Kryeprokurori i shtetit: Jemi imunë ndaj kërcënimeve, prokurorët e rinj i presin sfida të rënda
Foto: Laura Hasani

Kryeprokurori i shtetit: Jemi imunë ndaj kërcënimeve, prokurorët e rinj i presin sfida të rënda

Aktuale January 17, 2020 - 12:18

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se katër vitet e kaluara sikurse periudha e fundit dymbëdhjetë mujore, ishte përplot sfida dhe më intensive se kurrë.

Përkundër kësaj ai tha se më i rëndësishëm është fakti se ky institucion ka treguar se ka qenë i gatshëm dhe i aftë që në të gjitha këto sfida të reagojnë në mënyrë adekuate, njofton Klan Kosova.

“Sot, dua të theksoj se më e fortë se çdo sfidë apo mëdyshje është forca dhe uniteti i sistemit prokurorial, i cili edhe gjatë vitit të kaluar, por edhe ne ditët e para të këtij viti ka treguar imunitet ndaj kërcënimeve dhe presioneve të ndryshme”.

“Ne kemi treguar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të na ndalë askush, sepse ky është interesi i shtetit dhe ne veprojmë në emër të shtetit. Prandaj, duhet të jemi unik për të treguar forcën që e përbëjmë të gjithë së bashku si Prokurori e Shtetit”.

“Shpresoj që forca e këtij mesazhi do të kuptohet drejt edhe nga kolegët e rinj në duart e të cilëve do të jetë e ardhmja e sistemit prokuroria”.

“Gjatë vitit të kaluar kemi zgjedhur kryeprokurorët e dy prokurorive më të rëndësishme në Republikën e Kosovës, atë të Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilët duhet të kenë një rol më të madh në drejtimin e këtyre prokurorive, por njëkohësisht edhe përgjegjësi për punën e tyre ndaj Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës”.

Ai gjithashtu tha se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se besimi, sinqeriteti dhe komunikimi në mes të prokurorëve, kryeprokurorëve dhe Kryeprokurorit të Shtetit duhet të forcohet.

‘Kjo është gjëja më e rëndësishme në organet që veprojnë në mënyrë vertikale, ashtu siç është i përkufizuar me ligj edhe institucioni i Prokurorit të Shtetit. Kryeprokurorëve të rinj, dua t’ju them se; që nga marrja e këtyre detyrave do të ju presin ditë të vështira. Koha nëpër të cilën po kalojmë e vërteton këtë”.

“Përgjegjësia juaj është të tregoni se jeni të gatshëm t’i drejtoni këto prokurori dhe se vendimet që do t’i merrni do të jenë të drejta, profesionale dhe ekskluzivisht në përputhje me normat kushtetuese dhe dispozitat ligjore. Në punën dhe udhëheqjen tuaj të mëtutjeshme do ta keni përkrahjen time dhe të sistemit prokurorial në organizimin dhe funksionimin sa më të mirë të këtyre prokurorive”.