Mungesa e punëtorëve shëndetësorë në QKUK

Mungesa e punëtorëve shëndetësorë në QKUK

Aktuale janar 14, 2020 - 12:17

Shumë mjekë edhe gjatë këtij viti vazhdojnë të jenë të papunë në Kosovë, pavarësisht nevojave që kanë institucionet publike shëndetësore për ta. Mospunësimi i këtyre mjekëve thuhet të jetë për shkak të keqmenaxhimit e për shkak të sistemit shëndetësor të dështuar në vend, shkruan sot gazeta Zëri.

Nga muaji janar deri në fund të muajit shtator të vitit të kaluar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ishin pranuar 46 mjekë specialistë të profileve të ndryshme. Megjithatë, rekrutimi i tyre nuk ka përmbushur prapë kërkesat e klinikave.

Drejtorë të klinikave në QKUK kanë thënë për gazetën se kanë nevojë edhe për më shumë punëtorë shëndetësorë, duke përfshirë këtu mjekë e infermierë.

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Xhevdet Gojnovci, ka thënë për “Zërin” se kanë kërkuar rekrutimin e së paku 15 infermierëve, por që vetëm 6 të tillë janë punësuar në këtë klinikë.

Ai ka theksuar se mungesa e stafit gjithmonë shkakton vështirësi në punë. “Janë rekrutuar vetëm 6 infermierë, ndërsa ne kemi kërkuar minimum 15 gjatë vitit të kaluar. Tani presim që këtë vit të plotësohet ky numër. Gjitha procedurat e rekrutimit kryhen përmes drejtorisë së SHSKUK-së. Mungesa e stafit gjithmonë shkakton vështirësi, por megjithatë po mundohemi t’ia dalim që të ofrojmë shërbime sa më cilësore shëndetësore”, ka deklaruar ai. /ZERI