Asnjë masë për përmirësimin e cilësisë së ajrit

Asnjë masë për përmirësimin e cilësisë së ajrit

Aktuale January 21, 2020 - 08:44
Nga tymtarët e Korporatës Energjetike vazhdimisht lirohet pluhuri, i cili e rëndon situatën mjedisore

Ekologë në vend kanë ngritur disa herë çështjen e ajrit të ndotur dhe pasojat e tij. Pavarësisht thirrjeve të shumta kryetari i Partisë Ekologjike, Arif Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se nuk është punuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend, e cila rrezikon shëndetin e qytetarëve, Ai ka thënë se Korporata Energjetike e Kosovës vazhdimisht po e rëndon gjendjen mjedisore e po ashtu edhe veturat e shumta.

“Fatkeqësisht të tëra ato premtime nga fushata parazgjedhore, por edhe zotimet e Parlamentit e të Qeverisë në ikje për përmirësimin e cilësisë së ajrit mbeten për t’u dëshiruar. Nga tymtarët e Korporatës Energjetike vazhdimisht lirohet pluhuri, i cili e rëndon situatën mjedisore në përgjithësi e ndotjen e ajrit në veçanti. Vazhdon ndotja edhe nga veturat e shumta në rrugët e Kosovës, duke mos bërë kontrollin e djegies së lëndës së parë dhe pajisjet e tyre me katalizator përkatës”, ka theksuar ai.

Krasniqi ka thënë se nuk është punuar as në përmirësimin e cilësisë së derivateve, derisa ka shtuar se duhet të bëhet edhe përmirësimi i filtrave të termocentraleve e rregullimi i transportit urban. “Vazhdohet me ngrohje të objekteve ose të amvisërisë me dru dhe me thëngjill. Edhe me herët kam theksuar se duhet zhdukur ose duhen eliminuar ndotësit kryesorë të ajrit, siç janë: përmirësimi i filtrave në TE, gjetja e mënyrës së zvogëlimit të veturave që qarkullojnë, veçanërisht në kryeqytet, kontrollimi i cilësisë së derivateve të importuara, rregullimi adekuat i transportit urban, sigurimi i linjave të veçanta për qarkullimin e transportit etj”, ka potencuar ai./Zëri