Dy kandidatë për kryetar të Mitrovicës Veriore të vrarë brenda 4 vjetësh, vrasësit të lirë

Dy kandidatë për kryetar të Mitrovicës Veriore të vrarë brenda 4 vjetësh, vrasësit të lirë

Aktuale January 18, 2020 - 08:13
Image

Dimitrije Janiçijeviq, kandidat i SLS-së për kryetar të Komunës Veriore të Mitrovicës në zgjedhjet e vitit 2014, është vrarë me breshëri plumbash para ndërtesës ku banonte më 16 janar 2014, ndërsa Oliver Ivanoviqi, gjithashtu kandidat i SDP-së për kryetar të Mitrovicës së Veriut, është vrarë saktësisht katër vjet më vonë, më 16 janar 2018. Ivanoviqi: Çfarë po ndodh me Listën Serbe, dy vjet nuk u dukën askund, tani bëjnë homazhe në vendin ku është vrarë?

Serbët e veriut të Mitrovicës, ata që e kanë pasur për zemër dhe e kanë respektuar punën e veprimtarinë politike kanë përkujtuar dy ish-kandidatët për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Dimitrije Janiçijeviq, kandidat i SLS-së për kryetar të Mitrovicës së Veriut në zgjedhjet e vitit 2014 dhe Oliver Ivanoviq, gjithashtu kandidat i SDP-së për kryetar të Mitrovicës së Veriut, të cilët janë vrarë për një ditë, më 16 janar, njëri në vitin 2014 e tjetri në vitin 2018. Që të dy ata para se të vriteshin ishin shpallur tradhtarë nga zyrtarë të Beogradit dhe nga Lista Serbe, shkruan gazeta "Zëri".

Ishte vetë drejtori i të ashtuquajturës Zyrë Serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili e kishte quajtur Ivanoviqin tradhtar të interesave të serbëve dhe shkatërrues të unitetit të serbëve, ndërsa dy ditë para se të shënohej dyvjetori i vrasjes së Ivanoviqit Gjuriq e quante atë hero, njeri që ka përfaqësuar denjësisht interesat e popullit serb.

Gjashtë vjet nga vrasja e Dimitrije Janiçijeviqit

Para 6 vjetëve, saktësisht më 16 janar 2014, në veri të Mitrovicës është vrarë Dimitrije Janiçijeviq, atëherë asamblist i SLS-së dhe kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut. Urdhërdhënësit dhe vrasësi akoma nuk janë gjetur, ndërsa saktësisht në 4-vjetorin e vrasjes së tij, është vrarë edhe kumbara i tij, Oliver Ivanoviq, gjithashtu kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut. Janiçijeviqi është vrarë më 16 janar 2014, me breshëri plumbash nga armë automatike para shtëpisë së tij në rrugën “Rudarske Cete” në veri të Mitrovicës, ku jetonte me familjen e tij. Lamtumirën e fundit e Janiçijeviqit ia kishte dhënë pikërisht Oliver Ivanoviq. “Dhuna e vogël ngjall dhunë të madhe dhe përfundon me vrasje. Por për këtë duhet të mendojnë ata që janë në pushtet, ata që vendosin, të cilët janë zgjedhur dhe për të vendosur, ata që paguhen”, kishte porositur Oliver Ivanoviq në varrimin e Janiçijeviqit.

Katër vjet më vonë është vrarë Oliver Ivanoviqi

vjet më vonë, pikërisht më 16 janar 2018, është vrarë Oliver Ivanoviqi. Për ndryshim nga vrasja e Ivanoviqit, vrasja e Janiçijeviqit kurrë nuk ka marrë ndonjë epilog. Nipi i Oliver Ivanoviqit, Aleksandër Ivanoviq, ka vazhduar të shprehet i ashpër për Listën Serbe, por edhe për zyrtarë të SDP-së, të cilët siç thotë ai “i janë bashkuar Listës Serbe, e cila për dy vjet nuk ka bërë homazhe dhe nuk ka nderuar Ivanoviqin”. Në një koment të shkruar për portalin “Kossev”, Aleksandër Ivanoviq ka pyetur se çfarë ndryshoi te Lista Serbe, e cila dy vjet pas atentatit ka bërë homazhe në vendin e vrasjes së Ivanoviqit, derisa vrasësit dhe frymëzuesit e vrasjes së Ivanoviqit nuk janë gjetur. “Kjo është e mjerueshme, e shëmtuar dhe gjithsesi keqpërdorim politik i figurës dhe i veprës së Oliver Ivanoviqit”, ka thënë nipi i tij, duke shtuar se ata të Listës Serbe kanë vazhduar me përçarje dhe me ndasi me mesazhin që nëse nuk je me ta, atëherë je tradhtar, vetëm nëse u përuleni do t’ju pranojnë. “Oliveri nuk ka dashur të jetë me ta e ka qenë tradhtar dhe deri atëherë kur Ksenija Bozhoviq nuk e ka kyçur SDP-në në Listën Serbe, përvjetorët e vrasjes së tij as nuk janë shënuar”, ka shtuar ai.

