Mustafa, ultimatum Kurtit
Foto: Laura Hasani

Mustafa, ultimatum Kurtit

Aktuale January 22, 2020 - 08:14
Lideri i LDK-së Isa Mustafa i ka dhënë afat prej pesë ditësh kreut të LVV-së Albin Kurtit.
Image

Kanë kaluar dy ditë prejse lideri i LVV-së Albin Kurti është emëruar mandatar për formimin e qeverisë së re, por ende nuk është caktuar ndonjë takim mes LVV-së dhe LDK-së për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Përkundrazi, lideri i LDK-së Isa Mustafa i ka dhënë afat prej pesë ditësh kreut të LVV-së Albin Kurtit, që të veprojë drejt marrëveshjes. Në të kundërtën ai ka paralajmëruar konstatim të dështimit të përpjekjeve të LVV-së e të LDK-së për bërjen e qeverisë, shkruan sot Zëri.

Lidhja Demokratike e Kosovë i ka dhënë ultimatum Lëvizjes Vetëvendosje të veprojë drejt marrëveshjes për bashkëqeverisje deri në fund të kësaj jave. Në të kundërtën, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se duhet të konstatohet se nuk ka kushte për arritjen e ujdisë mes këtyre dy subjekteve. Pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë së LDK-së, e cila u mbajt vetëm një ditë pasi presidenti i Kosovës Hashim Thaçi emëroi liderin e LVV-së Albin Kurtin mandatar për formimin e qeverisë së ardhshme, Mustafa kërkoi edhe një herë marrëveshje të balancuar nga Vetëvendosja. 

Në kuadër të kësaj ai përsëriti se oferta e fundit e Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet të shqyrtohet nga LVV-ja, në mënyrë që të vihet deri te marrëveshja. Por ky propozim, ku kërkohet që posti i kryeparlamentarit t’i jepet LDK-së deri në zgjedhjen e presidentit të ri, tashmë është refuzuar nga LVV-ja. Sidoqoftë, Mustafa nuk ka treguar dje nëse LDK-ja do ta votojë përbërjen e qeverisë së re po qe se ajo propozohet nga Vetëvendosja pa pasur një marrëveshje paraprake me LDK-në. Për ta prezantuar përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit Kurti ka afat 15 ditë nga dita kur është emëruar mandatar (20 janar).

LDK-ja insiston në qeveri të balancuar, kërkon shqyrtimin e ofertës ku kërkohet kryeparlamentari

Gjersa ka dhënë një afat të prerë për përfundimin e marrëveshjes LVV - LDK kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Vetëvendosja duhet ta trajtojë patjetër ofertën e fundit të LDK-së, në të cilën përmendet edhe çështja e kryetarit të Kuvendit. “Ne kemi dhënë një propozim, që kemi vlerësuar se është propozim shumë i balancuar e mendojmë që LVV-ja duhet ta trajtojë me vëmendje të veçantë. Mbesim të hapur të ulemi të bisedojmë, por që ajo ulje, ajo bisedë jona të ketë një përfundim sa më të shpejtë, mundësisht deri në fund të kësaj jave, në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht ultimatumit të bërë në drejtim të Vetëvendosjes, Mustafa ka thënë se LDK-ja mbetet e përkushtuar që marrëveshja finale për bashkëqeverisje me LVV-në të arrihet sa më parë. “Ne mbetemi të përkushtuar të punojmë për një marrëveshje, e cila respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Ne do ta respektojmë këtë dhe mendojmë që marrëveshja duhet ta vërë në pah një qeveri të balancuar dhe përgjegjësi të balancuara ndërmjet dy palëve, në harmoni me atë që qytetarët na e kanë dhënë besimin me votën e tyre”, ka theksuar Mustafa.

LVV-ja nuk e jep postin e kryeparlamentarit

Pavarësisht ofertës së LDK-së, përmes së cilës ka kërkuar postin e kryeparlamentarit deri në zgjedhjen e presidentit të ri, lideri i LVV-së Albin Kurti në ditën që është caktuar mandatar për formimin e qeverisë ka lënë të nënkuptohet edhe një herë se LVV nuk ia jep këtë pozitë LDK-së, pasi në këtë post tashmë është vendosur ish-shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca. “E kemi çliruar nga kapja udhëheqjen e Kuvendit, nuk është më aty ai pronto-kryeparlamentari, që shante e kërcënonte nga foltorja, por kryetari i ri Glauk Konjufca”, është shprehur Kurti. Se pozita e kryeparlamentarit nuk do t’i kalojë LDK-së ditëve të fundit kanë pohuar edhe zyrtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

LDK-ja fton LVV-në të veprojë shpejt dhe me vendosmëri

Ndonëse LVV-ja ka njoftuar që nuk e ka pranuar propozimin e fundit të LDK-së, marrëveshje të balancuar pos liderit të këtij subjekti ka kërkuar edhe zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa, i cili pas mbledhjes së djeshme, që zgjati rreth tri orë, para gazetarëve lexoi një komunikatë të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mustafa me këtë rast tha se LDK-ja konsideron që pas mandatimit të kandidatit për kryeministër nga ana e presidentit vendi gjendet në një situatë mjaft të rëndësishme.

“LDK-ja vlerëson që vendi ndodhet në një situatë të rëndësishme politike, meqë tashmë implementimi i vullnetit politik të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 në bazë të dispozitave kushtetuese është i afatizuar. LDK-ja edhe një herë shpreh vullnetin për marrëveshje të balancuar me LVV-në, që do të reflektonte në tërësi rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit”. Mustafa më tutje ka thënë se Kryesia e LDK-së vlerëson se marrëveshja e fundit e propozuar nga ekipi negociues i LDK-së garanton përfaqësim dhe përgjegjësi të balancuar, që sipas këtij subjekti janë të domosdoshme për funksionimin e institucioneve të reja. Me këtë rast LDK-ja, siç ka thënë Besian Mustafa, fton LVV-në të veprojë drejt arritjes së marrëveshjes. “LDK-ja fton LVV-në, si parti e parë dhe që ka përgjegjësinë për t’i formuar institucionet e reja, të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për ta arritur marrëveshjen me LDK-në”, ka nënvizuar ai.

S’ndalet presioni ndërkombëtar për formimin e qeverisë

Duke u nisur nga zvarritja e arritjes së marrëveshjes dhe formimit të qeverisë, diplomatët ndërkombëtarë në Kosovë në vazhdimësi kanë kërkuar krijim sa më të shpejtë të institucioneve. Pikërisht për të diskutuar rreth kësaj çështjeje gjatë ditës së djeshme në zyrat e LDK-së ka qëndruar edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abott.

Lidhur me këtë është deklaruar kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili ka thënë se ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe të BE-së janë duke insistuar pareshtur që institucionet e Kosovës të formohen sa më parë. “Ambasadat janë të interesuara që Kosova të ketë qeveri dhe për këtë arsye vijnë dhe bisedojnë me ne. Edhe ne jemi të interesuar që sa më shpejt Kosova të bëhet me qeveri”, është shprehur Mustafa.

Ndërkohë, kanë kaluar më shumë se njëqind ditë prejse janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por LVV-ja dhe LDK-ja ende nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje. Pak pas zgjedhjeve të dyja palët qenë zotuar se do ta bënin qeverinë menjëherë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor. Por janë bërë gati dy muaj qëkur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin dhe subjektet negociuese ende nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për të ecur drejt krijimit të qeverisë../Zëri