Alarmante: Mbi 10 mijë nxënës braktisën mësimin e detyrueshëm
Foto: Laura Hasani

Alarmante: Mbi 10 mijë nxënës braktisën mësimin e detyrueshëm

Aktuale January 21, 2020 - 08:02
Në raportin vjetor për vitin 2018 - 2019, MASHT-i ka njoftuar se përqindja e nxënësve që kanë braktisur mësimin gjatë këtij viti shkollor është 0,10 për qind.
Image

Mbi 10 mijë nxënës në Kosovë e kanë braktisur mësimin e detyrueshëm viteve të fundit. Ndër shkaqet më të shpeshta, të cilat po ndikojnë që nxënësit të marrin një vendim të tillë sipas njohësve të rrethanave janë: varfëria, problemet shëndetësore dhe margjinalizimi i komuniteteve, shkruan gazeta Zëri.

Më shumë se 10 mijë nxënës gjatë viteve të fundit kanë vendosur ta lënë anash mësimin e detyrueshëm. Në raportin vjetor me tregues arsimor për vitin 2018 - 2019, MASHT-i ka njoftuar se përqindja e nxënësve që kanë braktisur mësimin gjatë këtij viti shkollor është 0,10 për qind. Sipas kësaj Ministrie, këto statistika janë të barabarta për të dyja gjinitë.  Me përqindje të njëjtë nxënësit kanë braktisur edhe arsimin e mesëm të ulët. Edhe në këtë nivel të shkollimit sipas MASHT-it, 0,10 për qind e nxënësve kanë lënë mësimin. 

Përqindja ndryshon tek arsimi i mesëm i lartë. Në këtë shkallë, përqindja e nxënësve që e braktisën mësimin e mesëm të lartë është 1,8 për qind në total e ku dallim kishte në mes të gjinive, 2,8 për qind e meshkujve e braktisën mësimin në këtë nivel, teksa përqindja e femrave ishte 0,8%. Ndër shkaqet më të shpeshta që ndikojnë në lënien e mësimit sipas njohësve të arsimit janë: shkaqet ekonomike, dallimet mes komuniteteve dhe problemet shëndetësore. Vlerësohet se ky fenomen është një problem i anashkaluar i institucioneve, shkruan tutje Zëri.

Gjithsej 10 mijë nxënës kanë braktisur mësimin

MASHT-i ka bërë të ditur së fundmi që mbi 10 mijë nxënës e kanë ndaluar procesin mësimor. Alush Istogu, drejtor në Departamentin Parauniversitar, në një deklaratë për medie ka thënë se numri i nxënësve që kanë braktisur mësimin në Kosovë po del të jetë diku rreth 10 mijë. “Në kuadër të MASHT-it e kemi grupin profesional, i cili ka nxjerrë strategjinë për braktisjen e nxënësve. Nëse shikojmë në rajon e kemi diku indeksin e braktisjes së shkollës 1,9%, gjegjësisht përmbi 10 mijë nxënës që nuk vijojnë mësimin”, thotë Alush Istogu.

Sipas të dhënave në Ministrinë e Arsimit, ka edhe raste të tilla kur nxënësit kalojnë nga një shkollë në shkollën tjetrën, kurse emrat e tyre vazhdojnë të figurojnë në listat e vjetra. “Por këta nuk e kanë braktisur tani, çdo nxënës që regjistrohet derisa të marrë fletëkalimin nuk guxon të shlyhet nga evidenca. Ne kemi kërkuar që nxënësi të lëvizë, t’i jepet fleta e kalimit, të përcillet në shkollën tjetër, të regjistrohet në librin amë, që duhet të hiqet nga NN shkolla”, ka thënë tutje ai. Drejtori i Departamentit Parauniversitar tutje pohoi se viti 2017 ka qenë viti më i madh i braktisjeve, por më pas 2000 nxënës të rikthyer janë integruar menjëherë në sistemin shkollor.

Pupovci: Braktisja e mësimit është më e ulët në Kosovë sesa në vendet tjera

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës për Arsim (KEC), Dukagjin Pupovci, theksoi se duke u bazuar në statistikat e publikuara nga MASHT-i rezulton se braktisja e arsimit të obligueshëm në Kosovë është 0,1 për qind e që është më e ulët duke e krahasuar me vendet tjera. “Sipas të dhënave të MASHT-it, braktisja në arsimin e obligueshëm është 0,1% , që paraqet një shkallë më të ulët në raport me vendet tjera të botës. Sipas të dhënave të UNESCO-s, braktisjen më të vogël nga arsimi fillor e kanë shtetet, si: Japonia (0,02%), Turqia (0,08%), Spanja (0,13%), Finlanda (0,19%), ndërkaq mesatarja e Amerikës Veriore dhe e Evropës është 3,96%”, ka thënë ai për gazetën.