“Kanë kaluar dy vjet nga vrasja e Oliverit dhe miqtë e tij e anëtarët e familjes shumë herë janë mbledhur në vendin ku është vrarë, duke shënuar përvjetor dhe muajt e vrasjes në vendin ku Oliveri është ndalur në luftën e tij me 5 plumba në shpinë. Përfaqësuesit e Listës Serbe asnjëherë nuk janë dukur aty e madje askush nga ata nuk është dukur edhe kur është vrarë Oliveri. Është vrarë një njeri me autoritet dhe i njohur, ndërsa ata si njerëz që qeverisin qytetin nuk ishin askund, nuk ishin as ditëve në vijim. Madje as në rrugë nuk keni mundur t’i takoni. Shtrohet pyetja, pse sot kur shënohet dyvjetori i vrasjes ata janë aty, ndërsa vitin e kaluar kur shënohej 1-vjetori i vrasjes këtë nuk e kanë bërë? Çfarë ka ndryshuar tek ata tani? Ndryshimi i vetëm është se bashkëpunëtorja e dikurshme e Oliverit, Ksenija Bozhoviq në zgjedhjet e kaluara kishte vendosur që me SDP-në t’i bashkohet Listës Serbe, kështu që derisa Oliveri ishte gjallë dhe kishte luftuar kundër politikës së tyre ka qenë tradhtar, ndërsa deri atëherë kur Ksenija Bozhoviqi nuk e ka kyçur SDP-në në Listën Serbe, ata nuk e kanë shënuar asnjë përvjetor të vrasjes së Oliverit. Absurdi është se ata që bëjnë ndarje dhe përçarje të tilla, tani shënojnë përvjetorët e vrasjes së Oliverit, të njeriut që ka luftuar kundër ndarjeve, agresionit dhe i cili është angazhuar për jetë normale në mjedisin kush është rritur. Ndoshta tani në atë vend ku qëndrojnë dy vjet pas vrasjes, definitivisht do t’i kuptojnë apelet e Ivanoviqit, i cili publikisht i ka dërguar mesazhe se politika e frikësimit, agresionit, spoteve në të cilat dikush shpallet tradhtar dhe në këtë mënyrë i vizatohet plumbi në shpinë nuk përfundon kurrë mirë dhe se në këtë atmosferë humb koka. Ato fjalë të tij tani kumbojnë më fort, sepse mu aty ky sot (e enjte) po qëndrojnë (vendi i vrasjes së Ivanoviqit), dikush ka shtënë në shpinën e tij dhe në këtë mënyrë janë zbardhur të gjitha vërejtjet e tij për pasojat e krijimit të një atmosfere të tillë”, ka shkruar Aleksandër Ivanoviq, nipi i Oliver Ivanoviqit, në komentin e tij në portalin serb në veri “Kossev”.

Serbët e veriut të Mitrovicës janë shprehur me mirënjohje dhe lëvdata për gruan e parë të Oliver Ivanoviqit, Marina Ivanoviq, e cila nga Beogradi kishte ardhur në Mitrovicë në vendin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke u premtuar miqve të familjes se s’do të ndalen për ta zbuluar të vërtetën derisa të jenë gjallë. “Miq të Oliverit, miq të familjes, dua që në emër të familjes t’i falënderoj të gjithë që keni ardhur këtu, ju që për çdo ditë bëni pyetje bashkë me ne se kush dhe për ç’arsye e vrau Olivrin. Deri sa të jemi gjallë do ta kërkojmë të vërtetën”, ka thënë ajo, duke u përulur në vendin ku Oliver Ivanoqit u qëllua për vdekje.

Në anën tjetër gruaja pakurorë e Oliver Ivanoviqit, Milena Popoviq, ka bërë homazhe në Beograd te varri i Ivanoviqit bashkë me kryeministren e Serbisë, Ana Bernabiq dhe me zyrtarë tjerë të lartë serbë./ZERI/