Policja e parë e graduar në Kosovë, la Britaninë për t’iu rikthyer uniformës
Foto: Laura Hasani

Policja e parë e graduar në Kosovë, la Britaninë për t’iu rikthyer uniformës

Aktuale December 30, 2019 - 09:57
Detaje
Image

Në vitin 2000 iu bashkua Policisë së Kosovës. Më 2001-n Luljeta Mehmeti-Quigley mori gradën “rreshter”. Dy vjet më pas (2003) u gradua si “toger”. Më 2004-n shkoi të jetonte në Britani. Ishte viti 2013 kur vendosi të kthehej përfundimisht në Kosovë dhe t’i bashkohej sërish Policisë. Katër vjet më vonë (2017) Luljeta mori gradën “major”.

Sot Mehmeti-Quigley ndihet e privilegjuar që ende vazhdon ta bartë uniformën e Policisë së Kosovës, shkruan gazeta Zëri.

Lexo edhe: Ushtarët e KFOR-it, të befasuar me njerëzit dhe me ushqimin në Kosovë

Menjëherë pas luftës iu bashkua Policisë së Kosovës. Ishte viti 2000 kur për të parën herë veshi uniformën, me të cilën ndihet krenare edhe sot. Vetëm një vit më vonë (2001) Luljeta Mehmeti-Quigley mori gradën “rreshter”, duke u bërë gruaja e parë e graduar në historinë e Policisë së Kosovës. 

Uniforma për të vazhdon të jetë privilegj. Përgjegjësi. Nder ndaj shtetit, ku jeton bashkë me bashkëshortin dhe me dy fëmijët e saj. Më 2004-n Luljetës i ishte dashur ta lëshonte institucionin ku punonte, pasi kishte vendosur të shkonte për të jetuar në Britaninë e Madhe. Por me kalimin e viteve 46-vjeçarja e ndiente se misioni i saj nuk ishte përmbushur në plotësi. Kishte mbetur në gjysmë. Ndaj më 2013-n përfundimisht mori vendimin të kthehej nga Anglia në vendlindjen e saj. Ndonëse bashkë me bashkëshortin, i cili ka origjinë britanike, kishin një punë dhe një jetë të mirë atje, majore Mehmeti-Quigley kishte përkrahjen e plotë të tij që fëmijët t’i kthenin dhe t’i rrisnin në shtetin më të ri të Evropës. Në Kosovë.

Image
Ceremonia e gradimit të parë (Grada Rreshter), viti 2001

Pasioni për gazetarinë dhe insistimi për të mos u bërë police

Shumë prej njerëzve që sot kanë një pozitë thonë se e kishin ëndërr të kamotshme të vinin aty ku janë sot. Por ndryshe është me Luljetën. Ajo asnjëherë nuk kishte ëndërruar të bëhej police. Asnjëherë nuk e kishte parë veten në uniformë. Ëndrra e saj ishte të bëhej gazetare e suksesshme. Por gjithçka mori kahje tjetër kur një ushtar i UÇK-së kishte trokitur në portën e familjes Mehmeti dhe e kishte ftuar atë ta plotësonte aplikacionin për t’u bërë police. Ushtari me gradë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte qëndruar te familja Mehmeti në Gjilan disa ditë gjatë fillimit të pasluftës. Me të përfunduar lufta ai dhe ushtarët e tjerë zbritën nga malet. Shumë prej tyre u vendosën nëpër shkolla, duke përfshirë edhe shkollën e fshatit Malishevë të Gjilanit, ku jetonte familja Mehmeti. Një pjesë e madhe e këtyre ushtarëve gjatë drekave e darkave shkonin nëpër familjarët e tyre, por kishte edhe të atillë që nuk kishin ku të drejtoheshin. Për këta zgjidhje u bë babai i Luljetës, i cili për disa ditë rresht dhjetëra ushtarë i ftoi në konakun e tij. “Babai im i merrte çdo natë nga 30-40 persona, i sillte në darkë te ne, sepse shumë prej tyre vinin nga rajonet e tjera”, rrëfen Luljeta teksa sjell në kujtesë ato momente. E pikërisht njëri nga këta ushtarë u bë shkas që ajo sot të jetë e pandarë nga uniforma. Por ushtari në fjalë vazhdon të mbetet emër i panjohur për Luljetën. “Një ditë ai vjen te shtëpia jonë dhe thotë ‘të lutem, të kisha lutur të vish të aplikosh për police’. Unë them ‘jo, jo. Nuk dua. Askënd nuk e kemi në uniformë dhe unë veçse jam punësuar tashmë në një radio, nuk mundem dhe nuk dua të bëhem police’”, tregon ajo. Por pavarësisht këtij refuzimi, ushtari i cili vinte nga rrethina e Gjilanit kishte vazhduar të këmbëngulte. “‘Jo’, thoshte. ‘Ti nuk e kupton tash se je e re, mirëpo është me rëndësi që vajzat si ti, këmbëngulëse, që kanë bagazh, të aplikojnë. Për këto 10 ditë të njoha edhe ty, edhe familjen tënde, do të ishte shumë mirë të aplikosh”, vazhdon ajo gjersa citon fjalët e para dy dekadave të ushtarit.

