Ndërkombëtarët kërkojnë reforma me prioritet në drejtësi
Foto: Laura Hasani

Ndërkombëtarët kërkojnë reforma me prioritet në drejtësi

Aktuale December 12, 2019 - 08:28
Detajet
Image

Ndërkombëtarët i kanë bërë thirrje qeverisë së ardhshme që t’i ketë prioritet reformat në drejtësi, të cilat do të jenë në përputhje me vendet e BE-së. Ndërkohë, përfaqësues të partisë fituese të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit kanë thënë se prioritet do të jetë vetingu në drejtësi, pasi vetëm kështu qytetarëve do t’u kthehet besimi në institucionet e drejtësisë, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: LVV – LDK-ja pa ujdi, seanca konstituive më 24 dhjetor

Ndonëse vazhdimisht nga liderët politikë u premtua luftimi i korrupsionit, një gjë e tillë nuk po ndodh. Viti që po lëmë pas ka thelluar edhe më shumë hendekun mes korrupsionit dhe luftës kundër tij. Sipas organizatave për mbrojtjen e drejtësisë, Kosova duhet ta ketë prioritet luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, pasi njerëzit më të pasur në Kosovë janë të lidhur me politikën. Ndërkaq nga Ministria e Drejtësisë thonë se synojnë ta rikthejnë besimin te qytetarët. Ndërkaq Ambasada Amerikane në Kosovë ka kërkuar që Qeveria e ardhshme të bëjë reforma në sistemin e drejtësisë, të cilat duhet të jenë në përputhje me vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë theksuar se qeveria e ardhshme do të ketë prioritet sjelljen e vetingut në drejtësi, sepse vetëm ky proces mund ta kthejë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Njerëzit më të pasur në Kosovë, të lidhur me politikën

Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit” organizatat GLPS dhe “Çohu” kanë organizuar tryezën me temën “Reforma në sistemin e drejtësisë në Kosovë: Drejtësia 2020 dhe procesi i rishikimit funksional të drejtësisë”, në të cilën u tha se qytetarët e Kosovës ballafaqohen me një sistem joefikas të drejtësisë.

Aty u vlerësua se me prioritet duhet të luftohet korrupsioni i nivelit të lartë.

Drejtoresha ekzekutive e GLSP-së, Arbëresha Loxha, tha se sistemi i drejtësisë kritikohet për ndikim politik, për mungesë të efiçiencës së trajtimit të rasteve dhe për mungesë të besimit të qytetarëve. Ajo tha se lufta kundër korrupsionit nuk përfundon me këtë javë.

“Përgjatë viteve të fundit disa qeveri kanë nisur disa procese, që kanë përfunduar të jenë sipërfaqësore, nuk kemi arritur të shohim rezultate konkrete në sistemin e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë kritikohet për ndikim politik, për mungesë të efiçiencës në trajtim të rasteve dhe për besimin e qytetarëve”, tha ajo.

Ndërsa Alison Storsve, zëvendësdrejtoreshë e Zyrës për Politika dhe Ekonomi në Ambasadën e SHBA-së, tha se rishikimi funksional në sistemin e drejtësisë është agjendë, përmes së cilës do të dalin me rekomandime dhe me strategji. Ajo kërkoi që reforma në sektorin e drejtësisë të përkrahet edhe nga qeveria e ardhshme e Kosovës dhe se në këtë sektor duhet të ketë reforma të merituara, që janë në përputhje me vendet anëtare të Bashkimit Evropian. “Do të mundohemi të bëhen reforma në sektorë të ndryshëm të drejtësisë. Jemi të kënaqur si Ambasadë Amerikane që ky proces është duke vazhduar”, ka thënë ajo.

Arton Demhasaj, nga “Çohu”, tha se kategoria e njerëzve më të pasur në Kosovë ndërlidhet me funksionarët politikë. “Ne po e shohim që kategoria e njerëzve më të pasur në Kosovë ndërlidhet me funksionarët politikë. Pasuritë që deklarohen vërtet janë pasuri që shkojnë në shifra milionëshe dhe aty krijohet bindja që ka pasuri të paligjshme”, tha Demhasaj.

