Stepet LDK-ja, ia fal dakikun Vetëvendosjes
Foto: Laura Hasani

Stepet LDK-ja, ia fal dakikun Vetëvendosjes

Aktuale January 27, 2020 - 08:00
Lidhja Demokratike e Kosovës duket se ua ka dhënë edhe një shans bisedimeve për ndërtimin e koalicionit me LVV-në
Image

Ndonëse ishin zotuar se nuk do t’ia falin dakikun Lëvizjes Vetëvendosje pas ditës së diel, Lidhja Demokratike e Kosovës u step edhe një herë nga ultimatumi, që ia kishte vënë LVV-së për ta shqyrtuar ose për ta pranuar ofertën e tyre për bashkëqeverisje brenda javës që e lamë pas. Pavarësisht dallimeve të theksuara në mes tyre, të dyja partitë mbeten ende optimiste se “Koalicioni i shpresës” do të ndodhë, shkruan sot gazeta Zëri.

Bashkë me javën që e lamë pas u tret ultimatumi, të cilin kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ia kishte dhënë Lëvizjes Vetëvendosje për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për qeverisje. Nëse kjo nuk ndodh Mustafa e kishte paralajmëruar Kurtin se partia e tij do të tërhiqet nga negociatat. Mirëpo pavarësisht këtij afati kohor, Lidhja Demokratike e Kosovës duket se ua ka dhënë edhe një shans bisedimeve për ndërtimin e koalicionit me LVV-në. 

Kështu të paktën deklaroi nënkryetari i kësaj partie Lutfi Haziri, i cili të dielën theksoi se ditët janë të numëruara prejse koalicioni me LVV-në do të ndodhë. Ndërkohë kërkesë e LDK-së mbetet largimi i Glauk Konjufcës nga pozita e kryeparlamentarit dhe dorëzimi i kësaj pozite te LDK-ja deri në zgjedhjen e presidentit, kurse një gjë e tillë mbetet e papranueshme për LVV-në. E ndonëse kanë kaluar 113 ditë prejse u mbajtën zgjedhjet e 6 tetorit, mandatarit të partisë fituese të këtyre zgjedhjeve Albin Kurtit i mbeten edhe 8 ditë afat kushtetues që ta krijojë përbërjen e ekzekutivit të ri dhe atë t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës. Në të kundërtën kjo kompetencë i kalon partisë që doli e dyta në zgjedhje, pra Lidhjes Demokratike të Kosovës.

LDK-ja heq dorë nga ultimatumi, tash kërkon durim për bërjen e koalicionit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri ndonëse e ka konfirmuar takimin e së premtes mbrëma ndërmjet ekipeve të LDK- së dhe të Vetëvendosjes, ka theksuar se duhet ende durim deri në bërjen e koalicionit. “Mendoj se është çështje ditësh. Nuk kemi të bëjmë më me pritje më të mëdha. Kemi të bëjmë më shumë me vlerësime të brendshme. Edhe LDK-ja është me vlerësime të brendshme. Çdo ditë punon dhe angazhohet për këtë zgjidhje. Edhe Vetëvendosja është në konsultimet e saj të brendshme me struktura”, ka thënë Haziri të dielën.


Haziri po ashtu deklaroi se takimet mes dy liderëve do të ndodhin posa të ketë konsolidim të brendshëm të të dyja partive, që synojnë bashkëqeverisjen. “Takimet mund të ndodhin në momentin kur liderët vlerësojnë se është harxhuar nevoja e konsultimeve të brendshme dhe ka nevojë të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Apeloj të kemi edhe pak durim, sepse këto konsultimet e brendshme na mundësojnë të eliminojmë çdolloj pengese dhe çdolloj bombe të kurdisur të mandatit 4+, që unë e shoh një mandat më shumë sesa ky që po punojmë tash me një mirëbesim, sepse mirëbesimi duhet të ndërtohet dhe të ruhet gjatë qeverisjes”, është shprehur ai.

Nënkryetari i LDK-së tutje ka shtuar se partia e tij assesi nuk do të shndërrohet në plastelinë për t’i realizuar interesat e partive të tjera. “Ndërsa karshi opozitës së re, PDK, AAK dhe Nisma, do të tregojmë respekt. Por nuk do të lejojmë që LDK-në si organizatë politike dikush ta konsiderojë plastelinë që formohet si duan të tjerët, siç është thënë edhe nga disa funksionarë edhe të Vetëvendosjes. LDK-ja nuk do të jetë as si trampolinë politike për të realizuar aspirata politike, që disa të tjerë kanë menduar më herët. Ne u krijojmë hapësirë në dhomën tonë politike rivalëve për aq sa e meritojnë dhe për aq sa e respektojnë LDK-në, historinë dhe rolin e saj dhe duke e vlerësuar angazhimin politik të LDK-së”, ka thënë tutje Haziri.