Luljeta sërish insistoi për “jo”. Assesi s’donte të bëhej police. Por prapë doli një tjetër person që e shtyu të vepronte. Këtë herë babai i saj. “Prindi më tha ‘ka ardhur në shtëpi për të të lutur, mbushe aplikacionin dhe pastaj nëse nuk do të shkosh, mos shko’. E mbusha aplikacionin dhe pas gjashtë muajsh, në shkurt të vitit 2000, u bëra pjesëtare e Policisë së Kosovës”, shton majore Mehmeti.

Me kryerjen e Akademisë Policore Luljeta punoi në Stacionin Policor të Gjilanit, pastaj kaloi nëpër njësi të ndryshme, në patrullë e në gjykata. Në kohën kur u gradua si rreshtere kishte qenë në Njësinë e Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor të Gjilanit. Edhe për këtë gradë Mehmeti kishte aplikuar me shtytjen e të tjerëve. “U hap konkursi për gradën ‘rreshter’, aplikova dhe atë me insistimin e të tjerëve, se duke menduar që nëse unë punoj mirë puna ime shihet, kështu që nuk kam nevojë të aplikoj për diçka. Por zyrtarët ndërkombëtarë, të cilët kanë qenë trajnerët tanë, tërë kohën kanë qenë insistues që unë të aplikoj për gradë”, vazhdon rrëfimin ajo.

Image
Ceremonia e gradimit të parë (Grada Rreshter), viti 2001

328 persona në garë, Mehmeti në mesin e 28 të përzgjedhurve

Në vitin 2001 për gradën “rreshter” kishin aplikuar gjithsej 328 zyrtarë, por kishin arritur të përzgjidheshin vetëm 28. Në mesin e tyre ishte edhe Mehmeti-Quigley. Ajo ishte e vetmja dhe e para grua që mori gradë në PK. Menjëherë pas marrjes së kësaj pozite Luljeta u transferua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, në vitin 2001, si asistente ekzekutive e drejtorit të Burimeve Njerëzore. Por prej momenteve më të veçanta për të mbetet fillimi. Pikënisja. Të veshësh uniformën e policisë për Luljetën ishte një ndryshim jetësor pas gjithë asaj që ndodhi gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë. “Gjatë kohës së luftës unë kam qenë në Kosovë tërë kohën dhe pasojat i kemi ndier edhe ne si familje, ndaj ka qenë diçka e papërshkrueshme. Fjalët janë të pakta ndonjëherë për ta sqaruar”, shton ajo.

