Mundësitë e arritjes së koalicionit, përtej ultimatumeve
Foto: Laura Hasani

Mundësitë e arritjes së koalicionit, përtej ultimatumeve

Aktuale January 27, 2020 - 09:14
Në rast të arritjes së një marrëveshjeje bashkëqeverisjeje mes LDK-së dhe LVV-së Alija thotë se dy skenarë do të ishin të mundshëm

Ndonëse ishin zotuar se nuk do t’ia falin dakikun Lëvizjes Vetëvendosje pas ditës së diel, Lidhja Demokratike e Kosovës u step edhe një herë nga ultimatumi, që ia kishte vënë LVV-së për ta shqyrtuar ose për ta pranuar ofertën e tyre për bashkëqeverisje brenda javës që e lamë pas. Pavarësisht dallimeve të theksuara në mes tyre, të dyja partitë mbeten ende optimiste se “Koalicioni i shpresës” do të ndodhë, shkruan Zëri.


Kurse njohësi i çështjeve politike Rasim Alija për “Zërin” ka thënë se marrëveshja bashkëqeverisëse LDK – LVV duhet parë përtej ultimatumeve që dy partitë mund t’ia caktojnë njëra-tjetrës, sepse LVV-ja dhe LDK-ja kanë obligim elektoral që ta formojnë qeverinë në afatin optimal. “Marrëveshja për një koalicion dhe bashkëqeverisje ndërmjet LDK-së dhe LVV-së shkon përtej afateve që përcaktojnë këto subjekte politike. Pavarësisht deklaratave si produkt i presionit publik, LDK-ja dhe LVV-ja duhet t’i japin epilog çështjes së formimit të qeverisë. Sepse edhe e kanë obligim elektoral, por edhe duhet të dëshmojnë se janë subjekte të pjekura politikisht që vendosin veten e tyre përtej pozitave të caktuara shtetërore”, ka thënë Alija.

Kësisoj ai vlerëson se në rast të dështimi të koalicionit, efektet që do të prodhoheshin do të ishin rikthim në kohën e PAN-it dhe kontribuuese kryesore për këtë rikthim do të ishin LDK-ja dhe LVV-ja. “Pra alternativat që i kanë këto dy subjekte reduktohen në vetëm një e ajo është bashkëqeverisja”, është shprehur ai. Ndërkohë në rast të arritjes së një marrëveshjeje bashkëqeverisjeje mes LDK-së dhe LVV-së Alija thotë se dy skenarë do të ishin të mundshëm. Njëri skenar i cili si rezultat i mirëbesimit të ndërsjellë do të prodhonte qeverisje efikase mes tyre dhe në anën tjetër skenari i dytë ku dy partitë do të luftonin njëra-tjetrën brenda koalicionit.

“Në një skenar ku ndërmjet LVV-së dhe LDK-së do të mbizotëronte mirëbesimi dhe do të vihej në zbatim programi qeverisës për të cilin janë marrë vesh, edhe bashkëqeverisja do të mundë të prodhonte rezultate cilësore. Skenari i dytë është e kundërta e skenarit të parë, ku do të kishim dy qeveri paralele, një të LDK-së dhe një të LVV-së, të cilat në bashkëqeverisje do ta luftonin njëra-tjetrën, duke kalkuluar në frymën e zgjedhjeve. Do të shtoheshin mosmarrëveshjet nga brenda, do të hapej rruga për opozitën që t’i godasin më shumë dhe kjo do ta reduktonte qeverisjen LDK - LVV në të dobët e jocilësore dhe mbi të gjitha jetëshkurtër”, ka theksuar ai.
Alija vlerëson se varet prej këtyre dy subjekteve se cilin skenar do ta zgjedhin, të parin a të dytin, në rast se arrihet ndonjë marrëveshje./Zëri.