Infektuar: 9869
Shëruar: 5480
Vdekur: 303
BE po shpik kritere për vizat – liberalizimi vështirë i arritshëm

BE po shpik kritere për vizat – liberalizimi vështirë i arritshëm

Aktuale February 12, 2020 - 18:22

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ka nisur qysh në vitin 2010, ndërsa sinjalet që dërgohen tani nga vendet e Bashkimit Evropian flasin për skepticizëm që kjo të realizohet së shpejti. Ndërkohë, premtimet e politikanëve kosovarë për liberalizim vizash nuk kanë pasur të ndalur.

Përderisa Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën, Këshilli i Ministrave i BE-së ende nuk e ka bërë këtë, për shkak se disa nga vendet anëtare të BE-së konsiderojnë se Kosova nuk e ka përmbushur kriterin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë.

Presidenti, Hashim Thaçi së fundi është shprehur i zhgënjyer me Bashkimin Evropian pasi sipas tij, po përdorin standarte të dyfishta në raport me Kosovën.

Se problemi qëndron te Bashkimi Evropian, e thotë edhe profesori i të Drejtës Evropiane, Avni Mazreku.  Sipas tij, edhe pse raporti i Komisiont Evropian thotë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret, pozicioni i BE-së mbetet i paqartë.

“Gjithmonë kur është në pyetje vendimmarrja nga ana e Brukselit ka shtyerje të pakuptueshme përveç faktit se pesë shtetet anëtare të BE-së mund ta bllokojnë procesin. Rasti i marrjes së vendimit për viza merret pas një sistemi të votimit i cili quhet sistem i shumicës së kualifikuar. Ky sistem nënkupton se duhet me votu së paku 55 për qind e shtetve anëtare në favor të një vendimi të tillë e këto 55 për qind të shteve anëtare përfaqësojnë 65 për qind të popullësisë”, ka thënë Mazreku për lajmi.net.

Ai thekson se kjo nuk do të thotë se Kosova nuk mundet me mrri këtë 55 përqindëshin e shteve dhe 65 përqindëshin e popullsisë. Por në cilindo rast katër shtete të vetme munden me përdorë një mekanizëm i cili quhet mekanizëm bllokues.

“Së paku katër shtete munden me aktivizu këtë mekanizëm dhe këto duhet me përfaqësu së paku një popullësi prej 35 për qind të Bashkimit Evropian, në rastin e Kosovës kur janë pesë shtete të cilat nuk e kanë njohur nënkuptohet se nuk do të jenë në favor të një vendimi pozitiv për vizat. Përpos tyre, skeptike kanë qenë edhe shtetet që e kanë njohur Kosovën si rasti i Francës, Holandës, Çekisë dhe Polonisë. Vota e këtyre shteteve nuk është parashikuar si votë pozitive, prandaj BE duke e ditë se vendimi nuk do jetë pozitiv për Kosovën e trajton çështjen e liberalizimit të vizave si kontekst deklarativ duke e fajsu Prishtinën për mospërmbushjen e një kriteri të caktuar”.

Mazreku ka përmendur rastin kur Bashkimi Evropian vendosi si kriter demarkimin me Malin e Zi.

“Një kriter i tillë nuk është vendosur kurr në historinë e Bashkimit Evropian por është përdorë te ne,  është e ditur se ka qenë çështje politike pasi ka pas pengesa në arritjen e kësaj. Prandaj është vendosur si kriter që mos të mbetet faji në Bruksel por të mbetet në Prishtinë. Edhe në situatën aktuale është një lojë e BE-së në raport me Kosovën”, është shprehur profesori.

Ai ka shtuar se Kosova fillimisht duhet ta zgjidh problemin që e ka me BE-në. “BE nuk e njeh ende statusin e palës kontraktuale për Kosovën dhe gjithmonë kur është në pyetje vendimmarrja politike për Kosovën ata shpikin kritere”, ka përfunduar Mazreku.

Të martën u tha se raportuesi i Parlamentit Evropian për Samitin e Zagrebit, Tonino Picula, ka përgatitur projekt-rezolutën e këtij institucioni për procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit, bazuar edhe në metodologjinë e rishikuar të Komisionit Evropian.

Në këtë dokument u raportua se përmendet edhe çështja e liberalizim të vizave.

“T’i jepet Kosovës liberalizimi i vizave, meqë masat paraprake janë përmbushur”, kërkohet ndër të tjera në këtë projekt-rezolutë.