Meta ‘ankesë’ Venecias: Kuvendi tentoi rrëmbimin e kompetencave të Presidentit

Meta ‘ankesë’ Venecias: Kuvendi tentoi rrëmbimin e kompetencave të Presidentit

Aktuale January 23, 2020 - 15:55
Asnjë reflektim nga Kuvendi ndaj këshillave të Komisionit të Venecias!

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i është drejtuar Komisionit të Venecias “Për dhënien e një opinioni mbi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”

Meta i ka dërguar një letër presidentit të komisionit ku ndër të tjera thuhet se: Nëse rekomandimet e Komisionit të Venecias, kyç në arritjen e konsensusit unanim për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016, do të ishin zbatuar me përpikmëri, atëherë vendi nuk do të gjendej sot përpara kësaj krize sui generis. Është për të ardhur keq që institucioni kryesor i keqzbatimit të reformës në drejtësi është pikërisht Kuvendi, tashmë mono-partiak”.

Letra vijon më tej: “Vetëm dy muaj pas Opinionit të Komisionit të Venecias, Kuvendi i drejtohet sërish Komisionit më 30 dhjetor 2019 për një tjetër opinion. Qëllimi i pafshehur i Kuvendit është të tentojë sërish mbulimin e vendimit për shkarkimin e Presidentit nën siglën e Komisionit të Venecias, dhe kapjen politike edhe të Gjykatës Kushtetuese. Mungesa e bashkëpunimit nga Kuvendi i Shqipërisë me Presidentin e Republikës në këtë proces, është evidente dhe e mirëdokumentuar. Institucioni i Presidentit të Republikës është njohur lidhur me kërkesën që Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë i ka përcjellë Komisionit të Venecias vetëm përmes medias. Nga shqyrtimi i përmbajtjes së kësaj kërkese, konstatohet parashtrimi i njëanshëm i fakteve dhe rrethanave nga Kuvendi. Të dhënat thelbësisht të shtrembëruara dhe pyetjet vetë sugjeruese të Kuvendit orientojnë një lexim të gënjeshtërt të situatës”, raporton Tch.

Reagimi i Presidencës

Asnjë reflektim nga Kuvendi ndaj këshillave të Komisionit të Venecias!

Të dhënat e shtrembëruara dhe pyetjet vetësugjeruese të Kuvendit synojnë lexim të gënjeshtërt të situatës.

Presidenti dërgoi informacion të plotë të dokumentuar, dhe një listë pyetjesh që qartësojnë kushtetutshmërinë e veprimeve të secilit.

Përse kërkoi Venecia përcaktimin në Kushtetutë dhe ligj të rradhës së emërimeve?

Mosrespektimi i radhës a përbën shkelje të gërmës së Kushtetutës?

Cila dispozitë kushtetuese parashikon që një institucion të emërojë disa gjyqtarë kushtetues njëkohësisht?

Presidenti kërkoi vazhdimisht bashkëpunim dhe zbatim të Kushtetutës!

Mazhoranca refuzoi bashkëpunimin dhe çoi deri në fund skenarin e saj.

Kuvendi tentoi rrëmbimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit me qëllim kapjen e Gjykatës Kushtetuese!

Kur Qeveria, Kuvendi, të gjitha Bashkitë, Këshillat Bashkiakë dhe thuajse të gjitha institucionet e pavarura, janë në duart e një partie të vetme: a i shërben kapja e Gjykatës Kushtetuese interesit politik për t’iu shmangur kontrollit dhe llogaridhënies?

Shqipëria në çekuilibër të plotë të mekanizmave të kontrollit dhe balancës, rrezikon kapjen totale të shtetit!