Shpërfytyrohet identiteti shumëvjeçar i “Taslixhes”
Foto: Laura Hasani

Shpërfytyrohet identiteti shumëvjeçar i “Taslixhes”

Aktuale December 12, 2019 - 08:13
Detajet

Mehmet Gjata / Prishtinë

Një kompani ndërtimi, që mori përsipër rikonstruktimin e rrugës “Ymer Paçarizi”, me të cilën mburren banorët e “Taslixhes” së Prishtinës, e ka shëmtuar atë në përmasa të trishtueshme. E ka bërë keq e ia ka humbur identitetin. Gjithsesi, për këtë shëmtim do të duhej të ishte e njoftuar Komuna me të gjitha institucionet e saj përkatëse, që e kanë për obligim ta mbrojnë hijeshinë, imazhin e mirë dhe të dashur të kryeqytetit.

Një rrugë tashmë jo pak e famshme, që shërbeu me dekada të tëra si ndërlidhëse për të gjitha lagjet dhe rrugët e tjera të “Taslixhes” në kryeqytet, me të cilën me krenari u identifikua kjo pjesë e Prishtinës, këto ditë është shpërfytyruar keq. Një kompani ndërtimi, që mori përsipër rikonstruktimin e rrugës “Ymer Paçarizi”, me të cilën mburren banorët e kësaj pjese të kryeqytetit, e ka shëmtuar atë në përmasa të trishtueshme. E ka bërë keq e ia ka humbur identitetin. Gjithsesi, për këtë shëmtim do të duhej të ishte e njoftuar Komuna me të gjitha institucionet e saj përkatëse, që e kanë për obligim ta mbrojnë hijeshinë, imazhin e mirë dhe të dashur të kryeqytetit.

Duhet sqaruar më konkretisht rreth këtij deformimi irritues dhe të shëmtuar: Rruga, e gjatë ndoshta pak më shumë se 200 metra, me pjerrtësi bukur të madhe, pra me përpjetë të theksueshme dhe gjithashtu me tatëpjetë karakteristike për rrugët e “Taslixhes”, qëkur është ndërtuar kjo lagje ka qenë e shtruar me kubëza prej guri - kalldrëm guri. Gjithmonë, tash e rreth 50 vjet. Gjithmonë, edhe pas rikonstruktimeve jo të pakta që i janë bërë, ka vazhduar të jetë në kubëza guri. Deri tani kështu, pa ndryshime. Dhe kjo këmbëngulësi e Komunës dhe e banorëve të lagjeve të “Taslixhes” për ta vazhduar traditën e rrugës me kubëza guri e krijoi identitetin e lagjes përmes rrugës. E bëri rrugën të dashur për banorët e këtushëm. Por, edhe për kryeqytetasit.

Sivjet nisi edhe një herë rekonstruktimi i rrugës rreth 200-250-metërshe me kubëza guri. Nisi para 5-6 muajsh e më shumë dhe u stërzgjat deri të hënën, kur një pjesë prej dhjetëra metrash, pa një shpjegim paraprak, as një njoftim të banorëve, në vend të kubëzave të gurit u mbulua me asfalt. Dhe në këtë mënyrë u shpërfytyrua rruga - identiteti i “Taslixhes”. U deformua keq imazhi i saj. Pa asnjë njoftim. As nga punëkryesi, as nga Komuna - institucionet kompetente të Prishtinës.

Gjithçka nisi, me gjasë me përzgjedhjen e punëkryesit, i cili nuk kishte haberin, as dijeninë, as shkathtësinë elementare për rekonstruktimin e kësaj rruge. Më saktësisht: për mungesë të potencialit njerëzor dhe të makinerive përkatëse kompania - fituese e tenderit për rikonstruktimin e rrugës i hoqi kubëzat para më shumë se 5-6 muajsh dhe vazhdoi ta lërë të bllokuar atë për tërë këtë kohë. Arsyetimi i kompanisë i bërë publik për tërë këtë zvarritje dhe stërzgjatje të pakuptimtë ishte se “ata nuk kanë punëtorë që dinë të vendosin kubëzat e gurit dhe se po presin ta kontraktojnë një kompani nga Prizreni për ta bërë këtë punë”. Ky ishte pak a shumë arsyetimi i kompanisë fituese të tenderit, e cila e fitoi, pra tenderin, pa pasur punëtorë që dinë t’i shtrojnë gurët. E kur e gjetën kompaninë për ta bërë punën për të cilën u shpallën fitues dhe kur tani nënkontraktuesit i mbeten dhjetëra metra për ta përmbyllur punën, me gjasë ata mbetën pa kubëza guri, të cilët brenda pesë-gjashtë muajve sa qëndruan të hedhur anash rrugës - u avulluan. Zgjidhja erdhi shpejt. Atë ditë që shtrohej me asfalt rruga “Nazim Gafurri”, e hënë, më 9 dhjetor, edhe kjo disa muaj në rikonstruktim, u shfrytëzua kompania asfaltuese për ta mbuluar me asfalt edhe këtë pjesë rruge të “Taslixhes”. Kështu, tani kemi asfalt, kubë – guri dhe prapë asfalt. Tërë kjo në më shumë se 200 metra rrugë. Një shëmti irituese, nga një rrugë atraktive dhe e këndshme.

Banorët e mllefosur po mbledhin nënshkrime të një peticioni për ta kundërshtuar ashpër deformimin e imazhit të deritashëm të rrugës dhe po kërcënojnë me protesta. Po kërkojnë që t’u dalë në krah Komuna, e cila po hesht, mbikëqyrësi eventual, që nuk u bë i gjallë. Po presin çka do të thotë kryetari i Komunës Shpend Ahmeti rreth këtij shëmtimi të bërë kastile. Ose nga paaftësia. Sidoqoftë, deformimi eklatant i infrastrukturës ka ndodhur dhe ai tani për tani po qëndron aty. Mbase deri ta shohin komunarët!