Kurti: Nuk ka përafrim nga LDK

Kurti: Nuk ka përafrim nga LDK

Aktuale January 28, 2020 - 22:54

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit të sotmë me drejtuesit e LDK ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e Quint-it, dha një deklarim për disa nga gazetarët që ishin prezentë.

Kurti është shprehur se takimi ka zgjatur pasi përkthimi për ambasadorët ka marrë kohë. Gjithashtu ka potencuar se nuk ka përafrim të pozicioneve nga LDK-ja, shkruan lajmi.

“Takimi ishte i gjatë meqenëse gjysma e takimit ishte përkthim për ambasadorët e QUINT-it dhe shefen e BE-së në Kosovë. Unë i falënderoj të gjithë ata për pjesëmarrje, që u janë përgjigjur ftesës sime, në mënyrë që për së afërmi të jenë të njoftuar me zhvillimet e fundit meqenëse interesimi i tyre është i madh. Në vend që të takohemi secili prej nesh ndaras, kishim një shancë të mirë që të takohemi të gjithë bashkë. Nuk ka përafërim të pozicioneve nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata insistojnë në propozimin e tyre të vjetër të datës 8 janar. Ne kemi bërë edhe dy propozime të tjera prej se e kemi dërguar emrin tim te Presidenti i Kosovës si person për Kryeministër të ri – janë propozimet e datës 24 janar dhe 27 janar. Mirëpo, për marrëveshje nevojitet përafrim i dyanshëm. Nuk mund të ketë përafrim të njëanshëm. Ne jemi afruar, mirëpo, nga ana tjetër, ka insistim vetëm në 8 janar, në stilin “merre ose lëre”. Me qasjen “merre ose lëre” nuk mund të arrijmë marrëveshje”, tha Kurti për gazetarët.

I pyetur se pasi kanë mbetur edhe një javë deri në seancën ku do të paraqitet kabineti qeveritar, a do të ketë takime me LDK-në dhe si do të përfundojë kjo?

“Unë përpjekjet nuk i ndali në shndërrimin e ndryshimit politik të 6 tetorit në ndryshim institucional në Republikën e Kosovës. Populli e ka thënë fjalën e vet, interesimi dhe gatishmëria ime kurrë s’ka qenë më e madhe për marrëveshje. Është e vërtetë që na kanë ngelur vetëm edhe një javë. Me vullnet të mirë dhe me punë të palodhshme, pa u kursyer, pa rezerva për asnjë gjë, kam qenë i hapur që të arrijmë marrëveshje, por, po them edhe njëherë, nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm. Afrimi i pozicioneve duhet të jetë i dyanshëm”, ka thënë Kurti.