Këshilltarja e Haradinajt: Marrëveshja Kosovë -Serbi në Berlin se heq taksën

Këshilltarja e Haradinajt: Marrëveshja Kosovë -Serbi në Berlin se heq taksën

Aktuale January 20, 2020 - 16:57
Nuk hiqet taksa

Këshilltarja e Kryeministrit Haradinaj, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e fluturimeve komerciale mund të jetë hap i rëndësishëm për njohjen e pasaportës së Kosovës, por asesi nuk rezulton me heqjen e taksës për produktet serbe.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Haradinaj-Stublla, ka thënë se heqja e taksës 100% do të ndodhë atëherë kur Serbia e njeh Kosovën në kufijtë e saj ekzistues.

“Nisma e sotme për operacionalizimin e fluturimeve komerciale Prishtinë – Beograd nga Lufthansa mund të jetë një hap i rëndësishëm për njohjen e pasaportës së Kosovës nga Serbia, që si rrjedhojë do të mund të konsiderohet si njohje implicite, por assesi nuk rezulton në heqjen e taksës 100% pa njohje të plotë e eksplicite nga Serbia”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, diplomatët amerikanë e organizuan të hënën nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e fluturimeve komerciale me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve ballkanike.