Mustafa: Kosova vazhdon të pranojë dhe integrojë të kthyerit nga Siria

Mustafa: Kosova vazhdon të pranojë dhe integrojë të kthyerit nga Siria

Aktuale December 11, 2019 - 14:23
Detajet

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, u mbajt takimi i grupit për implementimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër Terrorizmit, ku është bërë raportimi i aktiviteteve të implementuara në kuadër të Strategjisë.

Takimin e hapi ministri në detyrë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili pasi falënderoi anëtarët e grupit për punën, bëri një përmbledhje të punës së institucioneve në angazhimet konkrete për luftimin e kësaj dukurie globale, ku ka qenë e përfshirë edhe Republika e Kosovës.

Ministri  Mustafa vuri në dukje angazhimin që ka pasur shteti i Kosovës në kuadër të luftës globale kundër terrorizimit, sidomos në parandalimin e qytetarëve të Kosovës që të bashkëngjiten luftërave të huaja.

Në kuadër të angazhimeve aktuale, ministri Mustafa theksoi angazhimin sa i përket kthimit të qytetarëve të Kosovës nga lufta në Siri, ku tha se janë duke u përfshirë përmes programeve në ri-pranimin e këtyre qytetarëve dhe risocializimin e tyre në shoqërinë tonë.

Në këtë takim u raportuan të gjitha aktivitet që janë realizuar në kuadër të planit të veprimit të kësaj strategjie dhe për pjesët tjera ku ka pasur vështirësi në implementim.