Rrecaj: Aktakuzat e para, në tremujorin e parë të 2020-s
Foto: Laura Hasani

Rrecaj: Aktakuzat e para, në tremujorin e parë të 2020-s

Aktuale December 11, 2019 - 14:56
Detaje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës është intervistuar të martën për tri orë nga Zyra e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara, me seli në Hagë. Mirëpo pas intervistimit Veseli nuk ka dhënë detaje lidhur me ndodhitë brenda zyrave të Speciales, shkruan sot gazeta Zeri.

LEXO EDHE: Veseli përballet me Specialen, thotë se e mbrojti luftën e UÇK-së

Kurse lidhur me intervistimin e Veselit dhe me gjithë ftesat e dërguara deri më tani avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Tahir Rrecaj, i ka thënë “Zërit” se tërë këto ftesa janë dëshmi se Specialja është e gatshme për ngritjen e aktakuzave të para.

Kësisoj, sipas tij, duke u bazuar në aktivitetin e Gjykatës, në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm mund të priten aktakuzat e para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. “Fakti që tani po ftohen edhe krerët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së tregon se Prokuroria e Dhomave të Specializuara është afër përfundimit të hetimeve dhe besoj që në tremujorin e vitit të ardhshëm mund t’i kemi edhe aktakuzat e para”, ka thënë Rrecaj.
Rrjedhimisht, sipas tij, nuk mund të prejudikohen figurat e radhës që do të ftohen për intervisitm, pasi, siç ka thënë ai, një gjë e tillë është kompetencë ekskluzive e Dhomave të Specializuara./ZERI