UP-ja me mungesë të kuadrove, rrezikohen të mbyllen disa fakultete

UP-ja me mungesë të kuadrove, rrezikohen të mbyllen disa fakultete

Aktuale January 13, 2020 - 07:55
detajet
Image

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është duke u përballur me mungesë të stafit akademik në disa fakultete, ku në rast të mosplotësimit me kuadro rrezikohet edhe mbyllja e tyre. Por një gjë e tillë është mohar nga zyrtarë të Rektoratit të UP-së, të cilët pohuan se janë duke hapur konkurse për rekrutim të stafit në fakultetet ku ka mungesë të tyre, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndër problemet e shumta me të cilat po vazhdon të përballet Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është edhe mungesa e kuadrove profesionale në disa programe të studimit. Ndër fakultetet me mungesë të theksuar të stafit akademik në UP janë: Fakulkteti i Inxhenierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Fakulteti i Bujqësisë dhe i Veterinarisë dhe Fakulteti i Mjekësisë.

E për njohësit e çështjeve të arsimit në vend mungesa e kuadrove profesionale në UP nuk është risi. Në këtë gjendje ky universitet, sipas tyre, është duke u ballafaquar tash dy dekada. Ndërkohë, është parë e nevojshme bashkëpunimi me universitetet e tjera, si vendore, ashtu edhe rajonale, për plotësimin e numrit të stafit akademik, në mënyrë që të mos rrezikohet mbyllja e tërësishme e këtyre fakulteteve.

Tri fakultete me mungesë të theksuar të stafit akademik

Universiteti i Prishtinës është duke vazhduar të ballafaqohet me mungesë të theksuar të stafit akademik në disa programe. Zyrtari për informim në Rektoratin e UP-së për “Zërin” bëri të ditur se kjo gjendje ka ardhur si pasojë e limiteve buxhetore. “Si pasojë e limiteve buxhetore është evidente mungesa e theksuar e stafit akademik dhe administrativ në Universitetin e Prishtinës. Njësitë akademike me mungesë më të theksuar të stafit akademik janë: Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Bujqësisë dhe i Veterinarisë dhe Fakulteti i Mjekësisë, të cilat për të zbutur këtë zbrazëtirë në aspektin mësimor angazhojnë staf akademik nga jashtë në cilësinë e bashkëpunëtorëve”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë, në përgjigje më tutje është potencuar se kjo gjendje nuk paraqet rrezik të mbylljes së programeve studimore. “Konsiderojmë që nuk do të këtë raste ku programet studimore do të mbyllen për shkak të mungesës së stafit. UP-ja aktualisht ka në proces një konkurs për rekrutimin e stafit të ri akademik, me qëllim që të mundësojë mbarëvajtje edhe më të mirë të mësimit dhe evitim të mungesave kuadrovike”, pohuan për gazetën zyrtarë nga rektorati.

Pupovci: Programet të përshtaten me tregun e punës

Drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), Dukagjin Pupovci, ka deklaruar për “Zërin” se gjatë dy dekadave në Universitetin e Prishtinës janë hapur programe, të cilat nuk kanë pasur mundësi të mbahen me staf akademik adekuat. “Gjatë dy dekadave të fundit në UP janë hapur programe të shumta, që nuk kanë pasur mundësi reale të mbahen me kuadrot të cilat janë në dispozicion në Kosovë, ndërsa për një numër të tyre mundësitë e punësimit janë më se të kufizuara”.

Njëkohësisht, sipas Pupovcit, janë injoruar disa programe me rëndësi strategjike, të cilat edhe kanë mbetur pa staf akademik të kualifikuar. “Ndërkohë, janë injoruar disa programe me rëndësi strategjike, të cilat kanë mbetur pa staf akademik të kualifikuar dhe tani ndodhen në prag të mbylljes. Kjo mund të shkaktojë mungesë të kuadrove nga profilet, siç është elektroenergjetika, që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit”, ka thënë ndër të tjera drejtori i KEC-it.

Të nevojshme Pupovci e ka parë përshtatjen e programeve me nevojat e tregut të punës. “Do të ishte mirë që UP-ja dhe universitetet tjera publike t’i përshtatin programet e tyre me mundësitë reale që kanë dhe me nevojat e tregut të punës. Ndërkaq për ato programe ku mungon stafi akademik i kualifikuar duhet të bëhen përpjekje të veçanta, të vendoset bashkëpunimi me universitetet tjera të rajonit, të cilat mund të ndihmojnë, ndërkohë duhet mbështetur njerëzit që duan të kualifikohen në këtë fushë”, ka thënë më tutje ai.

ORCA: Nevojitet planifikim strategjik

Rron Gjinovci, nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), theksoi se nevojitet planifikim strategjik, në mënyrë që të mos ketë probleme të tilla në universitete. “Planifikimi strategjik duhet të bëhet nga stafi menaxherial i Universitetit, në radhë të parë i fakultetit e pastaj edhe i menaxhmentit qendror. Kjo është përgjegjësi ekskluzive e tyre”.

Sipas tij, fenomeni i mungesës së stafit akademik në programet e UP-së është problem i dy dekadave me radhë. “Ky është një fenomen të themi i korrupsionit, që mbizotëron në UP dhe në fakultete të caktuara. Ekziston një mënyrë e punësimit të profesorëve, e cila në të kaluarën ka qenë shumë e bazuar në përkatësi partiake dhe në politikë, ndërsa tani në kohët e fundit ka marrë përmasa të grupeve të caktuara, që shtyjnë njerëz të caktuar dhe zakonisht duke tentuar që t’i ruajnë vendet derisa t’i përmbushin kriteret, siç janë: kryerja e doktoraturës ose shkrimi i ndonjë punimi. Kjo e rrezikon nganjëherë edhe akreditimin e programeve të ndryshme”, ka thënë më tutje ai.