Optimizmi i zbehur i Kurtit për arritjen e marrëveshjes me LDK-në

Optimizmi i zbehur i Kurtit për arritjen e marrëveshjes me LDK-në

Aktuale January 28, 2020 - 09:30
Prej nesër na mbesin edhe 8 ditë, diku deri më 4 shkurt

As tentativa e së hënës mbrëma nuk rezultoi e suksesshme për formimin e “Koalicionit të shpresës”. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti edhe pas një takimi treorësh dështuan edhe një herë në arritjen e marrëveshjes për qeverinë e ardhshme, shkruan Zëri.


Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, pavarësisht deklaratave të tij të mëhershme se koalicioni është gati të ndodhë, dje u shpreh më i rezervuar. Ai para se të mbahej takimi mes tij dhe Isa Mustafës të LDK-së u shpreh se nuk e di nëse do të arrihet të hënën marrëveshja, por që është optimist për këtë proces. “Se a do të arrijmë marrëveshje nuk e di, por jam optimist për arritjen e marrëveshjes”, deklaroi i pari i LVV-së.


Ndërkohë të dielën në një deklaratë jozyrtare Kurti, duke folur për gjasat e arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike, theksoi se në këtë parti ka dy lloje grupesh, ata që janë pro koalicionit dhe ata që janë kundër. “Nesër bëhet një javë që ne e kemi dorëzuar propozimin te LDK-ja. Prej nesër na mbesin edhe 8 ditë, diku deri më 4 shkurt. Nuk po jam mjaftueshëm i sigurt a po fitojnë ata që s’po duan të merren vesh hiç apo këta që duan të na e shtyjnë deri në fund? Ka prej tyre që duan të na e shtyjnë deri në fund marrëveshjen dhe ka prej tyre që nuk duan të merremi vesh hiç”, kishte thënë Kurti para qytetarëve të Pejës.
Në anën tjetër, i pari i LVV-së pas takimit 3-orësh me Mustafën zgjodhi të mos deklarohej për medie.