Acarohet situata, Syla tregon se si do të veprojnë mjekët pasi u pezullua Ligji për Paga

Acarohet situata, Syla tregon se si do të veprojnë mjekët pasi u pezullua Ligji për Paga

Aktuale December 12, 2019 - 15:34
Detajet

Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim që ta pezullojë Ligjin e ri të Pagave, deri më 30 mars të vitit 2020. E përveç SBASHK-ut që paralajmëroi greva, edhe drejtues nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë (FSSH) pohuan se grevat edhe për mjekët janë të pashmangshme dhe nesër do të mblidhen për të shikuar ndërmarrjen e masave më të ashpra sindikale.

Këtë e ka konfirmuar për FaktePlus kryesindikalisti i mjekëve, Blerim Syla, i cili tha se pas vendimit të Kushtetueses do të kenë mbledhjen e jashtëzakonshme, ku edhe do të merren vendime për situatën e krijuar.

“Tash nuk varet më prej meje. Tash varet prej Këshillit Drejtues edhe organeve tjera. Edhe këto mblidhen menjëherë. Ju e dini që nesër e kemi paralajmëruar një grevë m’u për këtë çështje, tash se çka do të vendosin organet mbetet të shihet sepse tash nuk e di”, ka thënë Syla.

Pas vendimit nga Kushtetuesja për pezullimin e Ligjit për Pagat edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, thotë se vendi do të shkojë në greva.

“Është një lajm shumë i keq për ne dhe të gjithë vendin pasi që do të rishikojmë me të gjitha organet tjera kompetente dhe komunat për të marrë një vendim se çfarë do të ndodhë tani e tutje”, tha Jasharaj.

Kurse me këtë vendim të Kushtetueses nuk po pajtohen assesi edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli këtë vendim e ka quajtur katastrofal.

Ai ka thënë se kanë qenë dhe janë kundër pezullimit të Ligjit për Paga.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është katastrofal. Ne kemi qenë kundër dhe prapë jemi kundër. Këtë vendim që e ka dhënë Gjykata pas dy vjete punë që është bërë në Qeverinë e Kosovës, të anulohet kjo nuk është e drejtë”, ka thënë Tasholli. /FaktePlus