Infektuar: 9869
Shëruar: 5480
Vdekur: 303
SHBA-ja këmbëngul në rinisjen e shpejtë të dialogut, Qeverisë nuk i ngutet
Foto: Laura Hasani

SHBA-ja këmbëngul në rinisjen e shpejtë të dialogut, Qeverisë nuk i ngutet

Aktuale February 14, 2020 - 07:50
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpeshtuar thirrjet për heqjen e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe pas formimit të qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka kërkuar largimin e tarifës 100 për qind dhe kthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve. Sipas tij, tanimë është koha që mes Kosovës dhe Serbisë të krijohen raporte normale, të cilat në fokus kanë njohjen reciproke mes dy shteteve, shkruan sot gazeta
Image

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, ka kërkuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Përmes një letre, e cila ka ardhur në adresë të Kurtit pak pas votimit të Qeverisë, Pompeo ka thënë se heqja e tarifës 100 për qind do të jetë e rëndësishme për kthimin e palëve në tryezën e bisedimeve.

Në anën tjetër, ditë më parë kryeministri Kurti ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës me masën e reciprocitetit, por nuk ka bërë të ditur se kur do të ndodhë një gjë e tillë. Por Kurti ka thënë se Qeveria nuk do të ngutet sa i përket rinisjes së procesit të negociatave, ndonëse ka pohuar se ky proces nuk do të neglizhohet. Se dialogu me Serbinë nuk do të jetë çështje urgjente ka pohuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Haki Abazi. Sidoqoftë, gjatë një bisede për gazetën Abazi ka bërë të ditur se Qeveria është duke punuar rreth strategjisë për rikthimin e bisedimeve me palën serbe.

Pompeo: Heqja e taksës, hap i rëndësishëm për rikthimin e palëve në tryezë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit ta shfrytëzojë momentumin e krijuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në letrën, që Kurti ka pranuar nga Pompeo pak ditë pas zgjedhjes në krye të ekzekutivit, thuhet se heqja e taksës 100 për qind do t’i kontribuojë rikthimit të dialogut. “Heqja e tarifave për mallrat e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës do të jetë e rëndësishme për kthimin e palëve në tavolinën negociuese. Ne shpresojmë dhe presim që ju do ta bëni këtë gjë prioritet dhe do të përfitoni nga momentumi i krijuar pas dy letrave të qëllimit për të krijuar lidhje ajrore dhe hekurudhore në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, është shprehur Pompeo.

Derisa ka folur rreth njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, ai ka thënë se tanimë është momenti i duhur që të ketë raporte normale mes dy shteteve. “Tani është koha që të realizoni marrëdhënie normale me Serbinë, që kanë në qendër njohjen e ndërsjellë dhe e cila është thelbësore për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës. SHBA-ja do të qëndrojë afër jush për t’ju mbështetur në këtë proces”, theksohet në letrën e Pompeut, përmes së cilës sekretari amerikan ka uruar kryeministrin Kurti për formimin e qeverisë së re.

Edhe zyra për marrëdhënie me publikun e kryeministrit Albin Kurti ka njoftuar se ka pranuar një letër nga Pompeu, por në këtë njoftim është cekur vetëm se sekretari i Shtetit ka uruar kryeministrin për marrjen e detyrës, por nuk është përmendur fare kërkesa rreth taksës. “Në letrën e sekretarit të Departamentit të Shtetit i përcillet urimi popullit të Kosovës për zgjedhjet e suksesshme dhe demokratike, si dhe mirëpritet formimi i Qeverisë së Kosovës, duke shpresuar në bashkëpunimin e ngushtë për arritjen e qëllimeve të përbashkëta, siç janë sundimi i ligjit e normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Qeveria: Jemi duke punuar rreth strategjisë për dialogun

Pavarësisht faktit se SHBA-ja në vazhdimësi është duke kërkuar heqjen e taksës dhe rifillimin e procesit të dialogut, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se as nuk do ta neglizhojnë këtë proces, por as nuk do të nguten. “Nuk e neglizhojmë dialogun, nuk duhet të vonohemi për dialog, por nuk duhet as të ngutemi”, është shprehur Kurti para pak ditësh gjatë një deklarate për medie pas një vizite që pati në rajonin e Dukagjinit.

