Muaj mars, afati i fundit për miratimin e buxhetit

Muaj mars, afati i fundit për miratimin e buxhetit

Aktuale December 27, 2019 - 12:15
Vonesat në procesin zgjedhor dhe në formimin e koalicionit qeveritar në vend kanë ndikuar që Kosova ta fillojë vitin 2020 pa miratuar buxhetin, pasi afati i fundit ligjor për dorëzimin e tij në Kuvend ishte 31 tetori.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave Bedri Hamzës, tha për “Zërin” që buxheti është finalizuar nga kjo ministri, por ai nuk është dorëzuar në Kuvend për shkak të shpërndarjes së tij.

“Afati ligjor është i përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, që do thotë se deri më 31 tetor qeveria është dashur ta dorëzojë në Kuvend buxhetin. Mirëpo ne e dimë që tani jemi pas zgjedhjeve dhe nuk ka pasur as de jure e as de facto kuvend. Nuk kemi pasur se ku ta dorëzojmë projektbuxhetin”, ka thënë ai.

Me gjithë vonesat në miratimin e buxhetit për 2020-n Rafuna theksoi se në vend nuk do të ketë as krizë buxhetore e as krizë financiare. “Nuk do të ketë krizë buxhetore në vend ose krizë financiare për arsye se Ligji për Menaxhimin e Financave Publike për muajin janar dhe shkurt e parasheh implementimin e buxhetit, madje ndahet edhe me përqindje nga Ligji për Buxhetin e vitit paraprak, domethënë të vitit 2019”, ka thënë më tutje ai, shkruan "Zëri".

Problemet, sipas Rafunës, do të mundë të shfaqeshin në rast se miratimi i buxhetit vonohet deri në muajin prill. Në këtë rast, sipas tij, do të ndaleshin pagesat në vend, përveç atyre të borxhit të jashtëm publik. “Në muajt janar dhe në shkurt nuk do të ketë probleme. Në qoftë se kemi kuvend mundemi që edhe në muajin mars me një vendim prej kuvendit ta implemetojmë buxhetin edhe për një muaj nga buxheti i këtij viti. Problemet do të paraqiten nëse nuk do të ketë kuvend në muajin mars dhe nuk miratohet buxheti, në këtë rast nga muaji prill të gjitha mjetet ndërpriten, me përjashtim të borxhit të huaj publik që ne e kemi”./ZËRI