Vetëvendosja është ende optimiste për koalicion me LDK-në

Edhe pse disa ditë radhazi është thënë nga zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje se këtë fundjavë do të ketë takime në mes të dyja subjekteve, një gjë e tillë nuk u konfirmua. Nga zyra për informim e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e kanë pohuar e as nuk e kanë mohuar se një takim i tillë është mbajtur ose do të mbahet sot. “Nuk kam informacion nëse do të ketë takim ose jo. Nga zyrtarë të të dyja subjekteve është thënë se këtyre ditëve do të ketë”, ka thënë për “Zërin” zyrtari për informim i LVV-së, Arlind Manxhuka.


Në anën tjetër pavarësisht afatit kohor që LDK-ja ia ka caktuar LVV-së për arritjen e koalicionit, deputetët e kësaj partie mbesin optimistë se marrëveshja për bashkëqeverisje do të ndodhë. Ndonëse ka thënë se për një qëndrim zyrtar të LVV-së duhet t’i drejtohemi zyrës për komunikim me media, deputetja e kësaj partie Mimoza Kusari-Lila ka thënë për “Zërin” se ajo personalisht beson se koalicioni do të arrihet së shpejti. “Pavarësisht atyre që kanë ndodhur deri këto ditë, prapë mendoj se ka hapësirë dhe mundësi të arrihet koalicioni. Ky është qëndrimi im personal”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Mundësitë e arritjes së koalicionit, përtej ultimatumeve

Kurse njohësi i çështjeve politike Rasim Alija për “Zërin” ka thënë se marrëveshja bashkëqeverisëse LDK – LVV duhet parë përtej ultimatumeve që dy partitë mund t’ia caktojnë njëra-tjetrës, sepse LVV-ja dhe LDK-ja kanë obligim elektoral që ta formojnë qeverinë në afatin optimal. “Marrëveshja për një koalicion dhe bashkëqeverisje ndërmjet LDK-së dhe LVV-së shkon përtej afateve që përcaktojnë këto subjekte politike. Pavarësisht deklaratave si produkt i presionit publik, LDK-ja dhe LVV-ja duhet t’i japin epilog çështjes së formimit të qeverisë. Sepse edhe e kanë obligim elektoral, por edhe duhet të dëshmojnë se janë subjekte të pjekura politikisht që vendosin veten e tyre përtej pozitave të caktuara shtetërore”, ka thënë Alija.

Kësisoj ai vlerëson se në rast të dështimi të koalicionit, efektet që do të prodhoheshin do të ishin rikthim në kohën e PAN-it dhe kontribuuese kryesore për këtë rikthim do të ishin LDK-ja dhe LVV-ja. “Pra alternativat që i kanë këto dy subjekte reduktohen në vetëm një e ajo është bashkëqeverisja”, është shprehur ai. Ndërkohë në rast të arritjes së një marrëveshjeje bashkëqeverisjeje mes LDK-së dhe LVV-së Alija thotë se dy skenarë do të ishin të mundshëm. Njëri skenar i cili si rezultat i mirëbesimit të ndërsjellë do të prodhonte qeverisje efikase mes tyre dhe në anën tjetër skenari i dytë ku dy partitë do të luftonin njëra-tjetrën brenda koalicionit, shkruan gazeta Zëri.

“Në një skenar ku ndërmjet LVV-së dhe LDK-së do të mbizotëronte mirëbesimi dhe do të vihej në zbatim programi qeverisës për të cilin janë marrë vesh, edhe bashkëqeverisja do të mundë të prodhonte rezultate cilësore. Skenari i dytë është e kundërta e skenarit të parë, ku do të kishim dy qeveri paralele, një të LDK-së dhe një të LVV-së, të cilat në bashkëqeverisje do ta luftonin njëra-tjetrën, duke kalkuluar në frymën e zgjedhjeve. Do të shtoheshin mosmarrëveshjet nga brenda, do të hapej rruga për opozitën që t’i godasin më shumë dhe kjo do ta reduktonte qeverisjen LDK - LVV në të dobët e jocilësore dhe mbi të gjitha jetëshkurtër”, ka theksuar ai.
Alija vlerëson se varet prej këtyre dy subjekteve se cilin skenar do ta zgjedhin, të parin a të dytin, në rast se arrihet ndonjë marrëveshje./Zëri