Më mirë këtu apo atje? Flet mjeku kosovar, i cili qe 10 vjet punon në Gjermani

Më mirë këtu apo atje? Flet mjeku kosovar, i cili qe 10 vjet punon në Gjermani

Aktuale January 01, 2020 - 20:37
Image

Qe 10 vjet mjeku kosovar Milot Rama ka shkuar në shtetin gjerman, në të cilin ka gjetur punë në disa nga klinikat më prestigjioze. Mënyra se si funksiononin gjërat në vend e kishin shtyrë që në moshën 25-vjeçare ta lëshonte Kosovën, pavarësisht dëshirës së madhe për të punuar këtu, shkruan gazeta "Zeri".

Me entuziazmin më të madh kishte kryer Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe shpresonte ta jepte kontributin e tij në njërën nga institucionet publike shëndetësore në vend, por shumë shpejt u zhgënjye me mënyrën se si funksionin gjërat në Kosovë.

LEXO EDHE: Policja e parë e graduar në Kosovë, la Britaninë për t’iu rikthyer uniformës

Mjeku i njohur kosovar Milot Rama, pavarësisht dëshirës së madhe që kontributin e tij ta jepte në Kosovë, në vitin 2009 kur ishte 25-vjeçar i vetëm kishte marrë rrugën për në Gjermani, shkruan tutje "Zeri".

Ai ka treguar se në atë kohë në Kosovë punësimi bëhej në baza të nepotizmit e të përkatësisë partiake, andaj sikurse edhe shumë mjekë të tjerë, ai atëherë konsideronte se zgjedhje e vetme ishte emigrimi.

“Me kalimin e viteve për çdo ditë isha shumë i zhgënjyer. Duhej të konstatoja se politika po instalon një sistem totalisht të çrregulluar të vlerave, që po krijohej një shoqëri primitive me mentalitet bajraktaresk e politizuar deri në pafundësi. Secili student në Fakultetin e Mjekësisë e dinte që stafi akademik dhe ai mjekësor përzgjidhej mbi baza të përkatësisë partiake ose mbi atë familjare. Ishte vërtet sistem i neveritshëm, i cili shuante çdo ambicie dhe çdo shpresë”, ka rrëfyer ai.

Edhe pse nuk e kishte pasur të lehtë adaptimin në shtetin gjerman, Rama ka arritur të punësohet në një nga klinikat më prestigjioze. Ndonëse puna e tij ka qenë shumë sfiduese, ai ka pasur privilegjin të trajtojë pacientë me patologji shumë komplekse, shumica e tyre me zemra artificiale ose me zemra e mushkëri të transplantuara. “Momentalisht punoj në një stacion të kujdesit intensiv në Gjermaninë Veriore. Karrierën e fillova në Gjermaninë Lindore, për ta vazhduar në një klinikë prestigjioze në Berlin, ku punova mbi 3 vjet. Adaptimi ka qenë jo i lehtë edhe pse unë edhe si fëmijë kisha jetuar në Gjermani dhe shoqërinë gjermane e njihja. Tash që fillova në një klinikë në Dessau, qytet me 100.000 banorë, fillimi ishte i vështirë. Pastaj vazhdova në njërën nga klinikat më prestigjioze gjermane në Berlin”, ka treguar ai.

Mjekët kosovarë trajtohen më dinjitetshëm në Gjermani sesa në Kosovë

Pavarësisht se punojnë në vende të huaja, punëtorët shëndetësorë nga Kosova trajtohen mirë atje. Rama ka thënë se trajtimi i tyre është më i dinjitetshëm në Gjermani sesa në Kosovë. “Për të thënë sinqerisht, trajtimi i mjekëve nga Kosova është më i dinjitetshëm këtu se në Kosovë. Askush nuk e lëshon kot së koti atdheun e tij për të filluar nga zeroja në një shoqëri të huaj”, ka theksuar ai.

Ai është shprehur i zhgënjyer me sistemin edukativo-mjekësor në Kosovë. Ai ka thënë se ndien keqardhje që shumë pedagogëve e mjekëve të zellshëm që edhe në kushte jo të mira kanë dhënë maksimumin e tyre, asnjëherë nuk u është dhënë e drejta ta drejtojnë ndonjë institucion në vend. “Nëse e shikoni radhitjen e Kosovës në listën e PISA-s, mund ta përktheni edhe radhitjen e shëndetësisë kosovare me nivel ndërkombëtar. Sistemi edukativo-mjekësor shkojnë përherë paralel. Mjekët dhe infermierët janë produkt i atyre shkollave. Një sistem arsimor i degraduar deri në pafundësi nuk mund të prodhojë kuadro cilësore. Ndiej keqardhje për shumë pedagogë dhe mjekë tejet të zellshëm, që edhe me ato kushte të dobëta dhanë maksimumin për avancimin e proceseve”, ka thënë ai.

Vetëm ndryshimi do t’i kthente mjekët në Kosovë

Vit pas viti shohim numër të madh të punëtorëve shëndetësorë, të cilët lëshojnë Kosovën për të gjetur punë në shtete të tjera, kryesisht në Gjermani. Duke u bazuar në gjendjen momentale në Kosovë, Rama ka thënë se askush nuk duhet të presë që stafi i kualifikuar mjekësor të qëndrojë në vend. “Natyrisht mendoj se është përgjegjësi morale imja dhe e çdo mjeku të kontribuojë në vendin që e ka shkolluar e në shoqërinë që ka investuar në të. Mirëpo po e them prapë, me këtë sistem të çoroditur të vlerave në këto 20 vjetët e fundit askush nuk mund të presë që stafi i kualifikuar të mbetet në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se nëse do të ketë ndryshime në vend, atëherë edhe ai do të kthehej dhe do ta jepte kontributin e tij në Kosovë. “Nëse ka indikator për ndryshim, patjetër. Populli i Kosovës votoi për ndryshim. Ta shohim si po zhvillohen gjërat. Për kandidatin për kryeministër kam mendim shumë pozitiv. Ai edhe sa ishte në opozitë mundonte të krijonte një komunitet funksional të kosovarëve në Berlin”, ka shtuar ai.