57 milionë euro për mbi 37 mijë veteranë
Foto: Laura Hasani

57 milionë euro për mbi 37 mijë veteranë

Aktuale January 18, 2020 - 08:09
Image

57 milionë euro janë shpenzuar vetëm gjatë vitit paraprak si pagesë për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur se deri në muajin maj përfitues të këtyre pensioneve kanë qenë mbi 37 mijë veteranë, shkruan gazeta "Zëri".

Ministria e Financave në raportin nëntëmujor financiar të vitit 2019 ka bërë të ditur se për pagesat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (MPMS) nuk është bërë i ditur numri i saktë i përfituesve të këtyre pensioneve.

Mirëpo në statistikat që i ka siguruar gazeta “Zëri” nga kjo Ministri del se deri në muajin maj përfitues të pensioneve ishin 37 mijë e 460 veteranë. Mungesa e të dhënave për muajt pasues pamundëson të dalë në pah se sa është numri i veteranëve, të cilët kanë përfituar pensione. Gjatë vitit të kaluar u krijua një kaos në vend për shkak të daljes së 20 mijë veteranëve të rrejshëm në listën, që atëkohë u përpilua nga avokati Elez Blakaj, shkruan tutje "Zëri".

Pas kësaj Prokuroria propozoi që pagesat të ndalen për veteranët, emrat e të cilëve figuronin në lista, por një vendim i tillë ende nuk është marrë nga Gjykata. Të gjithë veteranët, pavarësisht se emrat e disave figurojnë në listat me veteranë të rrejshëm, vazhdojnë të marrin pensione nga shteti.

Mbi 37 mijë veteranë përfituan pensione

Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur për “Zërin” se deri në muajin maj të vitit të kaluar nga shteti kanë marrë pensione 37 mijë e 460 veteranë. Pagesat për ta nga janari e deri në maj arritën në 6 milionë e 381 mijë e 882 euro. Kjo Ministri megjithatë nuk dha informacione edhe për muajt tjerë si për numrin e veteranëve, ashtu edhe për buxhetin që është shpenzuar për ta. MPMS-ja ka dhënë detaje mbi ndarjen e pensioneve që bëhet për ta. Sipas tyre, veteranët luftëtarë për çdo muaj marrin pension prej 170 eurosh.

Ministria e Financave: 57 milionë euro për pagesa të veteranëve

Në raportin nëntëmujor financiar të vitit paraprak, të publikuar nga Ministria e Financave të cilin e ka siguruar gazeta, është bërë e ditur shuma e shpenzuar për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Gjatë vitit 2019 pagesat për këta veteranë arritën në 57 milionë e 610 mijë euro. Nëse krahasohet me vitin paraprak ka rritje për 1%. Në vitin 2018 për këtë kategori u shpenzuan 57 milionë e 150 mijë euro, teksa më pak para u shpenzuan gjatë 2017-s. Për pagesa të kësaj kategorie përgjatë vitit përkatës janë shpenzuar vetëm 37 milionë e 960 mijë euro.

Shatri: Pagesat nuk janë ndalur për asnjë veteran

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit në detyrë për çështje të ekonomisë, ka konfirmuar për “Zërin” se pagesat nuk janë ndalur për asnjë veteran të UÇK-së. “Te pjesa e verifikimit të listave të veteranëve mbetet në obligim që të gjithë atyre që kanë pasur vendim dhe që u është njohur statusi i veteranit duhet t’u vazhdojë pagesa derisa me një vendim të pastrohen listat. Çështja është shumë delikate dhe askush nuk guxon t’i heqë nga lista ata, të cilët vazhdojnë ta ngarkojnë buxhetin e i cili është i ndarë për numrin që ka qenë në fillim, pra afër 39 mijë ose sa janë”, ka thënë Shatri.

Sipas tij, buxheti është ndarë nga fillimi për aq veteranë sa kanë qenë në fillim dhe kjo gjë nuk mund të ndryshojë. “Buxheti është i ndarë dhe pagesat për ta janë duke vazhduar. Askush nuk guxon të marrë vendim të njëanshëm, as Ministria e Financave, as ajo e MPMS-së dhe as kryeministri, që t’ua ndalë pagesat veteranëve. Pa u spastruar listat të gjitha me radhë dhe në të gjitha zonat operative dhe kur të pastrohen ato merret një vendim definitiv për ata që janë të rrejshëm e ata që janë të vërtetë. Atëherë pagesat do të bëhen vetëm për ata që e dëshmojnë se janë në të vërtetë veteranë”, ka thënë ai për “Zërin”.

Kadrijaj: 170 euro veteranëve nuk ua mbulojnë as shpenzimet personale

Njohësi i çështjeve të ekonomisë Mustafë Kadrijaj ka thënë për gazetën se rasti i veteranëve për sa i përket aspektit ligjor nuk është trajtuar drejt. Megjithatë, ai e ka konsideruar të ulët shumën e pensionit që marrin ata. “Vlerësoj se edhe trajtimi i veteranëve në bazë të ligjit së pari nuk është trajtuar drejt për faktin se nuk duhet të kushtëzohen që të mos kenë punë tjetër, ngase 170 euro nuk ua mbulojnë as shpenzimet personale e lëre shpenzimet për familje. Kështu veteranët po detyrohen të heqin dorë nga gëzimi i pensionit dhe të punojnë punë ku të munden për t’u gjendur në tregun e punës ose të mbajnë punë pa letra dhe kjo është shkelje ligjore”, ka thënë Kadrijaj.

Ai e ka parë të nevojshme verifikimin e listave të veteranëve, pasi që, sipas tij, buxheti dëmtohet nga ata që janë të rrejshëm. “Duhet të verifikohen listat, sepse vetëm kështu veteranët e mirëfilltë e gëzojnë të drejtën e pensionit, pa kushtëzime. Kontributi i tyre është i papërsëritshëm. Si përfundim buxheti dëmtohet nga veteranët e rrejshëm, të cilët duhet të marrin dënime kapitale për faktin se përveçqë kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, njëherësh kanë njollosur sakrificat e veteranëve të UÇK-së”, ka thënë ai.