Musliu: Ushtarët e UÇK-së s’e kanë vendin në Hagë

Musliu: Ushtarët e UÇK-së s’e kanë vendin në Hagë

Aktuale December 11, 2019 - 11:44
Detaje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës është intervistuar të martën për tri orë nga Zyra e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara, me seli në Hagë. Mirëpo pas intervistimit Veseli nuk ka dhënë detaje lidhur me ndodhitë brenda zyrave të Speciales, shkruan gazeta Zeri.

Sfidë për Kosovën e ka quajtur Gjykatën Speciale deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila ka thënë se shpreson që ky proces të përfundojë sa më parë. Kurse sa i përket intervistimit të kreut të partisë së saj, Kadri Veseli tha se ai vetë do të japë informacione atëherë kur ka nevojë. “Unë besoj që çdo detaj lidhur me kryetarin e Kuvendit, i cili aktualisht gjendet në Hagë, ose me kryetarin e partisë sonë Kadri Veselin, do të japin ata që janë me kryetarin, por edhe vetë kryetari Veseli do të jetë para medieve sa herë që do të ketë nevojë për informacion.

Unë uroj dhe shpresoj që përfundimisht të përfundojë kjo sfidë për popullin tonë, sepse besoj fuqishëm që duhet dikush tjetër të shkojë në Hagë dhe jo ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Musliu.
Në anën tjetër, sipas Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Prokuroria Speciale deri më tani në Kosovë ka dërguar mbi 200 ftesa, kurse vetëm një pjesë është bërë publike.

I pari që pati konfirmuar pranimin e ftesës nga prokurori i specializuar është Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit. Në dhjetor të vitit të kaluar komandant “Remi” pati njoftuar për ftesën e marrë nga Specialja, ndërkohë në janar të këtij viti ai pati udhëtuar për në Hagë për t’u intervistuar.

Pas Mustafës nga Specialja u ftua edhe ish-udhëheqësi i Gjykatës së UÇK-së Sokol Dobruna, ish-ushtari i UÇK-së nga Zona Operative e Pashtrikut Safet Syla, ish-eprori i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut Sabahajdin Cena, Nazif Mehmeti, i njohur si komandant “Dini”, Remzi Shala, ish-komandant i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut i njohur me pseudonimin “Molla e Kuqe”, Sami Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së, ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj e shumë pjesëtarë të tjerë../ZERI