Spitali i Pediatrisë po ndërtohet, harrohet trajnimi i mjekëve të nevojshëm

Spitali i Pediatrisë po ndërtohet, harrohet trajnimi i mjekëve të nevojshëm

Aktuale January 24, 2020 - 08:13
Image

Derisa spitali Kirurgjiko-Pediatrik po ndërtohet, institucionet publike shëndetësore në vend nuk kanë përgatitur punëtorët shëndetësorë për të dhënë shërbime aty. Përgatitja e tyre thuhet se është dashur të bëhet më herët, pasi trajnimet marrin shumë kohë, shkruan sot gazeta “Zeri”.

Edhe pse ndërtimi i spitalit Kirurgjiko-Pediatrik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është paraparë të përfundojë këtë vit, shërbimet në këtë spital pritet të mos jepen menjëherë, pasi stafi mjekësor që është paraparë të punojë në të nuk ka marrë trajnime adekuate. Që në vitin 2018 ishte shprehur nevoja urgjente për t’i dërguar mjekët për trajnim jashtë vendit, por konsiderohet se një gjë e tillë nuk ishte bërë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Për spitalin e ri, në të cilin ishte paraparë të shtoheshin edhe shërbimet e reja, nuk do të ketë as kardiokirurg, pasi Kosova nuk e ka asnjë të tillë. Fëmijët, të cilët kanë probleme me zemër e që duhet t’u nënshtrohen intervenimeve, edhe më tej një gjë të tillë duhet ta bëjnë jashtë vendit.

Kujtojmë se në vitin 2016 ishte vënë gur themeli i spitalit Kirurgjiko-Pediatrik, por nga atëherë nuk kishte filluar ndërtimi i tij. Për ndërtimin e spitalit Emiratet te Bashkuara Arabe kishin dhënë donacion në vlerë prej 20 milionë eurove.

Mjekët s’janë trajnuar për spitalin e ri të Pediatrisë

Pediatri Ramush Beiqi ka thënë për “Zërin” se asnjë mjek nga Klinika e Pediatrisë nuk ka ndjekur trajnimet adekuate për të dhënë shërbime në klinikën e re. Derisa objekti po përfundohet, ai ka thënë se stafi nuk është gati. Sipas tij, Kosova vazhdon të mos ketë asnjë kardiokirurg, i cili do të jepte shërbime në këtë spital. “Sa unë e di, asnjë mjek nga Klinika e Pediatrisë deri më sot nuk ka shkuar për trajnim special, për punët e reja në Klinikën e Pediatrisë. Objekti ndërtohet, por stafi nuk është askund. Kryesore në këtë klinikë janë mjekët e infermierët, por që ata nuk janë dërguar për trajnim për klinikën e re. Klinika do jetë e re e njerëzit e vjetër”, ka theksuar ai.

Beiqi ka treguar se para dy vjetëve ka qenë urgjente që stafi të dërgohet për trajnime mjekësore jashtë vendit, por Ministria e Shëndetësisë nuk u ka bërë thirrje për të shkuar në shtetet tjera për trajnime. “Në tërë botën përgatitja e stafit mjekësor të lartë dhe të mesëm merr më së shumti kohë, ndërtimi i objekteve në gjithë botën bëhet kurdo. Para dy vjetëve ka qenë urgjente që të dërgohet stafi nëpër institucionet shëndetësore më të avancuara të Evropës për trajnim dhe për profilizim. Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë se mjekët kanë marrë thirrje”, por mjekët demantojnë Ministrinë duke pohuar se nuk kanë marrë fare thirrje.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë në QKUK, Drita Telaku-Qosaj, ka thënë për “Zërin” se nevojitet shtimi i numrit të punëtorëve shëndetësorë për spitalin e ri e sidomos shtimin e mjekëve për emergjencë në këtë spital. “Stafi i cili punon në repartet, të cilat kalojnë në spitalin e ri, do të kalojë së bashku me repartet. Ata janë duke punuar tani këtë punë, por nevojitet shtimi i numrit, sidomos i mjekëve për emergjencë pediatrike”, ka potencuar ajo.

Mjekët e huaj po i trajtojnë fëmijët kosovarë me sëmundje në zemër

Fëmijët me probleme në zemër janë ndihmuar nga organizata “Gift of Life Kosova”, që të gjejnë shërim jashtë vendit. Kryetari i kësaj organizate, Mazllum Belegu, ka thënë për “Zërin” se gjatë vitit të kaluar 33 fëmijë janë trajtuar në QKUK nga mjekët e ardhur nga Amerika. Sipas tij, ka pasur edhe fëmijë, të cilët janë dërguar jashtë vendit për shërim e që ka edhe fëmijë, të cilët po presin të dërgohen në shtetet tjera për t’u trajtuar. “Gjatë vitit që shkoi janë trajtuar 33 fëmijë, 28 janë trajtuar nga ekipi i mjekëve i SHBA-së në Klinikën e Kardiokirurgjisë së QKUK-së në javën e fundit të muajit gusht dhe edhe pesë të tjerë janë dërguar në Zvicër dhe në Angli përmes organizatës ‘Chain of Hope’ i Anglisë dhe ‘Gift of Life International’ i SHBA-së. Në këtë muaj ende nuk është dërguar asnjë fëmijë, por janë në pritje për të shkuar në SHBA edhe dy fëmijë. Ndoshta do të trajtohen muajin e ardhshëm”, ka thënë ai.

Belegu ka bërë të ditur se gjatë këtij viti në Kosovë do të vijnë disa ekipe mjekësore nga jashtë, të cilët do t’i trajtojnë fëmijët me probleme shëndetësore në vend. “Gjatë këtij viti do të vijnë në organizimin e ‘Gift of Life International’ tri herë ekipet, me fillim ose në fund të muajit mars dhe edhe dy herë të tjera më vonë, kur gjithsej do të trajtohen së paku 60 fëmijë, po ashtu në Klinikën e Kardiokirurgjisë të QKUK-së. Në ndërkohë ka mundësi të shkojë edhe ndonjë fëmijë tjetër në SHBA”, ka theksuar ai. /ZERI