LDK kërkon sërish marrëveshje të balancuar
Foto: Laura Hasani

LDK kërkon sërish marrëveshje të balancuar

Aktuale January 21, 2020 - 17:22
Besian Mustafa, ka thënë se LDK konsideron që vendi momentalisht gjendet në një situatë mjaft të rëndësishme, pas mandatimit të kandidatit për kryeministër nga ana e presidentit.

Pas tri orë diskutimesh ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së LDK-së, me ç’rast zyrtarët e këtij subjekti kanë përsëritur edhe njëherë se LDK kërkon marrëveshje të balancuar me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton zeri.info.

Zëdhënësi i këtij subjekti, Besian Mustafa, ka thënë se LDK konsideron që vendi momentalisht gjendet në një situatë mjaft të rëndësishme, pas mandatimit të kandidatit për kryeministër nga ana e presidentit.

“LDK vlerëson që vendi ndodhet në një situatë të rëndësishme politike meqë tashmë implementimi i vullnetit politik të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, në bazë të dispozitave kushtetuese është i afatizuar. LDK edhe njëherë shpreh vullnetin për marrëveshje të balancuar me LVV-në që do të reflektonte në tërësi rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit”, ka deklaruar ai.

Mustafa tutje ka thënë se Kryesia e LDK-së ka konsideruar që marrëveshja e propozuar nga ekipi engociues i LDK-së reflekton në tërësi rezultatin e zgjedhjeve, garanton përfaqësim dhe përgjegjësi të balancuar që, sipas këtij subjekti, janë të domosdoshme për funksionim të institucioneve.

Me këtë rast, LDK, siç ka thënë Besian Mustafa, fton LVV-në që të veprojë drejt arritjes së marrëveshjes. “LDK fton LVV-në, si parti e parë dhe që ka përgjegjësinë për t’i formuar institucionet e reja, që të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për ta arritur marrëveshjen me LDK-në”, ka nënvizuar ai./ZERI/