Vetëvendosje: Nuk jemi vonë për ta lidhur koalicionin me LDK-në

Vetëvendosje: Nuk jemi vonë për ta lidhur koalicionin me LDK-në

Aktuale January 23, 2020 - 15:11
detaje

Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po shprehen optimiste se marrëveshja për bërjen e qeverisë mund të arrihet, ka dy javë që palët nuk kanë zhvilluar ndonjë takim në drejtim të lidhjes së këtij koalicioni, përderisa ditët për formimin e ekzekutivit të ri i kanë të numëruara, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse kanë kaluar më shumë se tre muaj e gjysmë nga zgjedhjet Lëvizja Vetëvendosje konsideron se ende nuk është vonë për ta arritur marrëveshjen bashkëqeverisëse me LDK-në, pavarësisht ultimatumit të saj që kjo çështje të marrë epilog brenda kësaj jave. Në një përgjigje për gazetën "Zëri" nga Lëvizja Vetëvendosje kanë theksuar se janë të gatshëm të kthehen në tryezën e negocimit me LDK-në deri në dakordim të plotë për bërjen e qeverisë.

“Marrëveshja tashmë do të duhej të ishte arritur. Jemi vonë, por jo vonë për të arritur marrëveshje. Pas letrës për përcaktimin e mandatarit për kryeministër te presidenti kryetari i Lëvizjes deklaroi për publikun se është detyrë para tyre që të kthehemi në tryezën e bisedimeve dhe për të qëndruar aty deri në gjetjen e ndonjë zgjidhjeje”, thuhet në përgjigjen e LVV-së.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta konsiderojë LDK-në si partnerin e vetëm potencial për të qeverisur me vendin.

“Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar që opsion të vetëm për koalicion ka Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në këtë linjë votuan edhe qytetarët e vendit më 6 tetor. LVV-ja është duke bërë përpjekje maksimale për ta jetësuar këtë vullnet të votuesve të shprehur në zgjedhjet e fundit, andaj për ne nuk ka opsion tjetër të koalicionit, pos atij me LDK-në”, thuhet më tutje në përgjigjen e LVV-së për “Zërin”.