Grenelli liderëve kosovarë: Lërini përleshjet, fokusohuni në zhvillim ekonomik
Foto: Laura Hasani

Grenelli liderëve kosovarë: Lërini përleshjet, fokusohuni në zhvillim ekonomik

Aktuale January 24, 2020 - 07:43

Image

Duke përcjellë mesazhin e presidentit Donald Trump, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, u ka kërkuar politikanëve kosovarë që të gjitha forcat e tyre t’i fokusojnë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Grenelli gjatë vizitës së tij në Kosovë tha se nuk dëshiron të përfshihet në çështje politike, mirëpo specifikoi qartazi kërkesën e SHBA-së për heqjen e taksës, shkruan sot gazeta Zëri.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, gjatë vizitës së tij në Kosovë ka thënë se nuk dëshiron të përfshihet në çështje politike të vendit, mirëpo përmes takimeve me liderët e partive ai ka kërkuar heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe. Kësisoj ambasadori amerikan në Berlin ka thënë se kushdo qofshin udhëheqësit e qeverisë së re, ata duhet të fokusohen në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të reja të punës. “Ne do të punojmë me çdonjërin. Nuk jam i interesuar të përfshihem në çështje politike. Në njëfarë mënyre konfliktet politike kanë qenë problem për njëfarë kohe, por ajo që jemi të interesuar unë dhe presidenti Trump është si të gjejmë një zgjidhje për ta çuar përpara zhvillimin ekonomik. Ne kemi tentuar t’i bindim zyrtarët e qeverisë të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës dhe se si mund t’u japësh njerëzve të rinj punë e shpresë”, ka thënë Grenelli. Më tutje i ka quajtur normale debatet për formimin e qeverisë së re, mirëpo sipas tij liderët vendorë duhet të fokusohen në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në sjelljen e investitorëve të rinj, duke e ndjekur shembullin e SHBA-së. “Çfarë po përpiqem të bëj është t’i bindë industritë dhe bizneset të vijnë këtu. Unë nuk jam i shqetësuar për konfliktet politike. Realiteti është që edhe qeveritë evropiane kanë këto diskutime të ashpra rreth krijimit të qeverive. Shikoni Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë që kanë demokraci të avancuara e që kanë pasur diskutime të tilla. Unë nuk jam i shqetësuar për një gjë të tillë dhe as nuk mendoj se njerëzit duhet të shqetësohen për një gjë të tillë. Mendoj që njerëzit dhe politikanët duhet të shqetësohen për krijimin e vendeve të punës dhe për zhvillimin ekonomik. Njerëzit e rinj duan punë dhe jo konflikte politike”, ka thënë më tutje Grenelli.

“S’ka afat kohor për përmbylljen e dialogut, nevojitet kompromis”

Ndërkohë ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, në një adresim për medie u pyet edhe për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë. Për këtë Grenelli tha se nevojitet kompromis nga të dyja palët, por që, sipas tij, nuk ka ndonjë kornizë kohore e cila e përcakton përmbylljen e këtij procesi. “Çdokush duhet të bëjë kompromis. Ne nuk kemi ndonjë ide, ne vetëm kemi fuqinë për t’i bërë njerëzit bashkë. Nuk kam ardhur në tavolinë me ndonjë ide specifike se çfarë palët duhet të bëjnë. Në mënyrë konstante do t’i shtyj palët përpara, duke u thënë ‘ndaloni së shikuari prapa, le të shikojmë tek e ardhmja’. Sa më shpejt që ndalojmë së përplasuri, atëherë mund të kemi rritje të bizneseve, të rinjtë do të qëndrojnë në rajon dhe do të ketë shpresë për ta dhe për familjen e tyre këtu. Kjo është ajo që dua të shoh. Dua të shoh që partnerët tanë në Kosovë dhe në Serbi t’i lënë ndasitë politike në një anë dhe të rrisin ekonominë e tyre për njerëzit”.

Kurse i pyetur nga “Zëri” lidhur me arsyen kryesore të ardhjes në Kosovës, Grenelli ka thënë se në Prishtinë ka zbarkuar pas negociatave të suksesshme, të cilat rezultuan me zhbllokimin e hapësirës ajrore, që tashmë do të mundësojë fluturimet Prishtinë - Beograd pas 21 vjetësh.

Grenelli takon Kurtin dhe Mustafën, kërkon hapjen e vendeve të reja të punës
 

Ambasadori Grenell gjatë vizitës së tij në Kosovë, pos takimit që pati me të parin e Presidencës Hashim Thaçin, u takua edhe me kreun e Vetëvendosjes Albin Kurtin, si dhe me atë të LDK-së Isa Mustafën. Pas këtij takimi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh mandatar për të qeverisur Kosovën, ka konfirmuar se në këtë takim u diskutua për nevojën urgjente në zhvillimin ekonomik dhe në hapjen e vendeve të punës. “Prita ambasadorin amerikan Richard Grenellin sot në zyrë, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufcën dhe me deputeten Fitore Pacollin diskutuam nevojën urgjente për t’u përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe në hapjen e mundësive për punësim”, ka shkruar dje Kurti në rrjetet sociale. Në anën tjetër, Grenelli pas takimeve me Kurtin ritheksoi se nuk ka ardhur në Kosovë për çështje politike dhe as lidhur me krijimin e qeverisë, por ka ardhur për të diskutuar rreth mundësive për rritjen e vendeve të punës dhe për zhvillimin ekonomik.
Siç u deklarua në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, potencoi edhe në zyret e LDK-së se ai dhe SHBA-ja janë të interesuar ta zhvillojnë ekonominë kosovare e jo të përfshihen në çështje politike. “Dua të theksoj se administrata e Trumpit është shumë e lumtur dhe ka qenë e suksesshme në rritje të ekonomisë. Prandaj energjia këtu duhet rritur. Duhet rritur vendet e punës në Kosovë, në Serbi e në regjion”.

Ai shtoi se në takim është diskutuar se në një të ardhme të afërt do të punojnë edhe për projekte të reja. /ZERI