Qendrave të mjekësisë familjare u mungojnë shumë mjekë

Qendrave të mjekësisë familjare u mungojnë shumë mjekë

Aktuale January 28, 2020 - 09:52
Sipas ligjit për çdo 10 mijë qytetarë duhet të jetë një specialist i mjekësisë familjare dhe dy infermierë

Edhe gjatë vitit 2020 mungesa e punëtorëve shëndetësorë do të jetë sfidë e institucioneve publike shëndetësore në vend. Pensionimi i mjekëve dhe ikja e tyre nga Kosova do ta vështirësojë edhe më shumë dhënien e shërbimeve shëndetësore, shkruan sot gazeta Zëri.

Për shkak të pensionimit të një pjese të profesionistëve shëndetësorë nga qendrat e mjekësisë familjare në vend është shprehur nevoja urgjente për rekrutimin e personelit mjekësor. Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Visar Shehu, ka shprehur nevojën për staf shtesë në qendrat e mjekësisë familjare. Ai ka thënë për “Zërin” se sipas ligjit për çdo 10 mijë qytetarë duhet të jetë një specialist i mjekësisë familjare dhe dy infermierë. Por që numri i stafit mjekësor në këtë komunë nuk është në proporcion me ligjin.

“Duke u bazuar në këtë proporcion sa i përket personelit mjekësor, neve së paku duhet të na rritet numri për 12%. Momentalisht numri maksimal i komplet stafit, duke përfshirë edhe administratën në Drejtorinë Komunale për Shëndetësi, është 475, numër ky i cili nuk mund të tejkalohet nga ana jonë. Për më tepër ky numër prej 475 është që nga viti 2001 kur KPSH-ja (Kujdesi Parësor i Shëndetësisë) në Prizren i ka pasur vetëm 26 njësi shëndetësore, ndërkohë që momentalisht që po flasim ne kemi 44 njësi shëndetësore”, ka deklaruar ai.

Për të evituar mungesën e stafit ai ka theksuar se kanë marrë hapa të tjerë si Drejtori. “Për të evituar këtë hendek ne si DKSH gjatë vitit 2019 kemi blerë shërbime shëndetësore përmes procedurës prokuruese në vlerë prej 248. 870.00 eurosh për 12 muaj. Me këtë ne tashmë i mbulojmë të gjitha njësitë shëndetësore me personel për herë të parë në komunën e Prizrenit, por kjo siç po e shihni ka kosto shtesë”, ka shtuar Shehu./Zëri.