Image
(Foto) Ceremonia e gradimit në gradën Toger, viti 2003

Një police në patrullë, veturat rreshtohen vetë për kontroll

Ndonëse numri i policeve gra nuk ishte i madh në vitet e mëhershme, respekti për to ishte në nivelin më të lartë të mundshëm. Një ndjesi të tillë ato e përjetonin veçmas nga qytetarët. Gjersa tregon për kohën sa ishte në patrullë, Mehmeti thotë se veturat ndaleshin vetë dhe bëheshin rresht kur shihnin gratë me uniformë. Një fakt i tillë ishte një lloj kurioziteti për qytetarët atë kohë. “Ka ndodhur që ne kemi vendosur një pikë kontrolli diku me zyrtarë dhe në momentin që e kanë parë se po kontrollon një femër veturat e qytetarëve bëheshin rresht vetë, shkaku që kishin dëshirë veç të ndaleshin të flisnin me neve, jo për diçka tjetër, për kuriozitet”, tregon majorja 46 vjeçe, teksa thotë se asnjëherë nuk është ndier e paragjykuar ose e diskriminuar.

Image
Moderatore e përvjetorit të IV të PK-së, viti 2003

Zbulimi i 12 vajzave të zhdukura, tregim i paharruar

Po bëhen gati dy dekada prejse Luljeta i ishte bashkuar Policisë së Kosovës. Gjatë këtyre viteve, sikurse secili koleg e bashkëpunëtor tjetër, edhe ajo kaloi nëpër sfida të shumta. Por shumë herë përgjatë këtij itinerari Mehmeti pati momente, me të cilat u ndie krenare për punën e pandalshme që bëri bashkë me zyrtarët e tjerë. Momente krenarie për të ishin të gjitha çastet sa punonte në “Dosjen e Krimit” gjatë viteve 2002-2003. Çast i paharruar për të mbetet edhe një tjetër tregim, fillimi i të cilit është i dhimbshëm, por epilogu për t’u mburrur. “Ka qenë një periudhë kur me punën që e kemi bërë në Gjilan kemi arritur t’i gjejmë 12 vajza të zhdukura. Duke hetuar rastin e njërës, kemi gjetur gjithsej 12 vajza në rajone të ndryshme të Kosovës. Ato kanë qenë momente të veçanta për mua. Paramendoni, ta dërgoni fëmijën e dikujt në shtëpi, të trokisni në derën e një prindi pas një kohe, edhe kur ata ndoshta i kanë humbur shpresat”, shprehet plot emocion ajo.

Image
Udhëheqëse e Emisionit Dosja e Krimit (Rreshter), viti 2002

Pasi ishte graduar në gradën “rreshter” Mehmeti, e cila tash punon në zyrën për medie të Policisë në Prishtinë, vite më parë kishte udhëhequr mbi 100 zyrtarë të etnive të ndryshme gjatë patrullave në gjithë fshatrat e rajonit të Gjilanit dhe të Novobërdës.

Mosdorëzimi para momenteve të vështira

Luljeta Mehmeti-Quigley gjatë bisedës kujton edhe momente të vështira, të cilat i përjetoi gjatë viteve. Ndër ato që s’do t’i harrojë kurrë është rënia në detyrë e kolegëve. Por as lotët Luljetën, e cila tani mban gradën “major”, nuk kishin arritur t’ia ndalonin punën. “Më kujtohet shtatori i vitit 2001 kur zyrtari policor Lazim Rexhepi ka rënë në krye të detyrës. Nuk kisha as dy vjet të plotë si police dhe sa u pata promovuar në gradën e “rreshterit”. M’u kërkua nga Komisari i Policisë që ta moderoja ceremoninë e varrimit të kolegut. Unë nuk mund t’i ndalja lotët dhe ndër lot kam udhëhequr gjatë tërë ceremonisë”, tregon ajo për gazetën.

Megjithëkëtë, për Mehmetin ekziston një rregull. Gjërat nuk duhet të shikohen vetëm si të vështira. Sfiduese po, por asnjëherë të pakapërcyeshme. Sidoqoftë, vetë bartja e uniformës është një sfidë në vete, pasi prej momentit që nis ta bartë atë më nuk përfaqësohet individi, por institucioni, shteti. Ky përkufizim vlen edhe për Luljetën. “Mënyra sesi e bën ti këtë përfaqësim është shumë e rëndësishme në ndërtimin e imazhit, edhe të institucionit, edhe të Kosovës diku jashtë. Në momentin që jam në uniformë unë nuk jam Luljeta, unë jam zyrtare e Policisë së Kosovës, unë përfaqësoj institucionin”, thotë ajo, teksa shton se ndien kënaqësi shpirtërore në momentin që vesh uniformën.

