PDK: Vetëvendosje fajtore për vonesat në formimin e qeverisë së re

PDK: Vetëvendosje fajtore për vonesat në formimin e qeverisë së re

Aktuale January 20, 2020 - 16:44

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate ka thënë se LDK e VV, po e vazhdojnë fushatën parazgjedhore, por me mjete tjera në dëm të Kosovës.

Ata kanë shkruar se parimet e prezentuara, janë shndërruar në pazare për karrige dhe asgjë tjetër.

“Partia Demokratike e Kosovës është e bindur se përgjegjësia për t’i formuar institucionet e reja i takon fituesit të zgjedhjeve dhe nuk bën të dëmtohet ky koncept i shëndoshë në demokracinë e re të Kosovës. PDK ka treguar konstruktivitetin e saj duke pranuar rezultatin zgjedhor dhe kaluar në opozitë menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit. Nuk ka bërë asnjë ankesë në Gjykatë Supreme për të zvarritur certifikimin e procesit zgjedhor. Për më tepër, e ka lënë veten në mënyrë të qartë jashtë ekuacioneve e tavolinave të bisedimeve për qeverisje, duke u deklaruar pa asnjë ekuivok dhe ripotencuar se do të qëndrojë në opozitë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas tyre, çdo përpjekje për të gjetur justifikime, është e papranueshme. PDK ka potencuar se Lëvizja Vetëvendosje është shkaktarja kryesore e vonesës aktuale dhe fundi i kësaj krize, është në dorën e saj.

“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i marrin përgjegjësitë qeverisëse, por qytetarët e Kosovës do t’i kuptojnë shpejt mashtrimet dhe iluzionet që ata kanë kultivuar si dhe të shohin dështimin e ideve që kanë promovuar. PDK si parti opozitare do t’i mbajë llogaridhënëse dhe nuk do të lejojë të zhbëhen arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata.