Specialja mbyll vitin me gati 200 ftesa, aktakuzat të pritshme më 2020-n
Katër ftesat që kanë ardhur së fundmi nga Gjykata Speciale e kanë çuar në mbi 180 numrin e personave që janë paraqitur pranë Prokurorisë Speciale për intervistim gjatë vitit 2019. Ndonëse ende nuk ka pasur aktakuza, avokatët thonë se kjo pritet të ndodhë më 2020-n, meqë Prokuroria është në prag të përfundimit të hetimeve, shkruan sot gazeta Zëri.
Lexo edhe: Sot Tirana ritakon Ramën, Vuçiqin e Zaevin, pa Thaçin
Dhomat e Specializuara të Prokurorisë Speciale së fundmi kanë ftuar edhe katër ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për intervistim. Për të dhënë sqarime për periudhën e luftës së vitit 1998-2000 mbi 180 luftëtarë janë paraqitur pranë kësaj Prokurorie përgjatë këtij viti. Së fundmi ish-pjesëtari i UÇK-së, Sabit Geci, ka marrë ftesë nga Specialja, ku do të paraqitet më 30 janar, pa treguar se në çfarë cilësie është ftuar. Përderisa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë, ish-pjesëtar i UÇK-së, Brahim Mehmetaj, ka treguar se ka marrë ftesë nga Specialja dhe atje do të paraqitet si i dyshuar. Mirëpo kjo Gjykatë, që pritet t’i hetojë krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë, ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë. Avokatë të akredituar nga Dhomat e Specializuara pohojnë se gjasat reale për ngritjen e aktakuzave janë më 2020-n, meqë, siç theksojnë ata, Zyra e Prokurorisë së Specializuar është në përfundim të hetimeve. Megjithatë, ata thonë se nuk ka afat të caktuar se sa kohë pas intervistimeve mund të ngrihet aktakuzë për personat e dyshuar. Viti 2019 po konsiderohet si vit që e ka aktivizuar punën e Prokurorisë Speciale, por jo edhe të Gjykatës, ky organ do të nisë punën tek pas aktakuzave, të cilat po priten të ngrihen më 2020-n, kur nuk përjashtohen as arrestimet.
Specialja s’e ndal punën as për fundvit, 4 ftesa të reja
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka thënë për "Zërin" se ftesat nga Gjykata Speciale tashmë e kanë kaluar bilancin prej 180-ve. Madje ai ka njoftuar se në tri ditët e fundit kanë ardhur 4 ftesa të reja. "Së fundmi, para 3 ditëve, kanë ardhur 3-4 ftesa. Bilanci i ftesave e ka kaluar 180-shin. Por ftesat e kësaj Gjykate shpeshherë përgjatë këtij viti kanë qenë absurde. Kanë thirrur njerëz që nuk kanë qenë në luftë kurrë, herë si dëshmitarë e herë si të dyshuar, madje ka pasur edhe lëshime joprofesionale me dëshmitarë të akuzuar".
Ndonëse e sheh si të padrejtë, Haradinaj ka thënë se pjesëtarët e OVL-së do t’u përgjigjen ftesave të Gjykatës kurdo që të ftohen. "Vetë krijimi i kësaj Gjykate është absurd, sepse nuk ka të bëjë me ligjshmëri, por ka qenë puro politike, irracionale dhe raciste. Ne nuk e njohim atë Gjykatë, mirëpo meqë deputetët tanë e kanë nënshkruar formimin e saj, ne do t’u përgjigjemi ftesave që na vijnë", ka deklaruar ai.
Aktakuzat e para nga Specialja, më 2020-n
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Tahir Rrecaj, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se në dy muajt e fundit nuk ka pasur ndonjë klient që ka marrë ftesë nga Specialja. Ai thotë se në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar janë gati të përfundojnë hetimet, prandaj viti i ardhshëm mund të përcillet me aktakuza nga Specialja. Mirëpo, sipas Rrecajt, mundësia e arrestimeve është e vogël. "Besoj që më 2020-n aktakuza do të ketë, sepse prokurorët që janë në Dhomat e Specializuara janë në përfundim të hetimeve. Por nuk pres që do të ketë arrestime, për shkak se personat e dyshuar ose dëshmitarët, të gjithë janë paraqitur vullnetarisht në Zyrën e Prokurorit Special. Vlerësoj se nuk ka asnjë arsye ligjore për arrestime ose për paraburgime edhe pas ngritjes së aktakuzave", ka deklaruar Rrecaj.
2019-a, vit i aktivizimit të Speciales
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini, ka thënë për “Zërin” se nuk mund të parashikohet se kur mund të ngrihen aktakuzat e para nga kjo Gjykatë. Ai ka thënë se nuk ka afat se sa kohë pas intervistimit mund të ngrihen aktakuzat, por e gjitha varet nga provat që posedon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Kësisoj ai thotë se nga aspekti teorik në vitin 2020 mund të ketë aktakuza dhe arrestime. "Në aspektin teorik në vitin 2020 mund të ketë aktakuza dhe arrestime, por nuk mund të jemi të sigurt në këtë drejtim, duke qenë se nuk i dimë provat që Prokuroria disponon dhe a janë të mjaftueshme për të arrestuar ose për të ngritur aktakuzë. Rregullorja e Procedurës Ndërkombëtare përcakton se aktakuzat duhet të ngrihen brenda një afati të arsyeshëm, pra nuk është afat i prerë brenda 1,2 ose 3 vjetëve nga marrja në pyetje. Afati i arsyeshëm varet nga rrethanat dhe nga kompliciteti i çështjes”, ka nënvizuar ai.
Më tutje Qerkini ka përmendur se së fundmi nuk ka pasur ndonjë klient të ri që ka marrë ftesë nga Specialja, mirëpo i tërë viti 2019 ka qenë vit aktiv për Prokurorinë e Dhomave të Specializuara. “Viti 2019 ka qenë vit në të cilin është aktivizuar Zyra e Prokurorit të Specializuar, mirëpo ende nuk kemi pasur aktivizim të Gjykatës, përveç në rastin e një klientit tim. Pra përgjatë këtij viti është vërejtur një aktivitet shumë i ngjeshur, i cili ende nuk ka rezultuar me asnjë aktakuzë të ngritur dhe, sa kam informacione, ka pasur më shumë se 100 ftesa, ku disa janë ftuar si të dyshuar e disa si dëshmitarë”, ka theksuar ai. //ZERI