Se bisedimet me Serbinë nuk paraqesin temë urgjente ka pohuar edhe zëvendëskryeministri Haki Abazi, i cili megjithatë ka thënë se Qeveria është duke punuar rreth strategjisë për dialogun. “Siç ka thënë edhe kryeministri, jemi duke punuar në strategjinë, por dialogu nuk është urgjent. Gjithashtu do kohë për kujdesin e plotë të Qeverisë për mbarëvajtjen dhe për arritjen e njohjes së dyanshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithëkëtë Abazi nuk ka pranuar të japë detaje të mëtutjeshme rreth kësaj strategjie. “Nuk mund të them asgjë derisa jemi duke punuar. Unë mund të tregoj se jemi duke punuar strategjinë e dialogut, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme të njohjes së dyanshme mes Serbisë dhe Kosovës”, ka shtuar ai.

SHBA-ja kohët e fundit ka intensifikuar angazhimin për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë. Para pak muajsh presidenti amerikan Donald Trump ka emëruar ambasadorin Richard Grenell si të dërguarin special të SHBA-së për negociatat Kosovë - Serbi.

Dialogu, kërkohet krijimi i një grupi punues gjithëpërfshirës

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve për rinisjen e dialogut Kosovë - Serbi, politologu Belul Beqaj ka konsideruar se procesi i negociatave nuk duhet të jetë parësori i Qeverisë pa u arritur paraprakisht një qëndrim unik i bashkësisë ndërkombëtare rreth zgjidhjes përfundimtare mes Kosovës e Serbisë. Sipas Beqajt, paraprakisht duhet të bëhen të ditur edhe hapat që do të merren pasi të hiqet tarifa ndaj produkteve serbe. “Kjo nënkupton edhe sqarimin e strategjisë se cilat veprime duhet të pasojnë pasi të hiqet taksa si nga ana e Kosovës, ashtu edhe nga ajo e Serbisë. Çështja e njohjes së Serbisë është me rëndësi, por nuk është jetike për funksionimin e shtetit të Kosovës me kusht që pushteti vendor nuk është i korruptuar”, ka deklaruar ai.

Ndonëse presioni i SHBA-së për rinisje të bisedimeve është shtuar së fundmi, Beqaj ka konsideruar se dialogu me Serbinë nuk duhet të trajtohet me urgjencë. Përkundrazi, derisa Qeveria të mos konsolidohet plotësisht prioritet më i madh sipas tij duhet të jetë gjendja e vështirë ekonomike, drejtësia, arsimi dhe shëndetësia. “Ata që insistojnë se dialogu të jetë çështje urgjente, në fakt synojnë për ta rrënuar me shpejtësi urgjente këtë Qeveri me probleme të trashëguara dhe pa u konsoliduar funksionalisht”, ka potencuar ai gjatë një bisede për gazetën.

Pavarësisht tij, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka konsideruar se dialogu Kosovë - Serbi do të vazhdojë të mbetet prioritet i Qeverive, pavarësisht gatishmërisë ose preferencës së saj për ta trajtuar, ose jo atë si të këtillë. Në këtë drejtim sipas GLPS-së, qeveria “Kurti” duhet t’i ndërmarrë menjëherë hapat e duhur për të prodhuar pajtueshmëri të gjerë politike ndërmjet të gjitha grupeve parlamentare me qëllim të unifikimit të pozicioneve negociuese të Kosovës në raport me Serbinë. “Për ta bërë këtë, kjo qeveri duhet ta trajtojë nevojën për krijimin e një grupi punues gjithëpërfshirës, në të cilin ftohen të marrin pjesë aktivisht përfaqësues të lartë të të gjitha partive parlamentare”, thuhet në konstatimin e GLPS-së./ZËRI

Qëllimi kryesor sipas kësaj organizate duhet të jetë që nëpërmjet konsultimeve gjithëpërfshirëse të përcaktohen dhe përpilohen parimet dhe kufizimet e kornizës negociuese (platformës) që rregullon pozicionet negociuese të Republikës së Kosovës në dialog. “Në të njëjtën kohë qeveria ‘Kurti’ menjëherë duhet të definojë kuptimin, përmasat, si dhe metodat e politikave reciproke karshi shtetit serb, sidomos në rrafshin politik. Ngjashëm duhet ta qartësojë propozimin për dialog të brendshëm me komunitetin serb në kuptim të modelit të tij, kornizës përmbajtjesore dhe afatit kohor. Qeveria ‘Kurti’ duhet ta ketë parasysh që presioni për të rifilluar dialogun do të rritet ndjeshëm pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi në fund të muajit mars”, theksohet në komunikatën e GLPS-së.

Dialogu me Serbinë është ndërprerë pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia. Ky vendim u mor më 21 nëntor 2018 nga qeveria e kaluar e Kosovës, e cila udhëhiqej nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.