Infektuar: 4512
Shëruar: 2156
Vdekur: 97
Vetëm 12 ministri – Si po shihet ky organizim i ri i qeverisë nga njohësit e fushës

Vetëm 12 ministri – Si po shihet ky organizim i ri i qeverisë nga njohësit e fushës

Aktuale December 23, 2019 - 19:43

Vetëvendosja do të bëjë publike organizimin e ministrive pas arritjes se marrëveshjes me LDK-në Demokraci Plus mbajti tryezë diskutimi lidhur me efektet dhe pasojat e organizimit të Ministrisë së Integrimeve Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme në agjendën për integrime evropiane.

 Po ashtu, organizimin e Ministrisë së Administratës Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme në reformën e administratës publike. Në këtë diskutim morën pjesë përfaqësues të dy ministrive përkatëse, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, ekspertë të fushave që mbulojnë dy ministritë, përfaqësues nga zyra e BE-së, si dhe pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile.

Visar Rushiti, analist i politikave në D+, prezantoi një analizë të shkurtër mbi efektet dhe pasojat e integrimit të këtyre dy ministrive duke dhënë opsione dhe rekomandime mbi elementet që duhet të merren parasysh nga Qeveria në akomodimin e dy ministrive në MPJ, përkatësisht MPB.

 “Ministria e Integrimeve Evropiane duhet të organizohet si agjenci ekzekutive me funksione koordinuese horizontale në kuadër të zyrës së kryeministrit. Ky opsion eliminon të gjitha efektet negative në agjendën për integrime evropiane që potencialisht mund të ketë integrimi i MIE në MPJ; Ministria e Administratës Publike duhet të mbetet ministri për shkak të funksioneve dhe rolin qendror që ka në reformën e administratës publike”, tha Rushiti.

Taulant Kryeziu nga Vetëvendosja tha se pasi që të arrihet marrëveshja për koalicion me LDK-në do të bëhet publike edhe mënyra se si do të duken ministritë.

 “Tash e kemi kuptuar se procesi integrimit bie mbi çdo ministri dhe jo vetëm në atë të MIE. Janë 3 modalitete që unë dua t’i përmend sa j përket kësaj çështje. Është modaliteti i parë siç e ka Serbia dhe deri më tani e kishte edhe Kosova, pra të ketë Ministrinë e Integrimeve Evropiane. Modaliteti i dytë është ai i Shqipërisë dhe Malit të Zi që Ministria e Integrimeve është bashkuar më atë të Punëve te Jashtme dhe e treta është siç e ka Bullgaria të veprojë në bazë të kryeministrit të vendi”, u shpreh Kryeziu.

Artan Çollaku, përfaqësues i Ministrisë së Integrimeve Evropiane theksoi se pse duhet të mbesë kjo ministri dhe të përforcohet roli i saj.

 “E para: Vendimmarrja të jetë koherente, reformat të bëhen si reforma të brendshme; E dyta: Llogaridhënia ndaj BE-së të jetë e centralizuar; E treta: Komunikimi me akterë politikë, konsensus jo vetëm deklarativ, por edhe institucionet të ruajnë pavarësinë e tyre, qeveria të luaj rolin e saj në ndarje të resurseve. Ministritë të mos jenë të politizuara”, tha tutje Çollaku.

Naser Shamolli, përfaqësues i Ministrisë së Administratës Publike, vuri në pah se ku duhet të bazohet elementi i riorganizimit të kësaj ministrie.

“Meqenëse vendimi është në dorën e partive fituese, duhet ta kemi parasysh një element, çka do të ndodh? Elementi i riorganizimit duhet të bazohet me konsekuencat ligjore sa i përket edhe stafit dhe këto procese nuk janë të thjeshta. MAP është gjithçka që nuk ka mundur të bashkohet diku tjetër”, tha Shamolli.

Besnik Vasolli, njohës i integrimeve evropiane u shpreh se ka fare pak diskutim se si do të duket zvogëlimi i ministrive.

“Deri tani kemi dëgjuar se do të kemi numër më të vogël të ministrive, por kemi shumë pak diskutim si do të duken këto shkrirje. Si do të shkrihen 3 departamentet ligjore, 3 sekretar permanent, zyrat, etj”, u shpreh ai.

 Sipas analizës së D+, Ministria e Integrimit Evropian mund të bëhet pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme në kuptim organizativ dhe strukturor, por në kuptim funksional ka efekte negative në agjendën për integrime evropiane sepse e bënë atë pjesë të punëve të jashtme, kurse agjenda për integrime evropiane në masë të madhe është agjendë e brendshme e reformave.

Po ashtu, sipas tyre, ulet niveli i përgjegjësisë së ministrive, departamenteve për integrim evropian, komunave dhe institucioneve të tjera në zbatimin e mëtejmë të obligimeve që dalin nga agjenda për integrime evropiane dhe kuadri profesional në MIE mund të shpërndahet nëpër departamentet e MPJ.

Ndërsa sa i përket Ministrisë së Administratës Publike sipas funksioneve që ka nuk lidhet aspak me funksionet që ka Ministria e Punëve të Brendshme. Derisa MAP ka në fushëveprim shërbimin civil, organizimin dhe funksionimin e administratës, MPB ka të lidhur fushëveprimin e saj me rendin dhe sigurinë publike, etj.