Qehaja: Braktisja e shkollës është problem i anashkaluar

Qehaja: Braktisja e shkollës është problem i anashkaluar

Aktuale January 21, 2020 - 08:58
Faktor ndikues për braktisjen e shkollave Qehaja tha se është edhe shpërngulja fshat – qytet

Më shumë se 10 mijë nxënës gjatë viteve të fundit kanë vendosur ta lënë anash mësimin e detyrueshëm. Në raportin vjetor me tregues arsimor për vitin 2018 - 2019, MASHT-i ka njoftuar se përqindja e nxënësve që kanë braktisur mësimin gjatë këtij viti shkollor është 0,10 për qind. Sipas kësaj Ministrie, këto statistika janë të barabarta për të dyja gjinitë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Me përqindje të njëjtë nxënësit kanë braktisur edhe arsimin e mesëm të ulët. Edhe në këtë nivel të shkollimit sipas MASHT-it, 0,10 për qind e nxënësve kanë lënë mësimin. Përqindja ndryshon tek arsimi i mesëm i lartë. Në këtë shkallë, përqindja e nxënësve që e braktisën mësimin e mesëm të lartë është 1,8 për qind në total e ku dallim kishte në mes të gjinive, 2,8 për qind e meshkujve e braktisën mësimin në këtë nivel, teksa përqindja e femrave ishte 0,8%.

Ndër shkaqet më të shpeshta që ndikojnë në lënien e mësimit sipas njohësve të arsimit janë: shkaqet ekonomike, dallimet mes komuniteteve dhe problemet shëndetësore. Vlerësohet se ky fenomen është një problem i anashkaluar i institucioneve.

Në anën tjetër drejtori i përgjithshëm i organizatës “Ed Guard”, Rinor Qehaja, për “Zërin” theksoi se braktisja e shkollimit të obligueshëm nga nxënësit është një problem i anashkaluar.

“Braktisja e shkollimit të obligueshëm nga nxënësit paraqet problem të anashkaluar nga institucione. Fatkeqësisht braktisja prek grupe të caktuara socialeo-etnike për të cilat institucionet nuk kanë ofruar zgjidhje afatgjate. Ky problem shkon përtej iniciativave sipërfaqësore dhe publikimeve vetëm, por është problem shumë i ndërlidhur me vetëdijesim rreth rëndësisë së arsimimit”, ka thënë Qehaja.

Si faktor ndikues për braktisjen e shkollave Qehaja tha se është edhe shpërngulja fshat – qytet.

“Imigrimi i brendshëm besoj se ka një trend konstant, pra shpërngulja fshat - qytet nuk është që ka munguar në të kaluarën, por është shumë më e theksuar tani, andaj edhe lëvizjet e nxënësve në arsimin parauniversitar nuk janë shumë befasuesese. Dështimi i institucioneve është në paaftësinë e tyre për t’i projektuar shpërnguljet, që si rezultat ka investime të gabuara në infrastrukturë”, ka thënë ai./Zëri

Lexo edhe Alarmante: Mbi 10 mijë nxënës braktisën mësimin e detyrueshëm
Aktuale January 21, 2020