Mustafa: Të merremi vesh gjatë kësaj jave ose të konstatohet se s’ka kushte për marrëveshje
Foto: Laura Hasani

Mustafa: Të merremi vesh gjatë kësaj jave ose të konstatohet se s’ka kushte për marrëveshje

Aktuale January 21, 2020 - 17:16
Isa Mustafa ka folur pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka konsideruar se marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje duhet të përfundojë gjatë kësaj jave, në të kundërtën, siç ai është shprehur, duhet të konstatohet se nuk ka kushte që të arrihet ujdia mes palëve, raporton zeri.info.

Gjatë një deklarate dhënë për medie pas takimit të Kryesisë së LDK-së Mustafa ka thënë se LVV duhet ta marrë parasysh propozimin e fundit të partisë që ai drejton.

“Ne kemi dhënë një propozim që kemi vlerësuar që është propozim sumë i balancuar, që mendojmë që LVV duhet ta trajtojë me vëmendje të veçantë dhe mbesim të hapur që të ulemi të bisedojmë, por që ajo ulje, ajo bisedë e jona të ketë një përfundim sa më të shpejtë, mundësisht deri në fund të kësaj jave, në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, ka deklaruar ai.

LDK, siç Mustafa ka vazhduar, mbetet e përkushtuar që marrëveshja finale për bashkëqeverisje me LVV-në, të arrihet sa më parë.

“Ne mbetemi të përkushtuar që të punojmë për një marrëveshje e cila respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Ne do ta respektojmë këtë dhe mendojmë që marrëveshja duhet ta qesë në pah një qeveri të balancuar dhe përgjegjësi të balancuara ndërmjet dy palëve, në harmoni me atë që qytetarët na e kanë dhënë besimin me votën e tyre”, ka theksuar Mustafa tutje./ZERI/