Ndërsa hulumtuesja e organizatës “Çohu”, Rina Koliqi, tha se si sfidë kryesore sipas të gjeturave të kësaj organizate mbetet niveli i lartë i korrupsionit, për çka u kërkua që qeveria ta ketë prioritet luftimin e kësaj dukurie negative. “Ndër shqetësimet kryesore vazhdon të mbetet papërgatitja e prokurorëve gjatë përfaqësimit të aktakuzave. Kjo vazhdon t’i kushtojë drejtësisë dhe për këtë arsye ka rezultate të dobëta në luftimin e korrupsionit”. Ajo ka thënë se me theks të veçantë do të duhej të trajtohej korrupsioni i nivelit të lartë. “Një tjetër çështje e identifikuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare është luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë, i cili do të duhej të trajtohej me prioritet”, tha Koliqi.

Sekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj, tha se rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë, i cili u riiniciua në vitin 2018, synon të ngritë besimin e qytetarëve ndaj këtij sektori, duke krijuar një sistem të konsoliduar të sundimit të ligjit. Sipas tij, kjo reformë është ndarë në tri faza të zhvillimit të saj, me qëllim që procesi të jetë gjithëpërfshirës.

Haxhiu: Në qeverinë e ardhshme prioritet sjellja e vetingut në drejtësi

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pati kritika ndaj Ministrisë së Drejtësisë që në procesin e rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë nuk kanë qenë edhe deputetët e Komisionit për Legjislacion dhe Kuvendi i Kosovës. Derisa i ka paraqitur disa nga prioritet e qeverisë së ardhshme, e cila ende nuk është krijuar, Haxhiu tha se kjo qeveri synon që të gjitha punët të cilat janë bërë në Ministrinë e Drejtësisë t’i analizojnë në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me përfaqësuesit e institucioneve. Ajo përmendi se ndër prioritet kryesore të qeverisë së ardhshme do të jetë aplikimi i vetingut në drejtësi, i cili duhet të zhvillohet pa përfshirjen e partive politike. “Unë besoj që njëra prej prioriteteve që duhet shtyrë përpara e që duhet ta ketë mbështetjen e plotë është procesi i vetingut ose verifikimi i prokurorëve, gjyqtarëve e policëve. Besoj që duhet nisur nga nivelet më të larta sepse procesi i vetingut është procesi i vetëm i cili mund ta kthejë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Smaka: Një numër i madh i funksionarëve në institucionet publike janë të korruptuar

Njohësi i çështjeve juridike, Riza Smaka, ka thënë se në Kosovë korrupsioni nuk luftohet në nivelin e ulët dhe të mesëm e aq më pak në atë të lartë. Sipas tij, nuk janë efikase institucionet e drejtësisë në Kosovë. “Bindja ime është që korrupsioni nuk po luftohet jo në nivelin e lartë, por as në të mesëm, as në të ulët. Ky është njëri nga faktorët që e shkatërron çdo shtet. Nuk është efikase administrata publike, nuk është efikase Prokuroria dhe as gjyqësori, prandaj kur nuk zbatohet ligji në fuqi, atëherë ndodh korrupsioni”. Ai i quajti të korruptuar një numër të madh punonjësish nëpër institucionet publike dhe tha se vetëm zbatimi i ligjit është rruga drejt luftimit të korrupsionit. “Një numër i madh funksionarëve publikë në administratën publike dhe në krejt institucionet publike janë të korruptuar. Vetëm ta marrim shembull pasurimin e pabazë. Pasurimin e pajustifikuar me dokumente. Nga? Ky është korrupsion i thellë, që ndër të tjera kërkon vullnet politik për luftimin e kësaj dukurie. Korrupsioni luftohet vetëm në një mënyrë, vetëm me zbatimin e ligjit në fuqi, të tjerat janë vetëm fjalë”, ka thënë ai.

“Java Kundër Korrupsionit 2019” ka nisur ditën e hënë dhe vazhdon deri më 13 dhjetor. Në kuadër të kësaj jave trajtohen çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në qeverisje, prokurim publik, shëndetësi e arsim, teksa fokus kryesor do të jenë sinjalizuesit, mbrojtja e tyre dhe Ligji për Sinjalizuesit, i cili është miratuar këtë vit. //ZERI