PDK: Qeverisja në Prishtinë, e dobët dhe joefikase

PDK: Qeverisja në Prishtinë, e dobët dhe joefikase

Aktuale January 27, 2020 - 10:16
Qeverisje të dobët dhe joefikase

Komuna e Prishtinës ka dështuar t’i përmbushë objektivat buxhetore të vitit paraprak. Sa u përket investimeve kapitale, nga Komuna është shpenzuar vetëm 40 për qind e buxhetit të paraparë, teksa kanë tepruar 30 milionë euro. Kuvendarët opozitarë akuzojnë ekskluzivisht për këtë gjendje kryetarin Shpend Ahmeti, shkruan gazeta Zëri.

Qeverisje të dobët dhe joefikase e ka konsideruar Leutrim Retkoceri, asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), atë të Shpend Ahmetit në Prishtinë. “Qeverisje joefikase ka Komuna e Prishtinës dhe e cila është qeverisje që realisht problemin e suficitit e ka prej 2013-s. Kemi një qeverisje të dobët dhe joefikase, çdo vit sjell bartje të buxhetit. Rreth 30 milionë euro janë tepruar këtë vit e më së shumti nga investimet kapitale”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ai u shpreh skeptik për mundësinë e ndryshimit të kësaj gjendjeje përgjatë 2020-s. “Vetë shifrat dhe se sa vite është kjo gjendje tregojnë që më së paku mund të jesh optimist se kjo qeverisje do të bëjë ndonjë zhvillim të dukshëm në investime kapitale ose në punë të mirë për qytetarët e Prishtinës. Për projekte kapitale shumë të nevojshme janë shkollat e së pari çerdhet, parqet për qytetarë, infrastruktura rrugore që është një ndër më të dobëtat në të gjitha komunat e Kosovës e që e ka komuna e Prishtinës e gjëra të tjera”, ka thënë ndër të tjera ai./Zëri.