Anëtari i VV-së: kjo është e vetmja kartë e fortë e Albin Kurtit

Anëtari i VV-së: kjo është e vetmja kartë e fortë e Albin Kurtit

Aktuale February 15, 2020 - 22:20
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, ka thënë të mos bini pre e euforive të tipit: “Kurti shkatërron Serbinë”, apo “Kurti i dha shuplakë Vuçiqit”.

Ai ka thënë se Albin Kurti nuk ka synim të atillë. “Synimi i tij është e mira e popullit të tij, jo e keqja e tjetrit”, ka shkruar Zaimi në profilin e tij në Facebook.

“Politika e jashtme, si në qasjet realiste ashtu edhe në ato idealiste, nuk shtyhet përpara me “urra” e me slogane. Aty peshë luajnë faktorët ekonomikë, demografikë, ushtarakë, kampet e aleancat, vektorët gjeostrategjikë etj. si dhe argumentimet mbi të drejtën, historike, njerëzore, faktike në terren, qytetëruese etj”. 

Ai madje ka thënë se në shumë faktorë Serbia e ka peshoren ka vetja.

“…demografi, ekonomi e ushtri më të madhe se Kosova e Shqipëria edhe po të ishin bashkë, ka mbështetje të gjerë në ish-bllokun lindor dhe në disa faktorë të rëndësishëm brenda perëndimit, ka një traditë e rrjet të gjerë diplomatik etj. Po ashtu, në favor të saj luan edhe përçarja e moskoordinimi mes Prishtinës e Tiranës zyrtare, madje edhe diskordanca mes faktorëve institucionalë brenda Prishtinës. Për të mos folur për mungesën e traditës e instituteve, si dhe imazhin e keq prej pushtetarëve të përzier me krim e korrupsion”.

“Nuk mjafton as mençuria dhe mendimi strategjik i një individi apo i një grupi shqiptarësh përballë Serbisë, duke njohur rreshtimin nacionalist të akademisë së saj (me pak përjashtime intelektualësh të respektueshëm) dhe të instituteve e akademive nga vendet e fuqishme që e mbështesin”.

Zaimi ka treguar kartën e vetme të fortë të Albin Kurtit.

“E vetmja kartë e fortë e Albin Kurtit, është argumenti i të drejtave historike, aktuale e njerëzore të shqiptarëve. Albini ka të drejtën e popullit të tij dhe figurën e pastër personale për ta përfaqësuar atë të drejtë”.

“Ndihma që mund t’i jepet Albin Kurtit është vetëm duke rritur peshën dhe praninë e së drejtës dhe të drejtësisë, rreth tij e kudo ku ka shqiptarë. Forcimi i së drejtës te ne, te ajo çka jemi e çka bëjmë, në politikën e brendshme dhe në shoqërinë tonë, është forcim i Albin Kurtit jo si individ, por si tezë e politikës së jashtme kundër vektorëve të rrezikshëm për shqiptarët”.