Mehmeti kohë më parë kishte punuar edhe në Parlamentin e Kosovës. Me kënaqësi kujton kohën kur kishte qenë pjesëmarrëse edhe në legjislaturën e parë të Kuvendit dhe në zgjedhjen e presidentit të parë. “Kam kaluar në pozita të ndryshme dhe, pavarësisht të gjitha këtyre sfidave ose rrethanave që na janë krijuar gjatë punës, asnjëherë nuk e kam menduar të largohem nga Policia e Kosovës”, shton ajo.

Rikthimi nga Britania, për ta përmbushur misionin

Me gjithë dashurinë që kishte për uniformën, Luljetës i ishte dashur që para shumë vitesh të largohej nga institucioni ku punonte. Pas martesës ajo dha dorëheqje nga Policia e Kosovës, në vitin 2004, dhe shkoi për të jetuar në Britaninë e Madhe. Atje majore Mehmeti kreu shkollim të lartë, u certifikua si përkthyese për sistemin gjyqësor dhe për sistemin e migracionit. Por për Luljetën pati vlerë gjithnjë fraza: “Një herë polic, gjithmonë polic”. Kësisoj, në fillim të 2013-ës ajo mori rrugën për në Kosovë. “Pas një periudhe kohore me bashkëshortin vendosëm të kthehemi përsëri në Kosovë, sepse gjithmonë e kam pasur atë ndjenjën se misioni që unë si individ ia kam caktuar vetes ka mbetur i papërfunduar në momentin kur kam dhënë dorëheqje më 2004-n”, shprehet ajo.

Me t’u kthyer nga Britania Luljeta i përfundoi të gjitha procedurat për të riaplikuar për punësim në Polici, duke i kryer të gjitha testet që kërkoheshin. Me certifikimet që mori atje Mehmeti mund të gjente punë kudo. Por ajo zgjodhi të vihej sërish në shërbim të Policisë së Kosovës, në shërbim të bashkëvendësve të saj. Një arsye tjetër se pse ajo vendosi të kthehej në Kosovë ishin fëmijët e saj. “Sado që kanë origjinë anglezo-shqiptare, identiteti i tyre duhet të jetë edhe kosovar, edhe anglez. Andaj ardhja në Kosovë ka qenë edhe arsyeja që ata të njihen edhe për së afërmi me Kosovën, me kulturën kosovare. Kanë folur gjuhën edhe më herët, sepse unë gjithmonë flas me ta shqip, por ta mësojnë edhe në të shkruar, edhe në të lexuar. Fatmirësisht janë adaptuar mirë dhe e flasin gjuhën bukur”, shton ajo.

Në Kosovë, pos fëmijëve, ndihet i përmbushur edhe bashkëshorti i Luljetës, i cili ka origjinë britanike. Ai në Kosovë kishte kaluar gati 5 vjet para se të shkonte me Luljetën në Britani të Madhe. Kishte ardhur në Kosovë në dhjetor të vitit 1999 dhe kishte qëndruar deri në vitin 2004. Ai e kishte njohur Kosovën që nga paslufta, nga koha kur Kosova kishte qenë pa rrymë e me probleme të shumta. “Ai absolutisht Kosovën e sheh si vendin e tij të dytë”, rrëfen Luljeta, teksa thotë se nuk ka pasur fare nevojë të insistojë që ta bindë të shoqin të kthehet në Kosovë. Por edhe në Angli ata tashmë kanë shoqërinë, familjen e rrethin ku kanë jetuar me vite, rreth ky që tashmë e do Kosovën shkaku i tyre. Shkaku i Luljetës, i bashkëshortit të saj dhe i fëmijëve të tyre./ZERI

Image
Ceremonia e diplomimit, Gjenerata 54-të, viti 2019