E diela, afati i fundit për LVV-në
Foto: Laura Hasani

E diela, afati i fundit për LVV-në

Aktuale January 24, 2020 - 07:56
Image

Lëvizja Vetëvendosje ka kohë vetëm deri të dielën ta shqyrtojë ose edhe ta pranojë ofertën e fundit për bashkëqeverisje të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në të kundërtën, nëse nuk ka ndonjë dakordim, LDK-ja do t’i lëshojë rrugë LVV-së që të negociojë me ndonjë parti tjetër për bërjen e qeverisë, pavarësisht se ajo e sheh vetëm LDK-në si partnere, shkruan sot gazeta Zëri.

Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që deri këtë të diel të pajtohet me Lidhjen Demokratike të Kosovës për krijimin e qeverisë së re. Ky është afati i fundit, të cilin kreu i LDK-së Isa Mustafa ia ka dhënë LVV-së për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për qeverisje, sepse në të kundërtën partia e tij do të tërhiqet nga negociatat. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kërkuar që brenda këtij afati LVV-ja ta shqyrtojë edhe një herë propozimin e LDK-së për largimin e Glauk Konjufcës nga pozita e kryeparlamentarit dhe dorëzimin e këtij posti te LDK-ja deri në zgjedhjen e presidentit. Por nga Vetëvendosja oferta e LDK-së vazhdon të mos jetë e pranueshme. Ka më shumë se dy javë që palët nuk kanë zhvilluar takime për t’i dhënë mundësi krijimit të koalicionit. Sipas analistëve politikë, nëse Vetëvendosja nuk e respekton afatin e LDK-së dhe dështon marrëveshja opsioni i vetëm mbetet qeveria e pakicës, e përbërë nga Vetëvendosja, me votat e LDK-së, por pa të në koalicion. Më tutje jashtë ultimatumit treditor të LDK-së Albin Kurti ka 12 ditë afat kushtetues që të krijojë përbërjen e ekzekutivit të ri dhe atë t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës për votim.

LDK-ja e pret Vetëvendosjen vetëm deri të dielën

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës ia kanë kujtuar edhe një herë Lëvizjes Vetëvendosje që vetëm deri të dielën do t’i presin për përgjigje sa i përket ofertës së fundit që ia kanë paraqitur partisë së Kurtit.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se e diela nuk është ultimatum për Kurtin, por afati i fundit që ai të reflektojë karshi propozimit të LDK-së. “Ne mbetemi në qëndrimin tonë. Nuk ka lëvizje, por reflektimi i përket tani Kurtit, ai është mandatar dhe ashtu duhet të sillet. Oferta jonë mbetet dhe është shumë korrekte. Unë nuk kam dhënë ultimatume e as nuk po jap, porse deri të dielën e kemi caktuar afatin, në mënyrë që nëse nuk ka marrëveshje me ne, atëherë Kurti të ketë kohë për negociata të tjera”, ka deklaruar Muhaxheri.

Ndërsa anëtari tjetër i Kryesisë së LDK-së, Haki Rugova, nuk e ka mohuar mundësinë që partia e tij t’ia japë edhe një shans tjetër LVV-së për t’u takuar, në të cilin do të duhej të bënte kompromise. “Kërkesa jonë është të heqin dorë prej postit të kryeparlamentarit dhe të na ftojnë në takim, në mënyrë që të arrihet marrëveshja, në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga posti i kryeparlamentarit, për kompromise tjera duhet që t’u kthehen takimeve”, u shpreh Rugova.

LVV: Oferta e LDK-së nuk ofron zgjidhje

Ish-deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, ka theksuar se oferta e fundit e LDK-së për largimin e Glauk Konjufcës nga posti i kryeparlamentarit dhe dorëzimin e kësaj pozite te LDK-ja deri në zgjedhjen e presidentit është e papranueshme. Sipas tij, largimi i Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit nuk është zgjidhje për koalicionin me LDK-në. “Heqja e Glaukut nuk është zgjidhje. Është hap edhe juridik, edhe politik i koalicionit. Ata duhet të marrin vesh, t’i lexojnë gjërat kushtetuese, e di që ata e kanë bukur gazep këtë punë. Unë jam për zgjidhje dhe jo për zgjedhje, por të dyja variantet janë të hapura, të dyja kanë vend, edhe zgjedhjet, edhe zgjidhjet. Le të gjejnë rrugë gjithsesi”. Ai ka deklaruar se LDK-ja mund të kërkojë heqjen e Konjufcës nga kjo pozitë, por që një gjë e tillë është lojë me institucionet. “LDK-ja ta dijë se nuk ka lojë me institucione. Nëse ajo dëshiron le t’i heqë votat e veta dhe nënkryetarin, ne s’mund ta ndalim. Bëhet fjalë për institucionin, jo për njerëzit, tash nuk prishet kjo”, ka thënë Lajçi.

Pas të dielës nuk përjashtohet qeveria e pakicës

Meqë të dyja subjektet politike, LVV-ja e LDK-ja, deri më tani kanë deklaruar se nuk kanë opsione, përveç njëra-tjetrës, për bërjen e qeverisë, njohësit e çështjeve politike theksojnë se në rast të dështimit të marrëveshjes mes tyre opsion mbetet vetëm qeveria e pakicës.

Analisti politik Imer Mushkolaj thotë se nëse afatit të LDK-së Vetëvendosja nuk i përgjigjet pozitivisht krijimi i qeverisë mund të bëhet vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. “Sa i përket krijimit të qeverisë e kemi njëfarë afati që e ka vendosur LDK-ja deri në fund të javës për të marrë një përgjigje prej Vetëvendosjes. Deri më 4 shkurt përfundon ky 15-ditëshi kushtetues dhe nëse nuk ka marrëveshje, nuk e përjashtojmë mundësinë që Albin Kurti ta vendosë veten në votim. LVV-ja nuk e ka përjashtuar edhe këtë opsion, edhe pse nuk është opsion i preferuar, për shkak që mund të flisnim për një qeveri të pakicës, e cila nuk e di nëse do të mundë të ishte efektive”, ka thënë ai.

Në rast të dështimit të formimit të qeverisë Mushkolaj thotë se është në diskrecion të presidentit Hashim Thaçi të gjejë një zgjidhje. Kësisoj, ai thekson se pavarësisht që edhe LDK-ja ka deklaruar se nuk e sheh asnjë pati tjetër si partnere për qeverisje, një gjë e tillë nuk është jashtë mundësive. “Tash për tash qëndrimi i LDK-së është se ata nuk do të bëjnë marrëveshje me dikë tjetër nëse dështon kjo marrëveshje. Por unë nuk i besoj LDK-së, jo pse nuk dua t’i besoj, por për shkak që përvoja politike nga e kaluara na ka treguar që ata kanë votuar edhe ndryshe, mbetet të shihet se si do të veprojnë kësaj here”, u shpreh Mushkolaj. /ZERI