Masat, të cilat do ta përmirësonin cilësinë e ajrit në vend

Masat, të cilat do ta përmirësonin cilësinë e ajrit në vend

Aktuale January 27, 2020 - 08:34
Ekologë në vend disa herë janë shprehur të pakënaqur se për përmirësimin e cilësisë së ajrit nuk janë marrë masat adekuate

Ndotja e lartë e ajrit në Kosovë po vazhdon të rrezikojë shëndetin e qytetarëve, kësisoj vlerësohet se po shkakton qindra vdekje të parakohshme. Qytetarëve u bëhet thirrje t’i marrin masat mbrojtëse që të mos rrezikohen nga kjo ndotje e ajrit, shkruan sot gazeta Zëri

Ekologë në vend disa herë janë shprehur të pakënaqur se për përmirësimin e cilësisë së ajrit nuk janë marrë masat adekuate. Ekologu, Halil Ibrahimi, ka thënë për “Zërin” se duhet të shtohet presioni në industritë përreth Prishtinës e po ashtu edhe te KEK-u, në mënyrë që të veprojnë në pajtim me standardet ligjore për lirimin e ndotësve. Ai ka përmendur edhe avancimin e gjendjes së transportit publik, që do ta reduktonte numrin e makinave e do ta ulte cilësinë e ajrit të ndotur.

“Duhet të subvencionohen qytetarët që të mos përdorin për ngrohje mjete, të cilat ndikojnë dukshëm në ndotjen e ajrit. Në këtë kontekst nuk është zgjidhje thjesht ndalimi i përdorimit të thëngjillit pa u gjetur alternativat e ngrohjes. Një mënyrë tjetër se si mund të përmirësohet gjendja e ajrit në Prishtinë, por edhe gjetiu në Kosovë, është funksionalizimi dhe avancimi i gjendjes së transportit publik. Kjo do ta reduktonte numrin e makinave të përdorura dhe rrjedhimisht edhe do të kishim më pak ndotje të ajrit”, ka deklaruar ai.

Ibrahimi ka thënë se disa nga arsyet e ajrit të ndotur në vend janë edhe natyrore. Këtu sipas tij, luajnë rol edhe të reshurat. “Disa nga arsyet e ajrit të ndotur janë natyrore dhe nuk mund të ndikojmë fort në to siç janë: ekspozicioni gjeografik që pamundëson mosqarkullimin e ajrit, mungesa e të reshurave etj. Por ka shumë mënyra të tjera me anë të të cilave mund ta përmirësojmë kualitetin e ajrit dhe rrjedhimisht edhe shëndetin e banorëve të Prishtinës”, ka theksuar ai./Zëri.