Sipas Pupovcit, është e nevojshme që gjatë mbledhjes së të dhënave për nxënësit, të cilët kanë braktisur shkollimin, të ketë edhe një nënraport me shkaqet ose arsyet e një gjëje të tillë. “Në bazë të këtij krahasimi dhe të disa të dhënave ekziston mundësia që shumë shkolla i raportojnë braktisësit si përsëritës ose si nxënës që kanë kaluar në ndonjë shkollë tjetër, edhe pse nuk ka asnjë garanci se ata e vazhdojnë mësimin. Prandaj gjatë mbledhjes së të dhënave duhet analizuar me kujdes nëse kemi nënraportim të braktisjes për shkaqet e përmendura ose të ngjashme”, ka potencuar Pupovci.

Fëmijët që nuk janë në shkollë nuk konsiderohen si braktisës

Drejtori i KEC-it tutje theksoi se fëmijët që nuk janë në shkollë nuk mund të konsiderohen si braktisës. “Po ashtu u duhet kushtuar vëmendje fëmijëve të moshës shkollore, që nuk janë në shkollë e që nuk konsiderohen si braktisës. Për fat të keq tek ne nuk ekziston një sistem i gjurmimit, i cili do të bënte të mundur veprimin e organeve shtetërore në rastet e kësaj natyre, ndërsa vetë MASHT-i vlerëson se 4,3 për qind e fëmijëve mbetet jashtë arsimit të obligueshëm”, bëri të ditur Pupovci.

Duke folur mbi shkaqet më të shpeshta të braktisjes dhe të mospërfshirjes në arsimin e obligueshëm, ai tha se rastet ku haset më shpesh ky fenomen është te të varfëritë, te fëmijët me aftësi të kufizuara e te pjesë të tjera të shoqërisë. “Rastet më të shpeshta të braktisjes dhe të mospërfshirjes në arsimin e obligueshëm paraqiten te grupet e margjinalizuara, ku bëjnë pjesë: të varfëritë, fëmijët me aftësi të kufizuara, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Arsyeja është gjendja ekonomike, niveli arsimor i familjes, si dhe pamundësia për t’i përballuar shpenzimet e shkollimit”, ka pohuar ai.

Braktisje minimale në arsimin e mesëm të lartë

Braktisje minimale të ulët e ka vlerësuar Dukagjin Pupovci lënien e mësimit në arsimin e mesëm të lartë. “Në arsimin e mesëm të lartë, që nuk është i obligueshëm, shkalla e braktisjes sipas MASHT-it është 1,8 për qind. Braktisja në këtë nivel shkollimi të shumtën ndodh për shkaqe ekonomike, kur nxënësi duhet të punojë për ta ndihmuar familjen”, ka thënë ai.

Një ndër indikacionet që tregon këtë gjë, sipas Pupovcit, është dallimi gjinor në lënien e mësimit e që më shumë e lënë shkollën meshkujt. “Në favor të kësaj flet edhe e dhëna se 2,8 për qind e djemve braktisin shkollën e mesme të lartë për dallim nga 0,8 për qind e vajzave. Këto shifra mund të konsiderohen braktisje minimale, por, gjithsesi, edhe këtu duhet verifikuar saktësinë e të dhënave”, ka thënë ai për “Zërin”

Qehaja: Braktisja e shkollës është problem i anashkaluar

Në anën tjetër drejtori i përgjithshëm i organizatës “Ed Guard”, Rinor Qehaja, për “Zërin” theksoi se braktisja e shkollimit të obligueshëm nga nxënësit është një problem i anashkaluar. “Braktisja e shkollimit të obligueshëm nga nxënësit paraqet problem të anashkaluar nga institucione. Fatkeqësisht braktisja prek grupe të caktuara socialeo-etnike për të cilat institucionet nuk kanë ofruar zgjidhje afatgjate. Ky problem shkon përtej iniciativave sipërfaqësore dhe publikimeve vetëm, por është problem shumë i ndërlidhur me vetëdijesim rreth rëndësisë së arsimimit”, ka thënë Qehaja.

Si faktor ndikues për braktisjen e shkollave Qehaja tha se është edhe shpërngulja fshat – qytet. “Imigrimi i brendshëm besoj se ka një trend konstant, pra shpërngulja fshat - qytet nuk është që ka munguar në të kaluarën, por është shumë më e theksuar tani, andaj edhe lëvizjet e nxënësve në arsimin parauniversitar nuk janë shumë befasuesese. Dështimi i institucioneve është në paaftësinë e tyre për t’i projektuar shpërnguljet, që si rezultat ka investime të gabuara në infrastrukturë”, ka thënë ai./Zëri.