku për herë të parë përfaqësoi Kosovën si kryeministër.

Mirëpo, aty iu mbyllen dyert nga aleatët kryesor të shtetit, sekretari amerikan Mike Pompeo e Richard Grenell i dërguar i SHBA-së për dialog, me të cilin nuk zhvilloi asnjë takim.

Në vend të tij, Grenell vendosi që të shihet me Avdullah Hotin, zëvendësin e parë të Kurtit në qeveri.

Sipas këtyre burimeve, me deklaratat e tij të fundit për dy marrëveshjet e arritura me Serbinë, me insistimin e tij për tarifa ose reciprocitet, Kryeministri Kurti është futur në një kurs të konfrontimit direkt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Express sot gjatë ditës ka dërguar pyetje në zyrën e ambasadorit Grenell për të parë nëse me Kurtin nuk kanë pranuar që të takohen, ose nëse kjo ka lidhje me qëndrimet e tij të fundit, pas emërimit si kryeministër.

Mirëpo, në Berlin nuk kanë sqaruar nëse e kanë pranuar Kurtin në takim, e nëse kjo ka lidhje me deklaratat e tij. Ata nuk kanë dhënë qëndrim as për deklaratat e kryeministër për këto çështje.

“Ne nuk kemi ndonjë deklaratë të veçantë për ju në këtë kohë”, ka thënë zëdhënësi i Grenell, Dick Custin, pa pranuar që të flasë për atë se çka ndodhi në Mynih.

Se pse nuk është sqaruar me Grenellin sot e la pa e sqaruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

I pari i qeverisë tha se në Mynih ka mbajtur disa takime të rëndësishme, por, që nuk e përmendi arsyen se pse nuk është parë me të dërguarin për dialog, e sekretarin amerikan.

Para mediave, Kurti tha se asnjëherë nuk ka pasur më shumë takime me diplomatë e ndërkombëtarë

 “Unë kurrë nuk kam pasur më shumë takime me diplomat e politikanë ndërkombëtarë brenda dy ditëve sa në këtë fundjavë që e lamë pas dhe mbrëmë jam kthyer rreth mesnatës dhe sot kemi shënimin e 12-vjetorit të Pavarësisë. Ne në këto konferenca ndërkombëtare po bashkëbisedojmë me miq tanë me partnerë tanë me ata të cilët na kanë ndihmuar shumë dhe qeverinë e re dhe me durim po punojmë që të shpjegojmë pozicionet tona dhe t’i ndërtojmë urat të cilat janë të nevojshme për suksesin e përbashkët”, deklaroi ai.

Dje ndërkaq Express ka raportuar se Kurti ka takuar kryetarin e Komisionit për Siguri Kombëtare në Senatin amerikan, Ron Johson, mirëpo, që edhe ai i ka përcjellë porositë e SHBA-së.

“Në rast që dëshironi që qeveria të cilën ju e udhëhiqni të këtë raporte të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ju duhet menjëherë që ta hiqni taksën dhe të zbutni retorikën për dialogun”, i ka thënë Johnson Kurtit, ka treguar burimi i Gazetës Express, i cili ka njohuri për përmbajtjen e bisedës gjatë atij takimi.

I njëjti burim tha se që Johnson ia ka bërë të ditur kryeministrit të Kosovës që këto kërkesa nuk janë të vetëm një institucioni amerikan, por të të gjitha institucioneve relevante amerikane.

“Është qëndrim i përbashkët i Shtëpisë së Bardhë (Këshillit për Siguri Kombëtare), Departamentit të Shtetit dhe Pentagonit që të hiqet taksa, që të zbutet retorika”, i ka treguar Gazetës ky burim.

Me t’u emëruar kryeministër i Kosovës, por, edhe gjatë fushatës, Kurti ka premtuar se në qeveri do të hiqet taksa 100 për qind për produktet serbe e boshnjake, mirëpo, kjo do të bëhet vetëm kur të ushtrohet reciprocitet i plotë, ekonomik, politik dhe tregtar ndaj Serbisë.

Këtë qëndrim të tij me dyshim e kanë parë edhe në partinë e Isa Mustafës, madje vetë kreu i LDK-së, ka deklaruar se ky është një proces kompleks e me pasoja.